1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëPoloni

"Mision vetëvrasës" për kryeministrin polak Moraviecki

8 Nëntor 2023

Humbësit të zgjedhjeve konservatore kombëtare Mateus Moraviecki iu dha mandati për të formuar qeverinë. Por ky mision duket i pamundur.

Duda dhe Moraviecki
Duda dhe MoravieckiFotografi: JANEK SKARZYNSKI/AFP

Presidenti polak Andzhej Duda pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. Ai e ka shijuar dukshëm në një fjalim televiziv rolin e tij mbrëmjen e së hënës, kur çuditërisht shpalli emrin e politikanit që do të përpiqet të formojë qeverinë e ardhshme. Vendimi nuk pritej deri të dielën e ardhshme, kur parlamenti i ri mblidhet për herë të parë.

"Pas analizave dhe konsultimeve, vendosa t'ia jap mandatin për formimin e qeverisë kryeministrit Mateush Moraviecki”, tha Duda. Ai e shpjegoi vendimin e tij me "traditën e mirë parlamentare” se partia më e fortë ka gjithmonë shansin të formojë qeverinë e para.

Ish-bankieri Moraviecki, 55 vjeç, i cili drejton qeverinë e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) që nga viti 2017, falënderoi Dudën për besimin dhe më pas shkroi në platformën Iks: "U bëj thirrje për bashkëpunim të gjithë deputetëve që e vendosin Poloninë të parën”.

Rezultatet e zgjedhjeve të qarta, problemet me matematikën

Dudai jep mandatin MoravieckitFotografi: DAMIAN BURZYKOWSKI/newspix/IMAGO

"Duda e dënoi Moravieckin me një mision vetëvrasës,"shkruan në editorialin e tij Boguslav Hrabota, kryeredaktor i së përditshmes konservatore "Zheçpospolita". Ish-kryeministri socialdemokrat Marek Belka komentoi: "Për matematikën – nota një. Ndërsa nota zero me një pikëçuditëse për përgjegjësi. A nuk ju vjen turp, zoti president?" Një njeri i besuar i liderit të opozitës Donald Tusk tha se kjo që bëri presidenti është një "kabare politike".

Zgjedhjet parlamentare në Polonimë 15 tetor në fakt sollën një rezultat të qartë: opozita demokratike rreth liberal-konservatorit Donald Tusk, e cila përbëhet nga tre blloqe partiake (Koalicioni Civil KO, Hera e Tretë TD dhe E majta e Re), ka më shumë se 248 mandate në parlamenti i ri. Shumica absolute është 231 vota.

Tusk: Qeveria para Krishtlindjeve

Partia nacional-konservatore PiS, e cila ka qeverisurPoloninë për tetë vjet, është padyshim forca më e fortë me 35,4 për qind. Por ajo fitoi vetëm 194 vende në parlament dhe nuk mund të vazhdojë të qeverisë pa një partner koalicioni. "Çdo fëmijë e di se numri 248 është më i madh se 194”, kanë përsëritur prej tre javësh politikanët nga aleanca fituese. Sipas kushtetutës, pas zgjedhjeve, presidenti nuk është i detyruar që fillimisht t'ia besojë mandatin për formimin e qeverisë partisë më të fortë parlamentare.

Tusk reagoi ndaj vendimit të Dudës me qetësi demonstrative: "Duan të na vjedhin edhe për disa ditë, ndoshta dy ose tre javë. Është turp.” Ai gjithashtu thotë se nuk e kupton pse presidenti Duda, Moraviecki dhe politikanë të tjerë të PiS-it ekspozohen ndaj një "poshtërimi të trishtë”. Tusk premtoi se, në rastin më të keq, Polonia do të ketë një qeveri të re përpara Krishtlindjeve. Marrëveshja e koalicionit duhet të finalizohet përpara seancës së parë të parlamentit të hënën e ardhshme (13 nëntor).

Duda në konsultime me opoitën e tanishmeFotografi: Radek Pietruszka/dpa/picture alliance

Partia PiS e sheh të vetmen mundësi për vazhdimin e pushtetit në ndarjen e opozitës demokratike. Prandaj, konservatorët po përballen me Partinë Fshatare PSL, e cila u shfaq së bashku me Poloninë 2050 si aleanca e Rrugës së Tretë në fushatën zgjedhore. Për çështjen e abortit, ajo është më konservatore se partnerët e tjerë. Moraviecki po shkon aq larg në përpjekjet e tij për të fituar favorin e PSL-së, sa në një intervistë ai u përgjigj pozitivisht kur u pyet nëse mund të imagjinonte të shërbente si ministër në qeverinë e udhëhequr nga kreu i PSL-së, Vladislav Kosinjak-Kamish. Por organi drejtues i PSL-së konfirmoi njëzëri të shtunën e kaluar (4 nëntor) se do të hyjë në koalicion me KO dhe të Majtën.

Miti për fitoren e vjedhur

Cili është qëllimi i taktikës së vonesës? "Duda solidarizohet me kolegët partiakë, të cilëve u duhet më shumë kohë për të fshirë dokumentat nga kompjuterët e tyre, për të djegur dokumentet dhe për të vendosur kurthe për pushtetin e ri”, shkruan Boguslav Hrabota.

Domethënë, ministritë janë ende duke marrë vendime për shpërndarjen e parave. Edhe në mediat shtetërore të kontrolluara nga PiS, të cilat vitet e fundit kanë funksionuar praktikisht si zëdhënëse partiake, punonjësit po marrin kontrata të reja pune me qëllim që të vështirësojnë shkarkimin e tyre.

Tusk është fituesi më i madh i zgjedhjeveFotografi: Attila Husejnow/SOPA/IMAGO

Sipas disa vëzhguesve, përpjekja për të formuar një qeveri të re të PiS shërben për të "krijuar mitin e një fitoreje të vjedhur", shkruan Agnieshka Dlugosh për "Njuzvik". Ky mit duhet të ndihmojë PiS dhe presidentin e tij Jaroslav Kaçinski për të rimarrë pushtetin. Sociologia Helena Hmjelevska-Shlaifer tha në një intervistë për gazetën liberale "Gazeta Viborça": "Duda e vendosi karrierën e tij personale mbi interesat e vendit. Ai iu nënshtrua partisë (PiS).

Kaçinski i shqetësuar për partinë e tij

Por qeverisë aktuale nuk i ka mbetur shumë kohë. Nëse Moraviecki nuk ia del, shumica në parlament do të propozojë kandidatin e tyre Tuskut më së voni deri në fillim të dhjetorit. Duda siguroi në televizion se në atë rast do të emëronte "menjëherë” një kandidat.

Po çfarë po bën humbësi i madh i zgjedhjeve Jaroslav Kaçinski? Që nga nata e zgjedhjeve ai nuk është shfaqur askund. Kreu i partisë ka munguar edhe në mbledhjen e deputetëve të sapozgjedhur të PiS të hënën në selinë e partisë në Varshavë. Duke pasur parasysh kritikat e lidershipit të partisë për zgjedhjet e humbura, ai po punon qartë në prapaskenë për të siguruar unitetin e PiS. Sepse testi i radhës është në prill – kur mbahen zgjedhjet lokale. Për momentin, 74-vjeçari nuk dëshiron të tërhiqet, ndonëse disa anëtarë të partisë së tij do të donin ta largonin.

Jacek Lepiarz Gazetar i redaksisë polake të DW, me fokus të veçantë në çështjet polako-gjermane