Moisiu: Kosova meriton pavarësinë
13 Janar 2006
Presidenti Alfred Moisiu ka shfrytëzuar mbrëmë një pritje me përfaqësues të trupit dilplomatik dhe institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri për të transmetuar qëndrimin e tij në lidhje me çështjen e Kosovës.
“Për Shqipërinë, rajonin dhe më gjerë, viti 2006 do të jetë mjaft i rëndësishëm në trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të Statusit të Kosovës”, tha presidenti duke shtuar se “në mbështesim tezën se Kosova nuk do të ketë kthim prapa, ndarje të saj dhe nuk ka bashkim me shtet tjetër. Kjo do të thotë se Kosova e meriton pavarësinë, si një zgjidhje e plotë dhe e qëndrueshme që përputhet me vullnetin e qytetarëve të saj, duke prodhuar paqe dhe stabilitet edhe për rajonin dh ehapur një perspektivë të qartë euroatlantike”.
Presidenti i Republikës në takimin e parë zyrtar për vitin 2006 me diplomatë dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare të akredituar në Shqipëri, i ka falenderuar ata, si tha ai, për “ndihmën e vazhdueshme që shtetet mike dhe institucionet ndërkombëtare partnere kanë dhënë për forcimin real dhe pavarësinë e profesionalizmin e institucioneve kushtetuese dhe të pavarura në vend.”
Për Presidentin pas zgjedhjeve të 3 korrikut këto institucione kanë mbajtur një qëndrim korrekt, “duke kaluar provën e paanësise dhe veprimit ligjor”. Duke reflektuar ndaj gabimeve të së kaluarës, në përputhje me kushtetuten, ligjet dhe vullnetin e qytetarëve, del mëse e nevojshme rritja e ritmit të reformave, dhënia e një dimensioni të ri të bashkëpunimit dhe dialogut mazhorancë –opozitë në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve kryesore, bashkëveprimi dhe koordinimi më mirë mes institucioneve dhe pushteteve, rritja e transparencës publike, çlirimi i akteve dhe veprimeve teknike e ligjore nga ngarkesat politike, si dhe zhvendosja e debatit politik të ditës në debat ekonomik për gjetjen e alternativave dhe rrugëve më të mira për zhvillimin e vendit”.
Presidenti ka vënë theks të veçantë në çështjet zgjedhore, që sipas tij po marrin energji që të mos ndodhë që edhe 2007 të nisë po me të njëjtën temë. Ai shpresoi që në muajt e parë të këtij viti partitë politike dhe parlamenti “të realizojnë një reformë të thellë, të plote dhe afatgjatë, mbi bazën e së cilës të mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ato parlamentare.