1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moratinos: OSBE mbështet planin e Ahtisarit

Bekim Shehu28 Shkurt 2007

Ministri i jashtëm i Spanjës dhe kryesuesi i radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Miguel Angel Moratinos, tha në Prishtinë se zgjidhja për Kosovën duhet të arrihet përmes dialogut ndërmjet të dyja palëve

Miguel Angel Moratinos
Miguel Angel MoratinosFotografi: AP

Ministri i jashtëm i Spanjës dhe kryesuesi i radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Miguel Angel Moratinos, deklaroi në Prishtinë se, çfarëdo lloji i dhunës i shfaqur në Kosovë do ta dëmtojë procesin e zgjidhjes së statusit të saj. Moratinos tha se zgjidhja Kosovën duhet të arrihet përmes dialogut ndërmjet të dyja palëve shqiptarëve dhe serbëve dhe shprehu mbështetjen e vendit të tij dhe të OSBE-së, për misionin e kryendërmjetësit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari.

"E kam shprehur para autoriteteve, se OSBE-ja ka karakter neutral dhe nuk merr pjesë në bisedimet e Vjenës. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ne nuk e mbështesim të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare", tha ministri i jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos. Ai tha se, vendi i tij dhe OSBE-ja mbështesin perspektivën evropiane për Kosovën dhe rajonin.

"Si ministër i jashtëm i Spanjës dhe si ministër i një vendi që është anëtar i Bashkimit Evropian, i kam garantuar autoritetet e Kosovës se ne mbështesim gjithë Ballkanin që të bëhet pjesë e BE-së sa më shpejt", tha shefi i diplomacisë spanjolle, Moratinos. Sipas tij, është shumë i rëndësishëm unifikimi i qëndrimeve të vendeve të Bashkimit Evropian, sepse kjo do të çojë në zgjidhjen më të shpejtë të proceseve. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij, çmoi përkrahjen dhe ndihmën e OSBE-së dhe të Spanjës për Kosovën, ndërsa u angazhua, për përshpejtimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Kryesuesi i radhës së OSBE-së, Miguel Angel Moratinos, i cili vizitoi Beogradin dhe Prishtinën, tha se misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë të ndihmojë administratën ndërkombëtare si dhe institucionet qendrore e ato lokale. Misioni i OSBE-së në Kosovë është më i madhi në rajon me mbi një mijë punëtorë dhe zyrtarë të angazhuar. Në këtë linjë kryesuesi i OSBE-së, tha se kjo organizatë do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në implementimin e marrëveshjes së statusit të Kosovës.