Moldavia me president prorus
14 Nëntor 2016Pas numërimit të thuajse të gjitha votave Igor Dodon i Partisë Socialiste ka fituar 55.3 për qind të tyre, ish-ministrja Maia Sandu 44.7 për qind. Dodon tha se shpreson që zhgënjimi i zgjedhësve që preferonin kandidaten tjetër nuk do të shndërrohet në protesta. "Moldavia ka nevojë për stabilitet," tha 41-vjeçari.
Qytetarët e Moldavisë mund të votojnë për herë të parë nga viti 1997 direkt për presidentin e shtetit. Deri atëhere kjo e drejtë qe e rezervuar për parlamentin.
Drejt BE-së apo Rusisë?
Zgjedhjet konsiderohen si një vendim i rëndësishëm në lidhje me drejtimin e vendit. Ngjashëm si në Ukrainën fqinje, ish-republika sovjetike e Moldavisë është e ndarë në mes të përkrahësve të lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian dhe ndjekësve të një kthimi drejt Rusisë. Që nga korriku i vitit 2014 Moldavia ka nënshkruar një marrëveshje asocimi me BE-në. Moska vendosi pas kësaj masa ndëshkuese që lidhen me sektorin e bujqësisë të këtij vendi.
Ish-ministri i Ekonomisë Dodon e ka kritikuar gjatë fushatës zgjedhore në mënyrë të përsëritur përkushtimin e vendit të tij drejt BE-së dhe ka bërë thirrje për një partneritet strategjik me Rusinë. Afrimi aktual me Evropën nuk i ka sjellë asgjë vendit, argumenton ai. Dodon po ashtu tha se në rast se fiton do të organizojë një referendum për anulimin e marrëveshjes me BE-në. Në vend të kësaj Moldavia duhet të bashkohet me Bashkimin Doganor që udhëhiqet nga Rusia. Sandu e opozitës së qendrës së djathtë është pro integrimit evropian. Ajo ka qenë më parë punonjëse e Bankës Botërore.
Moldavia vendi më i varfës i Evropës
Dodoni ka premtuar edhe një qëndrim të ashpër ndaj korrupsionit. Fushata ime drejtohet "kundër oligarkëve, kundër atyre që kanë grabitur vendin tonë dhe duan ta shkatërrojnë atë", tha ai në momentin kur hodhi votën. Moldavia është vendi më i varfër në Evropë. Paga mesatare mujore është sipas të dhënave të Bankës Botërore vetëm 240 dollarë (220 euro); 41 për qind e popullsisë kanë më pak se pesë dollarë në ditë. Vendi gjendet prej një kohe të gjatë në krizë politike dhe tronditet në mënyrë të përsëritur nga skandale korrupsioni.