Monako ka princeshën e re
3 Korrik 2011
Princi Albert i Monakos i dha fund një periudhe të gjatë beqarie. Për një kohë të gjatë ai konsiderohej si beqari i hekurt. 30 vjet pas vdekjes së princeshës, Grazia Patricia, aktores Grace Kelly, Monako ka një princeshë të re. Me të drejtë populli i Monakos brohoriti me gëzim. Mijëra vetë e ndoqën ceremoninë në ekrane publike, 7.500 qytetarë të Monakos ishin të ftuar në dasëm. " E gjitha është një si një përrallë", thotë një banore e Monakos. "Shumë mirë, gëzohem për çiftin e lumtur. Më në fund u martuan!", thotë një tjetër.
Pritja e gjatë
Për një puthje të të sapokurorëzuarve, Monako kishte pritur një kohë të gjatë. Tashmë shteti i vogël dhe atraksion turistik e ka princeshën e re. Princi Alberti II. dhe Charlene Wittstock më 2 korrik zhvilluan ceremoninë martesore në kishë, ndërsa zyrtarisht u martuan më 1. korrik në sallën e kurorëzimit të pallatit mbretëror. Rreth 3500 të ftuar e nderuan princin e Monakos në ceremoni, ndër të ftuarit edhe shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota. Edhe presidenti gjerman, Christian Wulf ishte i pranishëm në ceremoni. Por edhe carët e modës, si Karl Lagerfeld, Giorgio Armani, i cili ishte edhe stilisti që dizenjoi fustanin e nuses, Naomi Campbell, Roger Moore ishin të pranishëm. Pa harruar shtëpitë mbretërore të përfaqësuara në Monako. Princesha e re Viktoria ishte bashkë me bashkëshortin Daniel.
Festë edhe në vendlindjen e princeshës
Çifti i ri pas disa ditë pushimesh në Monako, më 7 korrik do të zhvillojë edhe një party me prominentë në vendlindjen e princeshës, Charlene në Durbanin afrikanojugor. Charlene Wittstock, ish-notare në Lojërat Olimpike ka lindur në Benon, një qytezë pranë Johanesburgut. Ajo dhe princi Albert njihen që në vitin 2000. Por vetëm në vitin 2006 ata prezantohen së bashku në publik. Në vitin 2010, katër vite më vonë festohet fejesa.
Kështu shteti i dytë më i vogël në botë me një sipërfaqe prej 2 kilometrash katrorë dhe rreth 32.000 banorë, mbetet të presë në të ardhmen për trashëgimtarin e ri. Të dy të sapomartuarit kanë deklaruar në një intervistë para martesës, se dëshirojnë fëmijë.
Autor: Linda Vierecke/Lindita Arapi
Redaktoi: Esat Ahmeti