1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Monument përkujtimor në Gjermani për romët e sintit e vrarë e të përndjekur

DW10 Maj 2006

Gjatë periudhës së nacionalsocializmit mendohet se janë vrarë dhe përndjekur nga njëqindmijë deri në një gjysmë milioni sinti, romë dhe grupe të tjera etnike të konsideruar si "ciganë"

Romani Roze, kryetar i këshillit qendror të sintive dhe romëve në Gjermani
Romani Roze, kryetar i këshillit qendror të sintive dhe romëve në GjermaniFotografi: dpa Zentralbild

Deri tani nuk ka pasur asnjë monument qendror përkujtimor në Gjermani në nderim të viktimave romë e sinti, të vrarë gjatë periudhës së nacionalsocializmit. Për një kohë të gjatë është debatuar se si duhet të jetë një monument i tillë. Këtë fillim jave, më në fund pas grindjes disa vjeçare u vendos të ndërtohet monumenti për sintit dhe romët e vrarë gjatë nacionalsocializmit.

Gjithnjë kur Romani Roze, kryetari i këshillit qendror të sintive dhe romëve gjermanë, ka qenë për bisedime në kancelari, ai ka dalë me indinjatë prej andej. Kësaj radhe ai bisedoi dy orë rresht me ministrin e shtetit për kulturën, Bernd Nojman dhe më pas në një konferencë shtypi deklaroi kompromisin e arritur. Vlen të theksohet se ky kompromis është një sensacion nisur nga grindjet e vazhdueshme të viteve të shkuara.

Projekti për monumentin nga Dani Karavan do të jetë një sipërfaqe me ujë dhe me një obelisk në qendër, që do të ketë mbishkrimin: "Ne përkujtojmë të gjithë romët, që kanë rënë viktimë e genocidit të planifikuar të nacionalsocialistëve që mbanin të pushtuar Evropën". Përveç kësaj në disa pllakata shtesë do të paraqitet kronologjia e këtij genocidi.

Në këtë kuadër do të rijepet edhe një citat i ish-presidentit Roman Hercog, i cili krimet e nazistëve ndaj "ciganëve" i ka krahasuar me holokaustin ndaj hebrejve. Përdorimit të këtij citati i ka kushtuar peshë të veçantë këshilli qendror i sintive dhe romëve në Gjermani. Nga pala e qeverisë gjermane, grupe të ndryshme parlamentare dhe historianë të ndryshëm gjatë viteve që zhvillohej ky diskutim e kanë kritikuar këtë krahasim.

Kuadri i përcaktuar financiar për projektin prej dy milionë eurosh nuk do të tejkalohet. Ministri i shtetit Neuman tha se është i kënaqur nga bisedimet e zhvilluara: "Mendoj, se ne jemi përpjekur me kujdes që të gjejmë një kompromis. E rëndësishme është që tani do të kemi një monument përkujtimor. Kjo do të thotë se këtej e tutje s´do të kemi më nevojë për diskutime dhe ekspertiza të tjera shkencore lidhur me ndonjë term. E rëndësishme të dihet, është gjithashtu se kemi të bëjmë me genocid të ushtruar në një mënyrë brutale dhe të planifikuar. Ne i përmbahemi detyrimit që ta përkujtojmë këtë me një monument."

Edhe Romani Roze, kryetar i këshillit qendror të sintive dhe romëve në Gjermani ishte mjaft i çliruar: "Mendoj, se me këtë monument shteti merr përsipër një përgjegjësi jo në aspektin financiar, por në kuptimin e përgjegjësisë për të mos lejuar më asnjë formë të përjashtimit, diskriminimit dhe përndjekjes. Për këtë është i angazhuar shteti demokratik në Republikën Federale të Gjermanisë.

Edhe për brezat e ardhshëm është e rëndësishme që demokracia gjermane tërheq vëmendjen edhe për këtë kapitull të historisë.