Modeli i suksesit - Bundesliga
23 Gusht 2012Sezoni i Bundesligës 2012/13, kampionati i pesëdhjetë i kategorisë së parë gjermane, mund të hyjë në historinë e futbollit si një sezon rekord. "Bundesliga është duke u kthyer në fuqinë mbizotëruese në Evropë", thotë Emmanuel Hembert i sipërmarrjes këshilluese A.T. Kearney në Dyseldorf. Arsyeja për këtë gjendet para së gjithash te lidhja e një marrëveshjeje të re televizive.
Prillin e kaluar Bundesliga ka negociuar një kontratë të re për të drejtat televizive mbi ndeshjet e saj: Për katër vitet që vijnë ajo do të marrë 2,5 miliardë euro, për sezon i bie 628 milionë euro. Pjesën e luanit e paguan stacioni televiziv me pagesë Sky. Ajo është afërsisht 50 për qind më e lartë sesa vitet e mëparshme. Edhe Stefan Ludwig e konsideron një sukses këtë marrëveshje të re për të drejtat. Megjithatë ekonomisti, drejtor i grupit të biznesit sportiv në sipërmarrjes këshilluese Deloitte, vë në dukje se kategoria e parë angleze e futbollit, Premier League, fiton shumë më tepër. Prandaj, thotë Ludwig, ajo ka për ta mbajtur vendin e parë edhe "në vitet e ardhshme."
Falë solidaritetit
Fuqia ekonomike e kampionatit matet "me të ardhurat nga tregtimi televiziv, nga sponsorizimi dhe nga shitjet e biletave të shikuesve", thotë në bisedë me Deutsche Wellen, Stefan Ludwig. Po t'i marrësh së bashku këto kritere, Bundesliga arrin vendin e dytë, e pakërcënuar, ndër të ashtuquajtat "Big Five", kampionatet e para të Anglisë, të Gjermanisë, Spanjës, Italisë dhe Francës.
Epërsinë që ka arritur ndërkohë Bundesliga ndaj kampionatit spanjoll Primera Division Ludwig nuk e sheh të rrezikuar, sepse "Spanja është i vetmi kampionat, që ka ende një tregtim të decentralizuar të të drejtave televizive." Çdo klub e tregton me përgjegjësinë e tij veten dhe ndeshjet e ekipit të vet. Kjo bën që dy klubet e mëdha spanjolle, Real Madrid dhe FC Barcelona, të fitojnë pjesën kryesore në këtë biznes, dhe që ekipet e tjera të kategorisë së parë të jenë shumë mbrapa sa i takon të ardhurave nga licencat.
"Në Bundesligë është ndryshe. Atje ka një ndarje relativisht të mirë midis tetëmbëdhjetë ekipeve të kategorisë së parë për shkak të parimit të solidaritetit", thotë Ludwig. Bundesliga i administron në mënyrë qendrore të drejtat televizive dhe i shpërndan të ardhurat midis skuadrave profesioniste.
Të bësh ekonomi me mend
Një karakteristikë unike të Bundesligës brendapërbrenda pesëshës evropiane të të mëdhenjve, Stefan Ludwig e ka identifikuar te serioziteti, me të cilin drejtohen ekonomikisht klubet. Në Gjermani klubet duhet t'i nënshtrohen një procedure licensimi: Kur një klub nuk është në gjendje të paraqesë një plan ekonomik të qëndrueshëm, ai nuk merr licensë.
Autor: Dirk Kaufmann/ Elert Ajazaj
Redaktoi: Auron Dodi