Misioni faktmbledhës në Kosovë
27 Prill 2007
Njëra ndër çështjet që më së shumti po ju intereson ambasadorëve të KS-it, në takimet që po zhvillojnë me udhëheqësit politikë kosovarë është çështja e të drejtave të pakicave në Kosovë dhe se sa janë të gatshme institucionet e Kosovës të garantojnë të drejtat e tyre.
Këtë deklaroi presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, udhëheqës i grupit negociator pas takimit që udhëheqësit politikë kosovarë zhvilluan me 15 ambasadorët e KS-it. Delegacioni nuk do të bëjë asnjë deklaratë deri në përfundim të vizitës në Kosovë.
Synimi është krijimi i imazhi të qartë për zhvillimet në Kosovë duke vizituar vendbanime shqiptare dhe serbe. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, takimin me ambasadorët e KS-it e cilësoi shumë të frytshëm dhe u shpreh i bindur se pala kosovare ka arritur të bindë komunitetin ndërkombëtar se Kosova është e aftë të funksionojë si shtet.
Fatmir Sejdiu tha: "Mendojmë se ka ardhur koha që vërtet pas kësaj vizite të rëndësishme të rrumbullakësohet apo të përfundohet procesi. Kishte pyetje të rëndësishme që u shtruan që kanë të bëjnë pikërisht me pjesën e garancive tona që do t'i japim edhe ecjen e mëtejshme, zbatimin e tyre për pozicionin e komuniteteve pakicë. Ne e kemi thënë edhe në takimet e Vjenës dhe e themi edhe këtu se Kosova është e përkushtuar dhe e padilemë që do të ndërtojë një shtet demokratik dhe modern të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim në proporcionet e numrave, në është komunitet pakicë apo shumicë. Në këtë rast be një barrë e veçantë mbi shumicën e përgjegjshme, pra shumicën shqiptzare që të ketë një rol inkurajues të vazhdueshëm në integrimin sa më aktiv të të gjitha komuniteteve pakicë."
Në tavolinen e bisedimeve pala kosovare ka argumentuar se pse Kosova duhet të jetë e pavarur. Veton Surroi është anëtar i grupit negociator: "Kemi sqaruar dy dimensione thelbësore, i pari është kohor, se kemi ardhur në një situatë mbas luftës, gjenocidit, mbas vuajtjes së një populli, por edhe në bazë të një pune të përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare të përcaktimi të statusit. Çështja e dytë se nuk ekzistojnë disa variante për zgjidhjen e statusit të Kosovës... por një opcion që e kemi mbi tavolinë, i cili nuk është improvizues, i cili përmbyll sovranitetin e Kosovës dhe i lejon Kosovës në rrugën e re të ardhshme të integrimeve evropiane që është hapësira reale gjeografike e Kosovës."
Udhëheqësit politikë kosovarë, janë të bindur se pas vizitës së ambasadorëve të KS-it, në Kosovë nuk do të ketë më debat të gjatë për të ardhmen e Kosovës por, sipas tyre muaji maj do të shënojë fundin e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ambasadorët e KS-it, zhvilluan një takim edhe me qeverinë e Kosovës. Ekzekutivi kosovar thuhet se i ka dorëzuar delegacionit një dokument të kompletuar për përmbushjen e stadardeve në Kosovë, i cili sqaron në detaje të arriturat dhe ngecjet në këtë proces. Ambasadorët e KS-it, gjatë pasditës do të nisin rrugëtimin nëpër rajone të ndryshme të Kosovës, fillimisht në Mitrovicë në një fshat të banuar më shumicë serbe për të vazhduar gjatë ditës së nesërme edhe në fshatra tjera shqiptare dhe serbe.