1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Momenti kur muzika nis rrëfimin

Anila Shuka26 Tetor 2014

Në ekspozitën e tij më të fundit në Haus der Kunst në Mynih Anri Sala i mundëson publikut përjetimin e tashëm të hapësirës nëpërmjet muzikës. “The Present Moment” përmban një instalim zanor me 19-kanale dhe një video.

Anri Sala
Fotografi: Jutta Benzenberg

Punimet e Anri Salës nuk kuptohen në shikim të parë. Kështu është edhe instalimi aktual “The Present Moment” (Momenti i tashëm) në Mynih. Kur hyn në ekspozitë sheh vetëm një sallë të zbrazët: ajo ka një sipërfaqe prej 800 metra katrorë, dyshemeja dhe kornizat e dyerve janë prej mermeri të kuq, tavani është gati dymbëdhjetë metra i lartë. Nuk do shumë fantazi që ta marrësh me mend se gjithë ky pompozitet ka dalë nga një epokë absolutiste. Është pikërisht Holli Qendror i ndërtesës që mbahet si projekti i parë monumental i regjimit nazist e që Adolf Hitler e ngriti enkas për artin gjerman.

Dikur dëgjohen tinguj nga pjesa e famshme e Arnold Schoenbergut, “Verklärte Nacht“(1899, op 4), (në shqip: Natë e transfiguruar), që këtu prezantohet në katër variacione: Krahas variantit origjinal të kompozuar për një sekstet harqesh në re-minor, është një partiturë me nota dhe fraza të shkurtra muzikore të shkëputura nga origjinali, dy variacione me strukturë seriale sipas teknikës 12-notëshe që kompozitori vjenez do ta formulonte shumë vite më vonë, dhe, në një partiturë të katërt, vetëm notat re, që përbëjnë bazën tonale të kësaj pjese të hershme të Schoenbergut, babait të atonalitetit. “Më interesoi që të merrja si pikënisje një kompozim tonal të tij dhe ta adresoj, ta përpunoj e ta ripërcjell në hapësirën e ekspozitës nëpërmjet procesit që ai vetë e prezantoi dhe e futi në koshiencën perëndimore, pra, të kompozimit atonal”, shpjegon Anri Sala në një intervistë për Deutsche Wellen.

Sekuenca nga punimet e Anri SalësFotografi: Anri Sala

Momenti i tashëm

Tingujt e katër partiturave, që pjesërisht luhen sinkron, pluskojnë përmes sallës gjigante në kahe të ndryshme; udhëtimi i tyre përfundon nëpër cepat e sallës, ku ato grumbullohen e përplasen duke u përsëritur pandërprerë. “Sikur ngecin në një qorrsokak”, thotë Sala. Në pjesën e dytë të performancës shfaqet një video e instaluar në fund të sallës, ku shihet seksteti i harqeve duke luajtur vetëm notat re të origjinalit. Secili prej muzikantëve luan re-në e vet te rradhes derisa ajo zëvendësohet nga re-ja pasardhëse. Interpretuesit luajnë përballë një muri, me shpinë nga publiku. Duke ruajtur intimitetin e muzikës së dhomës, theksohet kështu dominanca e hapësirës: “Është një hapësirë që mbart një histori te ngarkuar dhe tipare fizike mjaft komplekse dhe unë nuk doja të përdorja këtë hapësirë për të treguar një punë timen, por të konceptoja dhe të krijoja një punë timen për të riprezantuar këtë hapësirë.”

“The Present Moment” vizitorin e ndihmon muzika të përjetojë hapësirën në momentin e tashëm. Ky është ai fragment kohor, gjatë të cilit ende nuk ka filluar të aktivizohet kujtesa, pra, kur nuk perceptohet as e kaluara dhe as e ardhmja. Ky moment, shpjegon vetë artisti duke iu referuar studimeve më të reja neurpsikologjike, mendohet ta arrijë gjatësinë maksimale gjatë një fraze ose një gjesti muzikor.

Muzika si pre-narrativ

Anri Sala, i cili debutoi në skenën e artit ndërkombëtar bashkëkohor me një videoinstalim ku kërkonte fjalët (Intervista, 1998), vitet e fundit po shfrytëzon gjithnjë e më shumë mundësitë shprehëse të muzikës. “Muzika është një element që mund të quhet pre-narrativ. Pra, është një mjet, i cili krijon komunikim, përbashkon në mënyrë implicite, pa detyruar apo imponuar dhe mua më intereson pikërisht ky aspekt implicit dhe jo eksplicit i muzikës, që mundëson krijimin e një reflektimi, hap një hapësirë komunikimi, pa përdorur mjetet e komunikimit të përgjithshëm, siç është gjuha”, shpjegon ai.

Sekuenca nga punimet e Anri SalësFotografi: Anri Sala

Anri Sala vazhdon në këtë punim studimin e ndërveprimit mes zërit dhe hapësirës që e tematizon edhe në punimin e tij “Ravel Ravel Unravel” (2013) me të cilin përfaqësoi Francën në Bienalen e 55-të të Venecias. Aty ai përdori një vepër që kompozitori i njohur francez Maurice Ravel e pat kompozuar për Paul Wittgenstein, vëllain e filozofit te njohur Ludwig Wittgenstein, që kishte humbur dorën e djathtë në Luftën e Parë Botërore. “Ravel Ravel Unravel” është bazuar në një kompozim që ndërkohë është dokument i një kohe të caktuar dhe ai e merr atë dhe e shëtit drejt të ardhmes së vet. Duke e shëtitur drejt së ardhmes së vet, ky element, dokument i asaj kohe, takon forma të reja që i solli vetëm krijimtaria dhe historia e njerëzimit. Në rastin e Ravelit ishin forma muzikore të viteve 60-të, në rastin e këtij projekti bëhet fjalë jo vetëm për forma muzikore, si serializmi dhe kompozimi atonal, por edhe për forma prodhimi, si fordizmi, tejlorizmi, prodhimi zinxhir, ndarja e punës etj., te cilat u bënë pjesë e realitetit dhe koshiencës njerëzore vetëm vite apo dhjetëveçarë pas krijimit te “Verklärte Nacht”.

Art jokonfirmues

“The Present Moment” është kuratuar nga Patrizia Dander në kuadër të një serie të iniciuar nga Miqtë e Shtëpisë së Artit që mban mbititullin “Der Öffentlichkeit” (Publikut) e ku çdo vit ftohet nga një artist i rëndësishëm bashkëkohor të prezantojë një punim të tij në sallën qendrore të muzeut. Për këtë instalim me 19 kanale zanore dhe një video, Anri Sala ka punuar ngushtë me dizajnerin e zërit Olivier Goinard. “Ky është ai që më ndihmon t'i shtyj përpara idetë dhe m'i bën më të mira”, thotë Anri Sala, tek prezanton mikun e tij të vjetër. Me të ai ka punuar thuajse për të gjitha instalimet e tij filmike. Kur e pyet Goinard për punimet e Salës, ai tërheq vëmendjen për një element të përbashkët të tyre: “Ato bazohen mbi një mungesë: te “Intervista” është mungesa e zërit, në “Time after Time” është mungesa aftësisë së kalit për të ecur, në “Ravel Ravel Unravel” është mungesa e dorës së djathtë e kështu me radhë”.

Sekuenca nga punimet e Anri SalësFotografi: Anri Sala

Anri Sala thotë se ai i përzgjedh temat me intuitë, edhe pse biografia e Schoenbergut, si kompozitor hebre që u detyrua të largohej nga Evropa për shkak të nazizmit, duket si e prerë për ta vendosur në kontrast me një hapësirë kaq të ngarkuar me simbolikë naziste. Por për këtë përzgjedhje ka luajtur rolin kryesor krijimtaria e tij muzikore, sqaron Sala: “Ai i dha muzikës perëndimore një mundësi që të zhvillohet edhe për njëqind vjet të tjera. Në një moment shumë delikat, kur çdo gjë që quhej klasike ishte pak a shumë në grahmat e fundit, ai e hapi këtë format drejt modernes, dhe përtej, drejt bashkëkohores.” Anri Sala nuk e fsheh adhurimin ndaj muzikantit, edhe për shkak të raportit që ai kishte ndaj muzikës. “Ai asnjëherë nuk është munduar të pëlqehet, por i ka ndenjur konsekuent raportit të tij me botën dhe muzikën”, kujton ai.

Këtë raport me artin dhe botën e ruan edhe Anri Sala, megjithëse thekson se nuk e injoron publikun: “Nuk hyj tek ata artistë që thonë që çdo gjë që e bëj e bëj për veten dhe nuk pyes për publikun. Unë mendoj për publikun, por jo në kuptimin oportunist, se çfarë do të pëlqejë publiku. Por mua më interesojnë forma, të cilat mbase në dukje të parë janë më pak efikase, pra, mbase nuk janë menjëherë të qarta nga çdokush, por që krijojnë një hapësirë të mundshme reflektimi, e cila lejon çdokënd të futet, të komunikojë, të marrë dhe të japë sipas mënyrës së vet, në mënyrë jodetyruese, jo invazive.” Një komunikim që kërkon pak sforco. Por ndoshta është pikërisht ky raport me artin që e ka bërë 40-vjeçarine e lindur në Tiranë që të tërheqë vëmendjen e publikut ndërkombëtar përtej kontekstit të prejardhjes së tij shqiptare dhe një nga artistët më të kërkuar të artit bashkëkohor.

“The Present Moment” do të rri e hapur në Haus der Kunst në Mynih për gati një vit të tërë deri më 20 shtator 2015.