1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moment reflektimi: 40 vjetori i krijimit të shoqatës së miqësisë Shqipëri-Gjermani

21 Nëntor 2011

„Shqipëria në tranzicion-nga socializmi në rrugën për në BE“ ishte tema e konferencës së zhvilluar në Berlin me rastin e 40 vjetorit të Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri së bashku me Qendrën e Evropës Lindore.

Bodo Gudjons, kryetari i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Gjermani
Bodo Gudjons, kryetari i shoqatës së miqësisë Shqipëri-GjermaniFotografi: DW

Paksa e çuditshme, por 40 vjet më parë, në vitin 1971 me iniciativën e disa të rinjve u formua në Mynih të Gjermanisë Shoqata e Miqësisë Gjermani-Shqipëri (DAFG). Qëllimi i kësaj shoqate ishtë që përmes aktiviteteve të kontribuonte në marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjitha nivelet, veçanërisht në njohjen e kulturave të ndërsjellta.

Në fjalën përshëndetëse ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi vuri theksin në kontributin që kjo shoqatë ka bërë në këto katër dekada duke dhënë ndihmesën e saj në ndërtimin e urave të miqësisë dhe njohjen e Shqipërisë në Gjermani. “Për 4 dekada, themeluesit e shoqatës me dëshirë e pasion kanë sjellë pranë publikut gjerman, pjesë nga historia dhe kultura shqiptare. E kanë njohur publikun gjerman me zhvillimet e ndryshme politike dhe ekonomike në Shqipëri, përpjekjet e shoqërisë shqiptare për reformimin e vendit me synim arritjen e standardeve të vendeve të tjera evropiane”.

Pamje nga aktiviteti i shoqatës në BerlinFotografi: DW

Tranzicioni moment kyç edhe për historinë e DAFG

Ndërsa kryetari i shoqatës, Bodo Gudjons, paraqiti në mënyrë ekzemplare momentet më kryesore të ngjarjeve të të dyja vendeve, Shqipëri – Gjermani në këto 40 vjet të veprimtarisë së shoqatës.

Si moment kryesor për Shqipërinë ai do të kujtojë edhe vitet e përmbysjes së diktaturës dhe tranzicionit të gjatë e të vështirë. „Mendoj se momentet më kryesore në këto 20 vitet e fundit janë momentet e tranzicionit që i kemi përjetuar nga Gjermania por edhe nga afër në Shqipëri. Ne jemi munduar t'i ndihmojmë shqiptarët me ato mundësi modeste që kishim. Në një farë mase edhe si autokritikë për propagandën që kishim bërë më përpara për sistemin e monizmit. Pastaj kemi ndjekur edhe një tjetër moment po ashtu të vështirë siç ishte viti 1997. Por nuk mund të harrojmë edhe shumë momente të mira, të lumtura siç është zhvillimi ekonomik i vendit në vitet e fundit, liberalizimi i vizave. Dhe mendoj se këto arritje mund të vlerësohen më mirë vetëm nga njerëz që e kanë vizituar dhe jetuar në Shqipërinë në vitet e mëparshme“, kujton Gudjons.

Valter Ibrahimi, ambasadori i Shqipërisë në BerlinFotografi: Shuka

Shqipëria duhet të përballet me të shkuarën

“Trajtimi i trashëgimisë koministe në Shqipëri qysh prej vitit 1991“, ishte tema e referatit të drejtorit të qendrës për Europën Lindore (Osteeuropa-Zentrum), Detlef Stein. “Ende heshtet për dëmshpërblimin e viktimave të diktaturës, për ndarjen e pronave apo për hapjen e dosjeve të së kaluarës. Pavarësisht përpjekjeve Shqipëria duhet të përshpejtojë procedurat për shpërblimin e viktmave të diktaturës, të përmirësojë kushtet nëpër burgje dhe të zbardhë në mënyrë objektive historinë e së kaluarës, në radhë të parë në tekstet mësimore, që brezi i ri të njihet me këtë periudhë të errët të Shqipërisë siç ishte diktatura“.

I ftuar në këtë konferencë ishte dhe Çlirim Balluku, i përndjekur politik, i biri i anëtarit të byrosë politike dhe ish-ministrit të Mbrojtjes në diktaturë, Beqir Ballukut, i pushkatuar nga Enver Hoxha. Ai bëri një historik të shkurtër të Shqipërisë në vitet 70' – 80'. Ndër të tjera ai u ndal edhe në luftën e klasave në atë kohë që u bë një doktrinë në zbatim që mund të godiste këdo. „Sfidat e demokracisë së brishtë shqiptare në forcimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe institucioneve të pavaruara vazhdon. 1990 ka qenë një vit i fortë prove për të gjithë ne ku pati momente ku humbëm shpresën, por ku pati momente kur kjo shpresë u ringjall. Ndoshta mosndarja me të kaluarën është një prej arsyeve që tranzicioni shqiptar ende vazhdon edhe pas 21 vjetëve të rënies së diktaturës komuniste”.

Shkrimtari Besnik Mustafaji gjatë leximitFotografi: DW

Shpërthimi i letërsisë shqipe pas diktaturës

Mjaft interes ngjalli fjala e shkrimtarit Besnik Mustafaji me temën: "Shqipëria prej vitit 1990 në paqyrimin e letersisë së re“. Përmbysja e dhjetorit 1990 sigurisht që do të sillte një çlirim të mrekullueshëm edhe për letërsinë shqipe. Shkrimtarët dhe poetët duke u ndjerë më në fund njerëz të lirë pa shtypjen torturuese dhe poshtëruese të censurës dhe autocensurës kishin kushtet politike për të shfaqur plotësisht vetveten.

Gjatë këtyre 20 vjetëve është zbuluar një fond jashtëzakonisht i pasur letrar, me prozë, poezi, përkthime, krijuar në vetmi e sa më larg syrit vigjilent të regjimit nga të burgosur, të internnuar apo dhe të tjerë që kishin pësuar ndëshkime më të lehta, por që gjithsesi ishin mbajtur larg atyre pak të drejtave që kishin gëzuar shumica e bashkohësve të tyre.

Sipas shkrimtarit Besnik Mustafaji „Letërsia e kësaj periudhe sa paraqitet si letërsi e vazhdimësisë po aq paraqitet edhe si letërsi e një rupture rrënjësore në letërsinë e shkruar gjatë katër a pesë dekadave të mëparshme. Rrënjësore është kjo rupturë, në keqkuptimin që e sotmja nuk përmban më mundësi për një kthim prapa”.

Më pas u zhvillua një diskutim i gjerë me publikun lidhur me problemet aktuale të Shqipërisë në drejtim të realizimit të reformave në rrugën drejt BE-së.

Autor: Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi