Mos shko tek mjeku në Gjermani pa ditur gjermanisht
4 Nëntor 2024Hedvig Skirgard, një gjuhëtare suedeze, post-doktorande, rrëfen se jetonte vetëm prej disa muajsh në Leipzig, në Gjermani kur duhej të shkonte te mjeku. Përvoja e atëhershme e preokupon atë edhe pas disa vitesh jetese dhe pune në Gjermani. "Mjeku më rekomandoi disa specialistë," rrëfen Skirgard për DW. "I kontaktova duke përdorur Google Translate dhe atë pak gjermanisht që dija. I pyeta nëse mund të flisnin anglisht me mua, por asnjëri prej tyre nuk mundte. Sillni një shok ose një anëtar të familjes për të më përkthyer, thanë. Por kjo nuk ishte e mundur: nuk kisha familje këtu dhe asnjë shok që të ndihesha mirë duke e sjellë me vete në një diskutim intim mjekësor”.
Mjekët nuk dinin si të vepronin
Gjëja më e çuditshme, kujton ajo, ishte përshtypja që krijova, se mjekët nuk dukej se e dinin se çfarë duhej të bënin kur nuk ndanin një gjuhë me pacientët e tyre: "A është e mundur të jem emigrantja e parë në qytet që i nënshtrohet një procedure mjekësore pa pasur dije të avancuara të gjermanishtes?"
Sigurisht jo: Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë publikoi shifrat në vitin 2023; rreth 15% e njerëzve që jetojnë në Gjermani nuk flasin kryesisht gjermanisht në shtëpi. Skirgard u habit, kur pa se nuk kishte shumë vende ku të drejtoheshin ofruesit e kujdesit shëndetësor që takonin pacientë jo gjermanë. Nga ana tjetër edhe shumë mjekë nuk janë as të vetëdijshëm se cilat qendra ekzistojnë: Skirgard arriti të gjejë një rrjet të dobishëm të mjekëve që flisnin gjuhë të ndryshme – megjithëse doktori i saj nuk ishte në dijeni të kësaj. "Ishte stresuese dhe e frikshme dhe shpresoj që kjo të mos i ndodhë askujt tjetër. Unë njoh raste të tjera që kanë shkuar më pak mirë," tha ajo. "Mjekët ndiheshin të irrituar e nën presion kur duhej të ofronin kujdesin jashtë zonës së rehatisë dhe aftësive të tyre”.
Si qëndron puna me përkthimin në vende të tjera?
Duket se shumica e mjekëve gjermanë do të ishin dakord me këtë: në maj të këtij viti, konferenca e mjekëve të Shoqatës së Mjekësisë Gjermane votoi në favor të dy mocioneve që kërkonin shërbime përkthimi falas dhe profesionale - me arsyetimin se mungesa e këtyre shërbimeve po e bënte më të vështirë për ata të bënin punën e tyre. "Çdo ditë, ne mjekët trajtojmë pacientë, gjuha amtare e të cilëve nuk është gjermanishtja”, thuhej në një prej tyre. "Shpesh komunikimi është i mundur vetëm me ndihmën e familjes ose kolegëve nga profesioni, personeli infermieror ose personeli i shërbimit. Ky ndërmjetësim joprofesional gjuhësor nuk është vetëm një barrë për përkthyesin, por edhe për ekipin mjekësor dhe pacientët dhe e vështirëson diagnozën apo trajtimin e duhur”.
Shërbime të tilla nuk janë një ide e re. Në vendet e tjera evropiane, i takon sistemit të kujdesit shëndetësor, dhe jo pacientit, të gjejë gjuhën e pacientit apo një gjuhë të përbashkët: në Suedi, vendlindjen e Skirgard, ekziston një sistem i centralizuar që u lejon mjekëve të rezervojnë një telefon-konferencë me një përkthyes, nëse kanë një takim me një pacient që nuk flet suedisht. Në Norvegji, pacientët kanë të drejtë ligjore për të marrë informacion në lidhje me shëndetin dhe trajtimin mjekësor në një gjuhë që ata e kuptojnë, ndërsa Shërbimi Shëndetësor Irlandez ka nxjerrë udhëzime se si mjekët duhet të gjejnë përkthyes.
Ndërkohë, në Gjermani, mjekët dhe pacientët shpesh i lihen vetes, e shpesh duhet të mbështeten në bamirësi dhe grupime vullnetare, si një grup universitar me qendër në Leipzig që organizon interpretime për takimet e mjekëve, kryesisht. më shumë për refugjatët dhe azilkërkuesit me emrin "Komunikimi në Mjedisin Mjekësor (Communication in Medical Settings)". "Ne e shohim veten si mbushës të boshllëqeve për përkthimin që duhet bërë dhe paguar në mënyrë profesionale”, tha për DW, Paulina Rübenstahl nga grupimi. "Por ne shohim se boshllëku është ekzistent, sepse as shteti, as sigurimet shëndetësore, as zyrat e mjekëve dhe as spitalet nuk do të marrin përgjegjësinë për të marrë shpenzimet.
Është mirë ta kesh, apo duhet që ta kesh?
Qeveria gjermane është e vetëdijshme për problemin. Në marrëveshjen e koalicionit premtohet se ajo do të arrijë që sigurimet shëndetësore shtetërore do ta mbulojnë koston e shërbimeve të përkthimit. Një zëdhënës i Ministrisë Gjermane të Shëndetësisë konfirmoi për DW, se kjo me të vërtetë ende është pjesë e planeve të qeverisë dhe se ministria do t'u rekomandonte partive të koalicionit vendosjen në fuqi të ligjit për Forcimin e Kujdesit Shëndetësor. Por kjo nuk ka ndodhur ende dhe duket se është bllokuar nga mosmarrëveshjet në koalicionin qeveritar. Bernd Meyer, profesor për komunikimin ndërkulturor në Universitetin e Mainz-it, ka studiuar çështjet e gjuhës, integrimit dhe kulturës për shumë vite dhe ka shkruar një libër rekomandimesh për gjuhën në institucionet publike. Meyer u ftua në Bundestag vitin e kaluar për të shpjeguar pse masa është kaq e nevojshme.
"Të gjithë thonë se ky është një problem dhe se duhet zgjidhur”, tha ai për DW. "Por ka një problem me implementimin politik." Megjithëse ofrimi i shërbimeve të tilla do të ishte relativisht i lirë, duke pasur parasysh koston e sistemit të kujdesit shëndetësor në përgjithësi, sipas ekspertit koalicioni duket se ka vendosur që shërbimet e përkthimit të konsiderohen si një "e mirë për t'u pasur", por jo patjetër e nevojshme. Në thelb kjo temë është bllokuar në diskutimin e madh për buxhetin dhe frenën e borxhit”, tha ai.
Flisni gjermanisht në Gjermani?
Nga ana tjetër, Gjermania aktualisht po përpiqet të tërheqë fuqi punëtore të kualifikuar. Sipas Institutit Ekonomik Gjerman (IW), rreth 570,000 vende pune nuk mund të plotësoheshin në vitin 2023 dhe kompanitë ishin në vështirësi për gjetjen e punonjësve. Në shtator, kancelari Scholz nënshkroi një marrëveshje pune të kualifikuar me Kenian për të ndihmuar në kapërcimin e këtij hendeku. Sigurisht, disa do të thoshin se gjermanishtja është gjuha zyrtare në Gjermani dhe se kushdo që jeton këtu duhet ta mësojë atë. Skirgard në lidhje me këtë thotë. "Oh, po jam dakord, kjo është 100% e vërtetë," tha. "Por kur dikush vjen, në muajin e parë nga Kenia, dhe thyen këmbën, a nuk duhet të ketë kujdes shëndetësor derisa të marrin një kurs intensiv gjerman? Unë mendoj se nëse Gjermania dëshiron të jetë një vend që tërheq emigrantë të aftë, atëherë përkthimi mund të jetë një gjë që "duhet ta kesh" dhe jo një "e mirë ta kesh".
Në të vërtetë, siç theksojnë shpesh edhe studiues si Meyer, realiteti është se Gjermania është një shoqëri shumëgjuhëshe. Shumë njerëz e kalojnë jetën e tyre duke folur rrallë gjermanisht: Gjatë hulumtimit të tij në një spital, Meyer takoi një pacient 60-vjeçar portugez me atak kardiak me pothuajse asnjë njohje të gjuhës gjermane, i cili kishte kaluar mbi 30 vjet duke punuar në një thertore gjermane. "Ai në thelb transportonte derra të përgjysmuar gjatë gjithë ditës, dhe në mbrëmje shkonte në një klub social portugez dhe shikonte futboll," tha ai. "Ai nuk ka pasur kurrë shumë kontakte me gjermanët. Pse duhet të ketë? Jeta e tij ishte në rregull. Ai kurrë nuk kishte një arsye për të mësuar gjermanisht."
Skirgard ka mësuar gjermanisht ndërkohë në katër vitet e saj në Gjermani, po ajo gjithashtu rrallë e përdor gjermanishten në jetën e punës në universitetin ku punon. "Ju mund të thoni se kjo është e keqe dhe nuk duhet të jetë kështu, dhe unë mund ta kuptoj plotësisht këtë perspektivë," thekson ajo. "Por situata është kjo që është, kështu që si të merreni me të, pra me atë që po ndodh në vend të asaj që dëshironi?"