221211 Syrien Voraustrupp
22 Dhjetor 2011Është një udhëtim që fsheh të panjohura. Çfarë ndikimi dhe nëse mund të ndikojë komandoja vëzhguese e Ligës Arabe në Damask është shumë e diskutueshme. Kryetari i Ligës Arabe tregohet optimist, sipas tij, grupet e tjera të vëzhguesve mund të fillojnë nga puna që në fundin e vitit. Numri i tyre është i paqartë. Nëse fillimisht bëhej fjalë për 500 vëzhgues, tanimë kryetari i Ligës Arabe bën fjalë për 150 gjithsej. Misioni nën drejtimin e ish-shefit të shërbimit sekret sudanez do të shqyrtojë fillimisht mundësitë për krijimin e bazave të punës. El Arabi: "Grupi përgatitor do të sqarojë me udhëheqjen siriane se si mund ta kryejnë punën me përgjegjësi vëzhguesit. Ata duhet të lëvizin të lirë, të takojnë pa u penguar njerëzit, të vizitojnë burgjet dhe spitalet. Ata do të kontrollojnë nëse Siria i respekton detyrimet e saj ndërkombëtare, të cilat ky vend i ka nënshkruar me planin e Ligës."
Dialogu aktualisht i pamundur
Regjimi i Asadit e shtyu për javë të tëra planin e paqes të Ligës Arabe. Vetëm kur Liga kërcnëoi me dorëzimin e këtij rasti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Siria u dorëzua. Rol këtu luajti edhe presioni i Moskës. Megjithatë Damasku ia doli të minutën e fundit të dobësonte misionin e vëzhguesve. Kështu vëzhguesit nuk do të lejohen të shkelin "bazat ushtarake sensitive" për Sirinë - një përcaktim ky i interpretueshëm.
Megjithatë suksesi i misionit është i diskutueshëm. Këshilli Kombëtar Sirian, krahu politik i oopzitës e refuzon këtë plan, sepse sipas tij ai nuk do të ulet me "vrasësit në një tavolinë". Por këtë e kërkon paketa e masave të Ligës Arabe, dialogun mes regjimit dhe opozitës. Për shkak të dhunës në rritje këto ditë, nuk ka gjasa për një dialog të tillë. Këtë e bëri të qartë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të opozitës, Bourhan Galioun. "Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon duhet të intervenojë menjëherë dhe ta ndalojë këtë krim. Këto janë krime kundër njerëzimit. Pas saj që ka ndodhur dhe po ndodh, iniciativa e Ligës Arabe është një mision pa vlerë. Bashkësia ndërkombëtare mban përgjegjësi dhe duhet të bëjë gjithçka që t'i heqë mjetet këtij regjimi brutal dhe mizor."
Autor: Ulrich Leidholdt/Lindita Arapi
Redaktoi: Elert Ajazaj