1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska deklaron një reagim "të përshtatshëm" pas dëbimit të diplomatëvë rusë nga Britania e Madhe

Horst Kläuser17 Korrik 2007

Në rastin e vrasjes së Litvinjenkos Rusia duke iu referuar dëbimit të katër diplomatëve rusë nga Britania e Madhe deklaroi se do të reagojë "përshtatshëm".

- "Kjo është një rrugë direkte drejt konfrontimit", tha zëvendësministri i jashtëm rus Aleksandër Grushko. Ministri i jashtëm britanik David Miliband të hënën (16.07) deklaroi dëbimin e diplomatëve rusë duke e argumentuar këtë me refuzimin e Rusisë për të ekstraduar Andrej Lugovojin, i dyshuari kryesor në rastin e vrasjes së Litvinjenkos. Aleksandër Litvinjenko në vitin 2006 u helmua në Londër. Kushtetuta ruse nuk parashikon ekstradim në një rast të tillë. -

Ndonëse pritej me interes, tek e fundit deklarata e tij nuk ishte konkrete: zëvendësministri i jashtëm rus Aleksandër Grushko të martën (17.07) pasdite përsëriti në konferencë shtypi qëndrimin e njohur të Rusisë, por pa deklaruar kundërmasa radikale apo hakmarrje lidhur me dëbimin e katër diplomatëve rusë, që mund të jenë bahskëpunëtorë të shërbimit sekret.

"Eshtë mëse e qartë, që rruga e zgjedhur prej Londrës e vështirëson, madje e bën të pamundur bashkëpunimin me organet e mbrojtjes ligjore lidhur me çështje, që kanë të bëjnë me interesat dhe sigurinë e miliona qytetarëve britanikë dhe rusë. Reagimi ynë do të jetë me destinacion të qartë dhe konfrom. Në ditët e ardhëshme autoritetet britanike do të informohen zyrtarisht. Ne do të kemi parasysh ruajtjen e plotë të interesave të qytetarëve të thjeshtë, të turistëve, të njerëzve të kulturës dhe studjuesve si dhe të biznesmenëve. Ne nuk duam që të vuajmë prej hapave politikë të Londrës."

Edhe dhoma britaniko-ruse e tregtisë në Moskë nuk sheh asgjë pozitive në hapat e ndërmarrë prej Downing Street-it. Ndërsa ministri rus për lëndët e para, Juri Trutnjev, siguroi, madje me nxitim, se do të vazhdohet si deri më sot. Jo pa arësye: sepse Britania e Madhe është falë edhe koncerneve energjetike Shell dhe BP, një ndër investuesit më të mëdhenj të huaj në perandorinë gjigande. Gati katër miliardë euro, sipas të dhënave të gazetës britanike "The Times", janë derdhur vitin e kaluar prej mbretërisë së bashkuar në Rusi. Nga ana tjetër biznesmenët rusë kanë investuar vitin e kaluar 4,5 miliardë euro në Britaninë e Madhe. Gati 270 milionë euro kanë shpenzuar tursitët nga Rusia në vitin 2006 në Londër. E pavarësisht grindjes aktuale Rusia dhe Britania e Madhe janë të lidhura sot si asnjëherë më parë.

Gjatë gjithë ditës mediet ruse kanë trajtuar grindjen ruso-britanike pa përmendur asnjëherë të vetme përparimet e hetimeve të prokurorisë ruse. Grushko tërhoqi vëmendjen, se qysh në muajt e parë është konfirmuar vrasja me polonium e Aleksandër Litvinjenkos duke qenë në kontakt të vazdhueshëm me hetuesit britanikë. Por janë të papranueshme sipas tij, deklarimet e fundit të ministrit të jashtëm britanik, David Miliband:

"Zotëri Miliband filloi të teorizojë mbi mundësitë e ndryshimit të kushtetutës ruse. Pra ne duan të ndëshkojnë sepse i përmbahemi kushtetutës sonë. Kjo është antiligjore dhe e papranueshme. Kjo
është në kundërshtim me arësyen e shëndoshë njerëzore. Së dyti, të ashtuquajturat sanksione me qëllimin për ta politizuar rastin Litvinjenko, ndër këto sanksione bën pjesë edhe dëbimi i katër diplomatëve rusë, nuk do të thotë ftesë për bahskëpunim, siç pretendon pala britanike, por kjo është rruga direkte drejt konfrontimit."

Grushko iu referua disa kërkesave për ekstradim, që Londra i ka drejtuar Rusisë. Prej kohësh Rusia i ka kërkuar Londrës që të ekstradojë qytetarë rusë, së fundi oligarkun në azilim dhe armikun e Putinit Berezovski dhe udhëheqësin e çeçenëve Sarkajev. Në asnjërin prej 20 rasteve Londra nuk i ka miratuar kërkesat për ekstradim. Nëse Moska do të reagonte pikërisht kështu si Londra tani, atëherë do të duhej të dëboheshin 80 diplomatë britanikë. Grushko e përfundoi konferencën e shtypit me paralajmërimin në adresë të Bashkimit Evropian, që të mos lejojë të instrumentalizohet për interesat e njëanshme politike të Anglisë.