1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmarrëveshje në Poloni për projektligjin e azilit

17 Tetor 2024

Si të parandalohen emigrantët që të kalojnë në mënyrë të parregullt kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë? Kreu i qeverisë Donald Tusk planifikon të pezullojë të drejtën për azil. Por ka kundërshtues në qeveri.

Polen | Premierminister Donald Tusk
Fotografi: Omar Marques/Getty Images

"Nëse një person kalon ilegalisht kufirin polak pasi është sjellë atje nga shërbimet bjelloruse, nëse ky është një element i luftës hibride, rojet kufitare polake nuk janë të detyruara të pranojnë kërkesat për azil të këtyre njerëzve". Ky është teksti i ligjit të planifikuar nga kryeministri i Polonisë Donald Tusk. Këtë fundjavë, ai njoftoi gjatë një kongresi të partisë së tij, Koalicionit Qytetar liberal-konservator, se vendi i tij po shqyrtonte pezullimin e përkohshëm të së drejtës për azil.

Kufizimi i migrimit dhe të drejtat e njeriut

Për Tuskun, pezullimi i së drejtës për azil në kufi është një masë e përshtatshme për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit nga Bjellorusia. Ai akuzon Bjellorusinë dhe Rusinë se kanë sjellë refugjatë nga Azia dhe Afrika në Bjellorusi dhe se po përpiqen t'i sjellin ata në Poloni për të destabilizuar vendin. E drejta për azil po përdoret në "këtë luftë" dhe nuk ka të bëjë fare me të drejtat e njeriut, tha Tusk-u.

Megjithatë, duket se gjatë mbledhjes së kabinetit u shfaqën tensione midis partnerëve të koalicionit të qendrës së majtë të Tuskut mbi çështjen e azilit. Katër ministrat e aleancës së majtë Lewica shprehën një mendim të ndryshëm, tha ministri i Digjitalizimit Krzysztof Gawkowski për portalin Onet.pl: "Ne besojmë se është e nevojshme të ashpërsohen procedurat për emigrantët e paligjshëm, por nuk duam që elementë të tillë si pezullimi i së drejtës për azil të figurojnë në strategji. Prandaj nuk e dimë nëse do të dalë një shumicë në Parlament për modifikimin e planifikuar të politikës së migrimit".

Kontrolli i ligjit

Krahas partisë së majtë, një tjetër partner i vogël i Platformës Qytetare Tusk shprehu rezerva për orientimin e ri: partia liberale Polonia 2050. Sipas deklaratave të saj, ajo imponoi që "pezullimi i përkohshëm i përpunimit të kërkesave për azil në një situatë kërcënimi serioz të kryhet vetëm nën kontrollin parlamentar”. Bëhet fjalë për sigurinë e fëmijëve, grave shtatzëna dhe njerëzve të tjerë të cënueshëm, shkroi ministrja rajonale Katarzyna Pelczynska-Nalecz në platformën X.

Fotografi: Maciej Luczniewski/NurPhoto/picture alliance

Komisioni Evropian dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur gjithashtu rezerva për ligjin e planifikuar. Edhe BE e akuzon presidentin rus Vladimir Putin dhe aleatin e tij, liderin bjellorus, Alexander Lukashenko, për sjelljen e emigrantëve nga rajonet e krizës në kufirin e jashtëm të BE në formë të organizuar në mënyrë që të ushtrojnë presion mbi Perëndimin. Ushtarët sigurojnë kufirin me Bjellorusinë

Migrimi i parregullt

Pavarësisht ndërtimit të një gardhi më shumë se pesë metra të lartë dhe një sistemi të mbikëqyrjes elektronike, emigrantët përpiqen të kalojnë kufirin në mënyrë të parregullt çdo ditë. Që nga fillimi i vitit, rojet kufitare kanë regjistruar rreth 28.000 tentativa të këtij lloji. Polonia, fqinji lindor i Gjermanisë ka rreth 37 milionë banorë.

Kjo reflektohet edhe në statistikat në thelb pozitive të organizatës evropiane për mbrojtjen e kufijve Frontex. Sipas tyre, në nëntë muajt e parë të këtij viti, 166.000 njerëz tentuan të hynin në mënyrë të parregullt në BE. Kjo është 42 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, tha Frontex në Varshavë. Megjithatë, numri i përpjekjeve për hyrje të paligjshme përmes kufirit tokësor lindor të BE-së, d.m.th., përmes Bjellorusisë në Poloni dhe Lituani, është rritur ndjeshëm. Është shënuar një rritje prej 192 për qind.

Shembulli i Finlandës

Në qasjen e tij, Tusk iu referua Finlandës, e cila mbylli kufirin e saj me Rusinë për migrantët. Parlamenti i Helsinkit miratoi në korrik një ligj të kufizuar në një vit, sipas të cilit forcat e sigurisë duhej të kthenin të gjithë azilkërkuesit në kufi me shtetin fqinj lindor. "Është e drejta dhe detyra jonë të mbrojmë kufijtë polakë dhe europianë”, theksoi të hënën Tusk. Qeveria e tij do ta përmbushë këtë mision dhe nuk do të negociojë me askënd për mbrojtjen e kufirit. E drejta për azil është e ankoruar në Kushtetutën polake. Neni 56 thotë se "të huajt gëzojnë të drejtën e azilit në Poloni në përputhje me parimet e përcaktuara me ligj”.

 

aud (fab/dpa,kna)