Minortetet të papërfaqësuar në median gjermane
11 Prill 2013
Kur kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi në vitin 2010 se multikulturalizmi në Gjermani “ka dështuar”, ajo mund t'i jetë referuar edhe gjendjes së medias. Një studim i fundit i Universtietit të Bremenit tregon se emisionet televizive dhe radiofonike gjermane nuk janë aq të larmishme sa shoqëria.
Por një program i quajtur Akademia e Autodidaktëve ka për qëllim ta ndryshojë këtë situatë. Ky program trajnon të rinj me prejardhje ndërkombëtare në prodhim filmi dhe në gazetari, në mënyrë që ata një ditë të drejtojnë një ekip xhirimi thotë drejtoresha Veronika Gerhard. "Në Gjermani për të rinjtë me origjinë nga familjet e emigrantëve është ende e vështirë të bëhen pjesë e akademive e një gjë e tillë është akoma më e vështirë në art", thotë Gerhard.
Të shprehesh përmes filmit
Të rinjtë pjesmarrës në program kanë prodhuar dy filma deri tani, duke u fokusuar tek fëmijët me prejardhje turke dhe arabe. Ata kanë shkruar skenarin, xhiruar dhe montuar gjithçka vetë, por natyrisht edhe nën vëzhgimin e profesionistëve nga industria e medias. Filmi i fundit tregon se si është jeta në Gjermani nëse je zezak.
Ka më shumë se gjysmë million afrikanë dhe afro-gjermanë që jetojnë në vend, por Michael Götting, gazetar i një gazete afro-gjermane dhe profesor në program, thotë se zezakët pothuajse nuk shfaqen në media. "Unë mendoj se është shumë e rëndësishme të flitet rreth temës së të qenit zezak në Gjermani, sepse këtu ka shumë pak debat për këtë. Ka shumë pak njerëz në publik që janë zezakë", thotë Götting.
Të ndihesh si i huaj
Amanda 19 vjeçare, ka lindur në Rwanda, fëmijërinë e ka kaluar në Duisburg dhe së fundmi ka lëvizur në kryeqytetin gjerman. Pavarësisht se ajo nuk është përballur me diskriminin në Gjermani, thotë se disa herë kur ka takuar gjermanë ata i kanë kërkuar të prekin lëkurën e saj ose e kanë quajtur "50 Cent" si reperi amerikan. "Njerëzit në fillim flasin ngadalë me mua sepse mendojnë se nuk flas gjermanisht, çka është e çuditshme, sepse njerëzit me ngjyrë të zezë kanë jetuar këtu prej shekujsh", shton Amanda.
Amanda mendonte se situata e minoriteteve në Gjermani ishte mirë deri në momentin kur mësoi se një grup neo-nazistësh kishte kryer vrasje për disa vjet me radhë dhe nuk ishte kapur. Një gjë e tillë vuri në alarm emigrantët dhe ngriti dyshime rreth efikasitetit të qeverisë për të mbrojtur minoritetet që jetojnë këtu. Amanda thotë se ajo kërkon të trajtohet normalisht e jo si një objekt kurioziteti. "Unë dua që njerëzit të pranojnë një realitet tjetër, këtë realitet që shohim të gjithë: Gjermania nuk ka vetëm të bardhë. Kjo gjë ende nuk pranohet", thotë ajo.
Imazhi i Gjermanisë për veten
Në një intervistë për DW, Sabine Schiffer nga Instituti Gjerman për Përgjegjësinë e Medias thotë se është dakord me ato që thotë Amanda. "Kjo në fakt përkon edhe me përfundimet e disa studimeve, ku ne e quajmë veten ende një komb i bardhë", thotë ajo. Schiffer shton se telenovelat dhe programet e tjera të argëtimit në Gjermani kanë dështuar për të sjellë jetën reale në ekran.
Edicionet informative gjithashtu përfrcojnë akoma më shumë steriotipet negative, kjo sepse në Gjermani ka ende shumë pak gazetarë me prejardhje nga minoritetet. Ajo citoi një studim të Universitetit të Bremenit, ku zbuloi se një në pesë gjermanë ka prejardhje të huaj. Ndërsa për gazetarët ishte 1 në 50. Edhe pse janë bërë përpjekje për të rimodeluar edicionet e lajmeve, Schiffer thotë se nuk është e mjaftueshme. "Ata që punojnë në media i përkasin një klase të caktuar në shoqëri, ashtu si edhe politikanët. Ka njerëz që duan ta ndryshojnë këtë situatë, por ka edhe të tjerë që duan të rrinë në këtë gjendje", thotë ajo.
Miltiadis Oulios, një gazetar greko-gjerman, thotë se në fillimiet e karrierës së tij e ka pasur shumë të vështirë. "Diskriminimi shpesh është indirekt. Gjatë një interviste pune, pa parë ende punët e mia, ata më pyetën nëse mund të shkruaja gjermanisht. Kualifikmet e mia ishin vënë në pikëpyetje. Dikush tjetër me emër gjerman nuk do ta kishte pasur këtë problem", thotë ai.
Media po ndryshon ngadalë
Prezantuesja e lajmeve Dunja Hayali thotë për DW se gjendia është në përmirësim. Hayali prezanton edicionin e lajmeve të mëngjesit në Televizionin Publik Gjerman ZDF që prej vitit 2007. Sipas saj, ajo është prezantuesja e parë e huaj e lajmeve në Gjermani. "Kur fillova mora shumë letra nga të rinj me prejardhje të huaj, të cilët u ndjenë të frymëzuar nga unë. Edhe ata kishin qëllim të futeshin në një media, por u dukej diçka e pamundur."
Hayali është e mendimit se televizionet gjermane duhet të bëjnë një punë më të mirë sa i përket minoriteteve dhe se duhet t'i punësojnë gazetarët në bazë të aftësive dhe jo nga prejardhja e tyre. "Unë dua të jetoj në një vend, ku ka rëndësi ajo se çfarë bën dhe jo nga e ke prejardhjen", thotë Hayali.