1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministër me dëftesë të falsifikuar?

Vitalie Calugareanu / Robert Schwartz16 Maj 2015

Kundër kryeministrit të ri moldav, Chiril Gaburici po zhvillohet një procedurë hetimore për shkak të falsifikimit të dokumenteve. Besohet se ai ka falsifikuar dëftesën e përfundimit të shkollës së mesme.

Chiril Gaburici
Chiril GaburiciFotografi: picture alliance/dpa/D. Doru


Ka disa javë që shumë nëpunës civilë moldavas dhe madje disa ministra po publikojnë vullnetarisht në rrjetet sociale dokumentat e përfundimit të studimeve. Këtë punë ata e nisën kur u përhapën thashetheme se dokumenti i përfundimit të shkollës i kryeministrit të ri Chiril Gaburici është falsifikuar.
Tani Gaburici është përballur publikisht me këtë dyshim. Në një intervistë televizive ai tha se në Akademinë Ekonomike (ASEM) të Moldavisë ai kishte arritur të hynte mbi bazën e dokumentit të përfundimit të shkollës së fshatit të tij. Por shtypi moldav publikoi një biografi të Gaburicit, prej së cilës del se ai Gaburici kishte përfunduar vetëm nëntë klasë në këtë shkollë. Me fjalë të tjera: ai nuk duhet të qe lejuar fare të regjistrohej në ASEM. Tani, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Prokuroria po hetojnë për "rastin Gaburici". Prokurori i Përgjithshëm ka publikuar se kryeministri ka paraqitur një dëftesë të një gjimnazi në Kishinau, ku ai nuk ka qenë fare.

Hutim për dëftesat

Drejtori i gjimnazit në fjalë, por edhe nxënës të atij viti, në të cilin Gaburici thotë se ka mbaruar shkollën, thonë se nuk e mbajnë mend Gaburicin. Drejtori shton se "mund t'ju siguroj se dëftesa e paraqitur nuk është lëshuar nga kjo shkollë. Për çdo dokument duhet të ketë shënim në regjistrin e shkollës. Dhe ky shënim nuk ekziston."

Pas këtyre zbulimeve, Gaburici doli me një deklaratë të re para publikut: gjatë kohës së shkollës, ai kaloi nga kolegji për mikroelektronikë në Akademinë Ekonomike. Ministrja e Arsimit, Maia Sandu tha se Gaburicit i mungon matura. Në kolegjin e përmendur ai vërtet kaloi dy provime, por në dy të fundit nuk u shfaq fare.

Kryeministri i dëmtuar

Që prej shpjegimeve të Ministres së Arsimit, Ministria e Brendshme zhvillon hetime në lidhje me falsifikim të dokumenteve në rastin Gaburici - edhe sepse Ministria e Arsimit ka konstatuar pasaktësi në pranimin e të dyshuarit në një shkollë tjetër të lartë në Kishinau (Universiteti Slavonik). Ndërkohë hetime zhvillon edhe Prokuroria e Përgjithshme.

Pamje nga KishinauFotografi: Dan Guțu

Pas një ç'regjistrimi nga Universiteti privat Slavonik sepse nuk i kishte paguar në kohë paratë për studimin, ai mundi t'i vazhdonte në vitin 2004 studimet atje dhe t'i përfundonte ato. Ministri i Brendshëm Oleg Batan bëri të qartë: hetime nuk zhvillohen kundër një personi të caktuar, por për mënyrën si janë nxjerrë këto dëftesa.

Nga pikëpamja juridike, Chiril Gaburici mund të mbetet i paprekur. Falsifikimi i mundshëm i dokumenteve është parashkruar. Ajo që mbetet është një kryeministër moralisht dhe politikisht i dëmtuar, karrigia jostabile e të cilit tani fillon të tundet edhe më fort. Gaburici drejton një qeveri minoriteti proevropiane, e cila varet nga durimi i saj prej komunistëve prorusë. Kryeministri i dobësuar në Kishinau është një faktor destabilizimi për Republikën e Moldavisë.