1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Modeli gjerman sindikalist tek VW në Tennessee

Antje Passenheim/Eliana Xhani12 Shkurt 2014

Volkswagen do të ngrejë një këshill punëtorësh në fabrikën Chattagoona në jug të SHBA. Përplasja e kulturës sindikaliste evropiane e traditës sipërmarrëse në SHBA, mund të shënojë kthesë në kulturën menaxheriale të SHBA.

USA VW Werkseröffnung Chattanooga
Fotografi: picture alliance/dpa

Ajo ecën e ecën, makineria e luftës përreth fabrikës së Volkswagen-it në shtetin federal Tennessee në SHBA. Para portave pret për të hyrë sindikata amerikane e automobilëve United Auto Workers (UAW). Por beteja e vërtetë zhvillohet pas portave. Jo si zakonisht mes punëmarrësve dhe punëdhënësve, këtë herë në gjirin e punëtorëve: ata mund të vendosin, nëse duan të përfaqësohen në të ardhmen nga një sindikatë. Dhe kjo në një terren, ku përfaqësuesit e punëmarrësve zakonisht nuk kanë të drejtë të hyjnë. Pasi në shtetet jugore të SHBA-së deri tani vlen praktika: sindikatat duhet të qendrojnë jashtë. Që kjo praktikë prishet pikërisht nga prodhuesi i automjeteve nga Wolfsburgu, disa e shohin si hap revolucionar. Ndërsa për pjesën më të madhe të politikanëve kjo është një halë në sy. "Është marrëzi të lejosh të vendosin punëtorët", u shpreh i indinjuar senatori i Tennessee Bob Corker në kanalin radiofonik amerikan NPR.

Ai dhe të tjerë ndiejnë rrezik për Eldoradon, që prezanton deri tani jugu i SHBA për sipërmarrësit: Right-to-Work-States, ky është emri mashtrues i këtyre shteteve federale, që kanë tërhequr edhe firma si BMW dhe Mercedes Benz. Në ish shtetet e skllevërve më ekonomi agrare, sindikatat shihen si një mjet i djallit. Teorikisht ato janë të lejuara, por praktikisht pa fuqi.

Mjet presioni

Që një "Union" (sindikatë) të mund të hyjë në një ndërmarrje, duhet që kjo të kërkohet nga të paktën gjysma e punonjësve. Por me mjete të shumta presioni kundërshtarët e organizatave të punëtorëve kanë arritur deri tani ta shmangin këtë, thotë për Deutsche Welle, kryeekonomisti i shoqatës sindikaliste ombrellë AFL-CIO në Uashington, William Spriggs: "Në SHBA ka ligje, që mbrojnë punëtorët, kur ata duan të organizohen. Por është e vështirë t'i shfrytëzosh këto ligje", thotë Spriggs. "Kur një punëtor thotë se do të hyjë në një sindikatë, atëherë si rregull përgjigja e parë e punëdhënësit është ta pushojë, apo ta përfshijë në një proces gjyqësor."

Një numër i madh njerëzish kanë humbur në këtë mënyrë punën dhe për shkak të proceseve gjyqësore edhe paratë e tyre. Një armatë e tërë avokatësh është specializuar për të mbrojtur zonat e lira nga sindikatat dhe për të frikësuar ata, që përbëjnë kërcënim. Edhe firmat gjermane nuk bëjnë aspak figurë të mirë në raportet e organizatave për të drejtat e njeriut, të cilat konstatojnë se standardet morale braktisen prej tyre, sapo firmat vendosen përtej Atlantikut.

Fotografi: AP

Sindikatat në SHBA i janë drejtuar për ndihmë kolegëve të tyre gjermanë. Kështu sindikata e punonjësve të komunikacionit CWA themeloi një union të përbashkët me sindikatën gjermane "ver.di". Veç kësaj prej vitesh ekzistojnë lidhje të mira mes UAW dhe këshillit të punëtorëve të Volkswagenit në qendrën e koncernit në Wolfsburg të Gjermanisë. Nën trysninë e këshillit të përgjithshëm të punëtorëve, koncerni prej kohësh përpiqet për krijimin e një këshilli punëtorësh në filialin në SHBA. Ai duhet të mbikqyrë kushtet e punës të rreth 1600 punëtorëve nga gjithsej 2500 të punësuarit në fabrikën e Chattanooga, ku prodhohet modeli Passat Limousine. "SHBA janë shtet me paga të ulëta ndër vendet e industrializuara", thotë Spriggs. "Qofshin këto paga, ditë pushimi, apo kontribute të tjera, të gjitha janë nën nivelin e shteteve të tjera të industrializuara."

Një rrugë tjetër

Por American Way është ndryshe nga sa kishin përfytyruar përfaqësuesit e punëtorëve në Wolfsburg. Nuk është aspak e thjeshtë të krijosh një këshill ndërmarrjeje: nuk mund të ketë përfaqësim të punëmarrësve pa një sindikatë të njohur nga shteti, kështu përcaktohet në legjislacionin e punës në SHBA. Pra Volkswagenit iu desh t'i drejtohej UAW-së, e cila ka imazh të cënuar.

Shumë e bëjnë sindikatën bashkëpërgjegjëse për falimentimin e prodhuesve të automobilëve GM dhe Chrysler në Detroit. Akuza: marrëveshjet e shtrenjta për pagat, që kishte negociuar sindikata për anëtarët e saj, i kishte çuar drejt greminës prodhuesit e automobilëve gjatë krizës ekonomike. Edhe punëtorë të Volkswagenit në Chattanooga i kundërshtojnë përpjekjet aktuale të UAW-së dhe dyshojnë për legjitimitetin e tyre: "Ne besojmë se nuk është e ligjshme të kesh një këshill ndërmarrje sipas modelit gjerman këtu në SHBA", deklaroi Mauri Nicely, avokat i grupit të aksionit "Southern Momentum". Guvernatori republikan Bill Haslam kritikonte: "Nuk ka dyshim se një hapje për UAW kufizon mundësitë tona për të tërhequr firmat investuese në Tennessee." Kjo gjë ka frikësuar sipas tij disa investues potencialë.

Hapja e fabrikës në Chattanooga Darth Vader në SHBAFotografi: picture-alliance/dpa

Një fitore e UAW në fabrikën e parë të huaj në shtetet e jugut të SHBA, do të ishte një mbështetje e madhe për sindikatat atje, pas krizës së madhe ekonomike. Ekonomisti Spriggs shpreh dëshirën që "edhe firma të tjera gjermane, të cilat kanë këshilla të punëtorëve në Gjermani, të vendosin ta sjellin në SHBA këtë kulturë organizimi të punëtorëve."

Nëse përpjekja për një këshill punëtorësh në fabrikën e VW në Chattanooga do të ketë një fund të suksesshëm, do të shihet të premten (14.2.). Atëherë 1600 punëtorët e prodhimit do të kalojnë në fazën e vendimmarrjes. Por vëzhguesit presin që kundërshtarët të mos e pranojnë votën.