Mjekët gjermanë ankohen për dhunën e pacientëve
15 Gusht 2024Mjekët që punojnë në ordinanca private raportojnë për rritjen gjithnjë e më të madhe të dhunës në zyrat e tyre. "Sjellja agresive, kërcënimet verbale, madje edhe sulmet fizike po bëhen një problem në rritje në zyrat e mjekëve”, tha për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung, presidenti i Shoqatës Federale të Mjekëve Gjermanëqë punon me kompanitë e sigurimeve, Andreas Gassen. Sipas tij, rastet e dhunës po ndodhin gjithnjë e më shpesh, jo vetëm në shërbimet e urgjencës, por edhe te mjekët privatë”.
Agresioni i hapur dhe sjellja shumë kërkuese janë rritur ndjeshëm. "Bëhet fjalë për dhunë verbale dhe fizike. Unë kam pasur një pacient që më ka thyer derën e zyrës”, tha Gassen, i cili punon në një ordinancë në Dyseldorf.
Infermieret në shënjestër
Kjo lloj sjelljeje nuk është rregull, sepse problemet vijnë nga "një grup i vogël, por fatkeqësisht në rritje", thotë Gassen duke shtuar se infermierët dhe mjekët janë viktimat më të shpeshta të dhunës dhe agresionit nga pacientët.
"Fenomeni që pacientët nuk dinë të sillen dhe kanë një vlerësim të shtrembëruar të urgjencës së gjendjes së tyre nuk ka lidhje me originën e tyre. Përveç kësaj, ndodh gjithnjë e më shpesh që dikush është i sëmurë dhe gjashtë persona vijnë me të në zyrën e mjekut ose në urgjencë dhe krijojnë rrëmujë. Kjo është e habitshme dhe jashtëzakonisht e pakëndshme”, thekson mjeku gjerman.
Ai kërkon dënime të qarta dhe të shpejta për raste të dhunës: "Përndryshe, mesazhi nuk do të arrijë tek disa njerëz”.
Po kërkohet një dënim më i ashpër
Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë Marco Buschmann (Partia liberale, FDP) synon, ndër të tjera, të mbrojë më mirë shërbimet e urgjencës nga agresioni dhe dhuna, duke shtrënguar ligjin penal. Gassen kërkoi që ligji, i cili është ende në hartim, të shtrihet edhe në ordinancat e mjekëve privatë. "Shtrëngimi i ligjit penal në këtë drejtim është pritur shumë gjatë. Punonjësit në ordinanca dhe në operacione nuk duhet të durojnë të gjitha këto gjëra”, thekson ai.
Kreu i Shoqatës së Mjekëve u ankua se politika ende nuk e ka publikuar mjaftueshëm këtë problem. "Është po aq e papranueshme kur hidhen shishe ndaj zjarrfikësve, si dhe kur personeli i spitalit apo i ordinancave private kërcënohet dhe sulmohet fizikisht, sepse ndonjë idiot mendon se ftohja e tij duhet të trajtohet menjëherë dhe se ai nuk është trajtuar aq mirë sa duhet", paralajmëron kryetari i Shoqatës së Mjekëve Gjermanë.