Mitrovica sërish temë diskutimi në Kosovë
22 Mars 2006
Ky grup konsideron se çështja e Mitrovicës do të jetë shumë e vështirë të zgjidhet dhe se serbët e Kosovës përmes qytetit të ndarë do të mundohen të shantazhojnë zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Mirëpo, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili është udhëheqës i Grupi Negociator, thotë se, decentralizimi nuk do të krijojë mundësi që ndonjë komune apo rajon i Kosovës të ketë specifika të veçanta.
Çështja e Mitrovicës dhe problemi i ndarjes së saj, do të jetë në axhendën e bisedimeve ndëmjet palës kosovare dhe asaj serbe të Beogradit në takimin e radhës që do të mbahet në muajin Prill. Për këtë çështje grupi politik strategjik i krijuar që të përgatisë dokumente dhe të ndihmojë Grupin Negociator në bisedimet për statusin, ka propozuar formimin e një nëngrupi, që do të merrej vetëm me zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës.
Njëri nga anëtarët e grupit politik strategjik, Jakup Krasniqi, thotë se, çështja e problemit të veriut të Mitrovicës duhet të trajtohet si problem i veçantë. Grupi politik strategjik sipas zotit Krasniqi, mendon se grupin për çështjen e Mitrovicës duhet ta udhëheqë ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ky i fundit konsideron se çështja e Mitrovicës do të jetë shumë vështirë të zgjidhet dhe se serbët e Kosovës përmes qytetit të ndarë do të mundohen të shantazhojnë zgjidhjen e statusit final të Kosovës.
Mirëpo, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili udhëheq Grupin Negociator të Kosovës, thotë se në këtë mekanizëm të lartë politik, akoma nuk është bërë propozimi i grupit politik strategjik për krijimin e një nëngrupi që do të merrej vetëm me çështjen e Mitrovicës. Ndërsa, ai reagon shumë ashpër sa i përket spekulimeve për ndarjen e pjesës veriore të Mitrovicës me specifika të veçanta.
Këtë deklaratë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e bëri pas një takimi që Grupi Negociator i Kosovës, zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petesen, ku analizuan bisedimet e deritashme shqiptaro- serbe. Edhe Jesen Petersen, ndanë të njejtin mendim me presidentin Sejdiu sa i përket cështjes së Mitrovicës.
Petersen thotë se, decentralizimi nuk do të krijojë mundësi që ndonjë komunë apo rajon i Kosovës të ketë specifika të veçanta. Megjithatë, ai thotë se, statusi i Kosovës do të ketë parasysh edhe shqetësimet e serbëve dhe se liderët shqiptarë të Kosovës sipas tij janë të vetëdijshëm për këtë çështje.