1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moldavia në shkallë të lartë gatishmërie

Vitalie Călugăreanu/ Esat Ahmeti7 Maj 2014

Për shkak të eskalimit në Ukrainë dhe nga frika e provokimeve të mundshme, Moldavia ka rrituar shkallën e gatishmërisë të forcave të sigurisë në kufirin moldavo-ukrainas.

Qendra Chisinau në MoldaviFotografi: DW /Y. Semenowa

Kur në fund të prillit hyri në fuqi qarkullimi i lirë pa viza për në BE për qytetarët modavë, moldavët pro-evropianë e ndjenë veten më të lehtësuar. Shumë folën për një ngjarje historike dhe një shenjë të qartë të Perëndimit, i cili duket se i kishte marrë seriozisht përpjekjet e vendit për integrim evropian. Por gëzimi ishte jetëshkurtër sepse rreziku nga lufta civile në Ukrainë ishte afruar shumë në kufijtë shtetërorë të Republikës së Moldavisë.

Trazirat në Odessa, portit ukrainas në Detin e Zi, vetëm 120 km larg nga kryeqyteti moldav Çisinau dhe 60 km larg kalimit më të afërt kufitar moldavo-ukrainas, janë pritur nga qeveria me orientim pro-perëndimor në kryeqytetit moldav me shqetësim të madh.

Presidenti Nikolae Timofti u takua të hënën (5.05.2014) në një mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarin e parlamentit Igor Corman, kryeministrin Iurie Leanca dhe përfaqësuesit kryesorë të ushtrisë dhe fushës së sigurisë, në mënyrë që ushtria në rajonin kufitar të vihet në gatishmëri. Ambasadori rus u ftua të martën për bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Moldavisë.

Republika e Moldavisë dhe rajoni i TransnistrisëFotografi: dapd

Propaganda ruse

Shkak për rritjen e shkallës së gatishmërisë nuk janë vetëm zhvillimet e fundit në Ukrainë por edhe provokimet e parashikuara më 9 Maj në Republikën e Moldavisë. Një pjesë e shoqërisë moldave dëshiron të festojë këtë të premte Ditën e Evropës, ndërsa pjesa tjetër Ditën e Fitores mbi fashizmin. "Mund të ketë trazira të rënda", vlerëson ish-ambasadori moldav në Moskë, Anatol Ţăranu.

Komunistët pro-rusë në opozitë dhe socialistët kanë njoftuar se më 9 maj do të marshojnë në sheshin kryesor të kryqytetit për të shënuar Ditën e Fitores mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ky është sheshi ku tradicionalisht partitë proevropiane festojnë Ditën e Evropës. "Ne duhet t'iu sqarojmë qytetarëve tanë që ata janë bërë viktima të propagandës ruse", thotë Ţăranu.

Ka ditë që opinioni publik moldav bombardohet me propagandë, me të cilën me sa duket synohet ndarja e mëtejshme e shoqërisë. Në kanalet televizive pro-ruse flasin analistë rusë, oficerë në pension të KGB-së dhe madje edhe përfaqësuesit e republikës separatiste të Transnistrisë, të cilët janë në listën e zezë të BE-së. Ata flasin hapur për një luftë të afërt në Republikën e Moldavisë, në qoftë se vendi do të kundërshtonte federalizimin.

Nga vizita e ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier në Moldavi (23.04.2014)Fotografi: picture-alliance/dpa

Sinjalizim i qetësisë

Përmes rritjes së shkallës së gatishmërisë të forcave të sigurisë, udhëheqja pro-evropiane e Republikës së Moldavisë dëshiron të tregojë se ajo është në gjendje për t'iu përgjigjur provokimeve të mundshme brenda vendit. Këtu bën pjesë sigurisht edhe ftesa që i është bërë ambasadorit rus Farid Muhametschin për bisedime në ministrinë e Jashtme. Ai duhet të sqarojë sfondin e vizitës që zëvendëskryeministri rus Dmitri Rogozin ka paralajmëruar për 9 maj në kryeqytetin e Transnistrisë, Tiraspol.

Rogozin, ish-ambasador i Rusisë në NATO dhe bashkëpuntor besnik i presidentit rus Vladimir Putin ka njoftuar për vizitën e tij në rrjetet sociale. Ai dëshiron të përgëzoj ata njerëz për të cilët 9 Maji është i shenjtë si një ditë e fitores dhe tek të cilët Dita e Evropës shkakton vetëm konfuzion, ka shkruajtur Rogozin.

Rogozin ka pranuar në një nga librat e tij se në vitin 1992 ka luftuar në rajonin e shkëputur të Transnistrisë kundër Armatës së Republikës së Moldavisë. Republika separatiste e Transnistrisë e cila nuk është e njohur ndërkombëtarisht nga asnjë shtet, me të drejtën ndërkombëtare është ende pjesë e Moldavisë, por mbështetet hapur nga Moska. Në këtë rajon ndodhen ende të stacionuar rreth 2000 trupa ruse. Pas shpërthimit të krizës në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë nga Moska, Transnistria ka aplikuar për anëtarësim në Federatën Ruse.