1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmarrëveshje për Sirinë

6 Shkurt 2012

Përpjekjet për një rezolutë për Sirinë në OKB dështuan nga vetoja e Rusisë dhe e Kinës. Kjo pritej – e megjithatë është më shumë se zhgënjyese, vëren në komentin e tij Daniel Scheschkewitz.

Në foto, Daniel Scheschkewitz
Në foto, Daniel ScheschkewitzFotografi: DW

Dëshpëruese dhe për të të ardhur turp, një shuplakë për sirianët dhe një krizë e thellë për OKB-në. Eshtë e pakufij indinjata nga vetoja e Rusisë dhe e Kinës kundër rezolutës aktuale për Sirinë, që u paraqit nga Perëndimi dhe nga Liga Arabe. Eshtë mëse e kuptueshme kjo indinjatë, aq më tepër që vetoja vjen pikërisht në ditën, kur dhuna brutale e regjimit të Bashar al-Asad në qytetin Homs me qindra të vrarë arriti kulmin.

Sidqoftë kjo veto ishte e sinjalizuar qysh prej kohësh. Ndërsa në Konferencën e Sigurisë në Mynih diskutoheshin tema të rëndësishme të politikës së mbrojtjes, krerët e diplomacisë nga SHBA-ja dhe Rusia shkëmbenin replika të ashpra në kuadër të kësaj konference. Madje edhe fjalimin e saj ministrja e Jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton, të shtunën (04.02.2012)e shfrytëzoi për një shpagim retorik ndaj politikës brutale të shtypjes që ushtron regjimi i Bashar al-Asad.

Të drejtat e njeriut kanë shumë pak vlerë

Në një suitë luksoze në hotelin bavarez "Bayerischer Hof"' Clinton në mënyrë të pazakontë ka pasur një debat të ashpër me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Në Mynih ai ritheksoi me këmbëngulje se nuk pranohet asnjë ndërhyrje në çështjet e brendëshme të një vendi tjetër. Sipas tij Asad vërtetë nuk është mik i Rusisë, por Siria është një shtet sovran dhe i pavarur. Lavrov qysh gjatë ditës së konferencës në Mynih pat paralajmëruar për mosmarrëveshjen e bujshme në Nju Jork - e kësisoj s'ishte e papritur, që diplomati i ngarkuar në Këshillin e Sigurimit vërtetë vendosi veton e pritshme kundër rezolutës tashmë të moderuar.

Krah Rusisë - ashtu siç edhe pritej - qëndroi Kina. Siç dihet të drejtat e njeriut në Kinë nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë, ndërkohë që atje fiton shumë tepër peshë parimi i mos-ndërhyrjes. Por ku ishin evropianët? Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle me retorikë të pasur e kritikoi dështimin e Këshillit të Sigurimit. Me këtë ai u shpreh me vendosmëri në anën e partnerit tani jo dhe aq besnik të aleancës, SHBA-së, por ishte fare i vetëm në nivelin evropian.

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, e anulloi pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynih në këtë periudhë. Ajo i kushtoi më shumë prioritet Brazilit se sa kryeqytetit të landit të Bavarisë. Ndoshta kjo për arësye të klimës, sepse aktualisht në Mynih mes superfuqive të dikurshme mbizotëron mot me ngrica dhe një i ftohtë vërtetë i hidhur.

Drejtësia do të fitojë

Si do të ecet më tutje? Rusia e luajti pokerin deri në fund. Qeveria në Moskë do, që bashkësia ndërkombëtare të dënojë edhe dhunën e kryengritësve si dhe të përjashtojë mundësinë e çdo lloj ndërhyrjeje nga jashtë në Siri - në mënyrë që të mos përsëritet ajo që ndodhi në rastin e Libisë.

Por Moskës nuk duhet t'i bëhet ky nder. Bashkësia ndërkombëtare në këtë mënyrë do të hiqte dorë nga një parim i rëndësishëm dhe tashmë i pranuar: nga përgjegjësia për mbrojtjen e popullsive civile kudo qofshin ato. Rusia me këtë veto veç të tjerash përfiton nga një anakronizëm i politikës botërore duke synuar të rifitojë pozicionin e pushtetit, që ajo e ka humbur më së voni me fundin e Bashkimit Sovjetik. Por tashmë gjërat s'mund të ndryshohen, vetoja nuk do ta ndalë dot rrjedhën e historisë.

E kina? Për kinezët kjo veto ishte një rast i mirëseardhur, për t'iu përgjigjur me një kundërgoditje rioerientimit të politikës së mbrotjes të shpallur së fundi nga SHBA-ja. Nëse ishte ky një veprim i mençur pikërisht në rastin e Sirisë, kjo është e dyshimtë. Kina vështirë se do të mund ta vazhdojë pafrenuar hopin ekonomik pa rezervat e lëndëve të para nga Lindja e Mesme. Njerëzit që kërkojnë lirinë në këtë rajon një ditë do ta kujtojnë këtë veto. Eshtë shumë e mundshme, që dikur në Pekin mund të pendohen për këtë vendim.

Autor: Daniel Scheschkewitz
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora