1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mishi i kafshëve të egra ekzotike - shije me rreziqe

25 Shkurt 2021

Mishi i kafshëve të egra ekzotike konsiderohet si shkak sëmundjesh të panumërta. Por problemi shkon përtej konsumit të lakuriqëve të natës.

Buschfleisch Afrika Kinder Jagd Fleisch
Fotografi: Getty Images

Majmunë të pjekur, koka breshkash, lakuriqë nate - në mjaft tregje në Afrikë mund të gjesh mjaft lloje ekzotike mishi. Për shumë afrikanë mishi i kafshëve të egra është shumë i shijshëm dhe një nga burimet më të rëndësishme të proteinave. Por mishra të tillë janë mjaft të rrezikshëm.

Qoftë gripi i shpendëve, HIV / AIDS, Ebola apo COVID-19: shumë sëmundje kanë origjinë zoonotike, pra janë transmetuar nga kafshët te njerëzit. Sëmundjet zoonotike përbëjnë rreth 75 për qind të sëmundjeve të reja që prekin aktualisht njerëzit. Ndër to bëjnë pjesë edhe ethet e verdha, forma të ndryshme të gripit, tërbimi dhe borrelioza. Shumë nga këto sëmundje e kanë burimin tek konsumimi i mishit të kafshëve të egra.

Majmunë të pjekur, Kisangani, Kongo Fotografi: picture-alliance/AP Photo/S. van Zuydam

Sipas Rrjetit Global të Sëmundjeve Infektive dhe Epidemiologjisë (GIDEON) mes viteve 1980 dhe 1985 janë regjistruar 1.000 shpërthime jashtëzakonisht të forta  sëmundjesh zoonotike. Në periudhën 2005 - 2010 kjo shifër thuajse u trefishua.

Miliona tonë mish kafshësh të egra

Sipas vlerësimeve të OKB-së çdo vit nga gjuetia në Pellgun e Kongos përfitohen deri në pesë milion tonë mish kafshësh të egra. Vetëm në Republikën Demokratike të Kongos konsumohen çdo vit një milion kilogram mish kafshësh të egra. Pjesa tjetër ndërkohë eksportohet në të gjithë botën - një parakusht ideal ky për përhapjen e virusëve.

Fotografi: AFP/J.D. Kannah

Problemi më i madh vjen prej mishit të pakontrolluar që tregtohet ilegalisht. Kështu statistikat tregojnë se në Tanzani konfiskohen çdo vit .rreth 2,000 ton mish kafshësh të egra me vlerë 50 milion dollarë. Rrezik vjen edhe prej kafshëve të egra të kultivuara.

Që virusi të kalojë nga kafsha e infektuar te njeriu, mjafton konsumi i mishit të gjahut të përgatitur gabim, një pickim nga ndonjë kafshë ose kontakti me sekrecionet e trupit të kafshëve.

Shkatërrimi i ekosistemeve

Arsyet për rritjen e sëmundjeve zoonotike janë të shumta. Një rol të madh për këtë shtim luan shkatërrimi i ekosistemeve. Sipas mjekes Ulrike Beckmann "problemi është se ne po i shkatërrojmë edhe ekosistemet e fundit që funksionojnë duke depërtuar në to. Nga gjuetia pa leje, gjuetia, prerja e pyjeve për ndërtim rrugësh dhe vendbanimesh ose për miniera, ne rrezikojmë të biem në kontakt me organizma, virusë dhe patogjenë, me të cilit në kushte normale nuk do të kishim asnjë lloj kontakti."

Fotografi: M. Weber/blickwinkel/McPHOTO/picture alliance

OKB-ja paralajmëron se pylli tropikal i Kongos mund të zhduket plotësisht nga fundi i shekullit dhe në këtë mënyrë kafshët dhe viruset që ato mbajnë në trupin e tyre mund të përplasen me njerëzit duke shkaktuar katastrofa të reja.

Ulrike Beckmann thotë se "pandemia tjetër është në pritje dhe ne nuk do të jemi në gjendje ta përballojmë atë." Ajo bën thirrje për masa politike globale për të ndalur tregtinë e kafshëve të egra, ndryshimin e klimës, degradimin e mjedisit dhe prodhimin industrial të mishit.

Fotografi: Silvia Izquierdo/AP Photo/picture alliance

Beckmann thekson se rreziku nuk vjen vetëm prej konsumimit të mishit të paligjshëm të kafshëve të egra nga Afrika. "Shkaktuesi tjetër i sëmundjeve mund të vijë prej rriqrës që kalon zonën e Alpeve dhe përhapet, pra është vetëm çështje kohe para se të shpërthejë pandemia e radhës."