Misioni i UNMIK-ut në Kosovë dhe misioni i ri BE-së EULEX arritën një marrëveshje teknike
18 Gusht 2008Administrata e Kombeve të Bashkuara, UNMIK dhe misioni i BE-së për polici dhe drejtësi, EULEX, nënshkruan një marrëveshje, si thuhet teknike, me të cilën UNMIK-u, fillon bartjen e aseteve tek misioni EULEX, mirëpo, nuk bëhet fjalë për ndonjë marreveshje politike. Me herët vetë zyrtarët e lartë të UNMIK-ut, thanë se marrëveshja do të jetë një "memorandum mirëkuptimi", ku do të definohen kompetencat ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it, mirëpo, tash nuk pohohet kjo gjë.
Një nga zëdhënësit e UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, thotë se bëhet fjalë për një marrëveshje të karakterit teknik e cila nuk ka të bëjë me marrëveshje politike, pasi që sipas tij, ky aranzhim ka të bëjë vetëm me ndihmën logjistike për misionin e ri të BE-së, që do të vendoset në Kosovë. Qeveria e Kosovës nga ana e saj, e vlerëson nismën e UNMIK-ut që të mbështesë në mënyrë logjistike misionin e ri të BE-së, EULEX, ndërsa, pret që UNMIK-u shumë shpejtë të bartë edhe përgjegjësitë ekzekutive tek institucionet e Kosovës.
"Të gjithë jemi pajtuar me procesin e rikonfigurimit të UNMIK-ut. Ne do të kemi bashkëpunim edhe me misonin e ri të BE-së, EULEX. Roli i UNMIK-ut ka qenë për tu vlerësuar në tetë vitet e shkuara dhe është për t'u vlerësuar edhe roli i OKB-së, në mbështetje të Republikës së Kosovës. Çdo transformim apo rikonfigurim i UNMIK-ut që do të ndodhë në ditët e ardhshme, do të thotë fuqizim i institucioneve të Republikës së Kosovës", thotë kryeministri Thaçi.
Fillimi i rikonfigurimit të UNMIK-ut
Arritja e marrëveshjes teknike ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it për bartjen e aseteve tek misioni i BE-së për polici dhe drejtësi, shënon fillimin e rikonfigurimit të UNMIK-ut. Procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut është pjesë e planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, proces që duhet të përfundojë më së largu deri në vjeshtë, të këtij viti. Misioni për polici dhe drejtësi i BE-së, pritet të shtrihet në tërë teritorin e Kosovës dhe do të ketë mbi dy mijë pjestarë. UNMIK-u, megjithatë do të mbetet në Kosovë, mirëpo me një staf shumë të reduktuar.