"Mirësevjen Kroaci në Bashkimin Evropian!"
1 Korrik 2013Dhjetëra mijëra vetë festuan në Zagreb natën e së hënës (1.7.'13) anëtarësimin e Kroacisë në BE. Në orën 12:00 të natës kumboi himni i BE-së, pjesa e Bethovenit "Ode an die Freude", ndërkohë që një spektakël madhështor fishekzjarresh ndriçoi qiellin mbi kryeqytetin kroat. Kroacia është rikthyer tashmë në "vendin e saj legjitim", në zemër të Evropë, u shpreh Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso, në ceremoninë kryesore në Zagreb. Kroacia është e përgatitur mirë, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe është një shembull për shtete të tjera në rajon. "Ju keni qenë gjithnjë evropianë", tha Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy.
Anëtarësimi i Kroacisë është një "gur kilometrik" dhe një shembull i rëndësishëm për rajonin. Kroacia ka krijuar institucione që mbështeten në demokraci, pajtim dhe shtet ligjor, tha Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz. Në Ballkanin Perëndimor, një rajon i cili vetëm dy dekada më parë u trondit nga luftërat, integrimi në BE kontribon për paqen dhe ndryshimin. Kontributi i Kroacisë në projektin e përbashkët "Evropë" do të jetë një pasuri për të gjithë, tha Schulz.
Duke iu referuar krizës në BE, kryeministri kroat Zoran Milanovic theksoi se, vendi i tij nuk po hipën në një anije që po mbytet. Ai shprehu bindje se "gota është gjysmë e mbushur, dhe jo gjysmë bosh". Presidenti kroat Ivo Josipovic premtoi të mbështesë përpjekjet e vendeve të tjera në rajon për integrim evropian.
"Ka ende mjaft për të bërë"
Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila nuk mori pjesë në ceremoninë festive në Zagreb, sheh ndërkaq nevojë për reforma të mëtejshme në Kroaci. "Veçanërish në fushën e zbatimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit duhen ndërmarrë hapa të tjerë", tha Merkel. Megjithatë kancalarja nuk mungoi të shprehë urimet e saj. Në një mesazh video ajo uroi "Mirësevjen Kroaci në Bashkimin Evropian!"
Pas Sllovenisë, Kroacia është vendi i dytë anëtar i BE-së nga ish Jugosllavia. Marrëveshjet për anëtarësim patën filluar në tetor 2005. Kroacia ka një sipërfaqe prej 56.000 kilometra katrorë dhe 4,4 milionë banorë, rreth 90 për qind e të cilëve janë të besimit katolik roman. Me një vijë bregdetare 1800 kilometra të gjatë dhe qindra ishuj, Kroacia është një destinacion shumë i preferuar turistik. Rreth 20 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto vjen nga turizimi.