1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmarrëveshje për strehimin e gjermanëve në Turqi

6 Mars 2013

Probleme të papritura për ushtarët gjermanë, në misionin e tyre në Turqi. Mosmarrëveshja mbi vendosjen e ushtarëve rëndon misionin: Nuk janë raketat siriane tema kryesore e kontigjentit, por debati për strehimin.

Fotografi: Reuters

Të shëtisin në xhinse dhe fanela të bardha në pazar, për të blerë bizhuteri dhe kartolina, të provojnë akulloret, për të cilat Kahramanmarasi është i famshëm në të gjithë Turqinë. Vetëm ndonjëherë ushtarët gjermanë të misionit Patriot në Anadollin juglindor mund të dalin në kohën e lirë për të njohur vendin. Nga banorët e Kahramanmaras-it gjermanët vështrohen me kureshtje, njoftonte shtypi lokal turk këto ditë. Fundja është hera e parë që trupat e huaja aleate janë stacionuar në qytet. Ata duhet t'i mbrojnë ata prej sulmeve të mundshme nga Siria, me raketa Patriot.

Por kjo herë e parë ka edhe anët e veta shumë të pakëndshme: Ndërmjet ushtarëve gjermanë dhe atyre turq në Kahramanmaras ka grindje për strehimin e njësisë së Bundeswehr-it në kazermat Gazi. Politikani i partisë liberale Hellmut Kënigshaus, i ngarkuari i parlamentit për mbrojtjen, njoftoi para pak ditësh për banjo të pista, kadavra qensh dhe oficerë turq të dhunshëm. Raporti i tij hodhi dritë mbi problemet, që vazhdojnë prej javësh në Kahramanmaras.

"Disa pasiguri"

Komandanti gjerman Marcus Ellermann po punon që atëherë për të gjetur një zgjidhje me partnerët turq - pavarësisht qortimit publik nga Berlini. Nga ana turke ka "disa pasiguri", i tha Ellermanni Deutsche Welles në telefon nga Kahramanmaras-i.

Angela Merkel viziton TurqinëFotografi: Reuters

Madje edhe Shtabi i Përgjithshëm Turk në Ankara e mori fjalën dhe u pozicionua lidhur me higjenën e banjove dhe shfrytëzimin e përbashkët të objekteve sportive. Edhe kjo nuk ndodh çdo ditë. Konkluzioni i deklaratës dyfaqëshe për Shtyp të Shtabit të Përgjithshëm: Në akuzat nga Gjermania nuk është gati asgjë e vërtetë. Vetëm njoftimi, se ushtarët gjermanë në kazermën Gazi nuk lejohen të vendosin flamuj dhe shenja të rajoneve nga vijnë, u konfirmua.

Komandanti do të qetësojë gjakrat

Për dikë si Ellermann, i cili duhet të rregullojë gjërat në vendngjarje, debati po shkon keq. E gjithë çështja "ekzagjerohet". Ai thotë se ka një raport korrekt me kolegët e tij turq. Edhe Frank Sarach, zëdhënësi i shtypit i kontingjentit gjerman, tha për Deutschen Wellen se ai merret vesh shumë mirë me palën turke: "Ka ndonjë diferencë, por kjo është e zakonshme."

Edhe burokracia ushtarake gjermane luan rolin e vet. Kështu nikoqirët turq që prej fillimit të vitit kanë përgatitur me nxitim strehimore të reja për ushtarët gjermanë në kazermat Gazi. Por edhe pse gjithçka ishte gati me 22 shkurt 2013, në strehimore deri sot nuk ka hyrë njeri: Ellermann-i duhet të presë, derisa kontrollorët gjermanë të japin dritën e gjelbër. Pasi turqit "riparuan me nxitim", iu desh tani të mësonin, se rregullat gjermane shtyjnë gjithçka, thotë Ellermann: "Kjo është e vështirë të kuptohet", mendon komandanti - ai e kupton zemërimin e turqve.

Tani edhe NATO-ja?

Nga ana tjetër Ellermann nuk ka mirëkuptim për versionin, sipas të cilit sulmi i dhunshëm i një gjenerali turk ndaj një pjesëtareje të policisë ushtarake gjermane, për të cilin ankohet Kënigshaus, nuk ka ekzistuar kurrë. Incidenti mund të dëshmohet me prova, tha komandanti gjerman. Por edhe në këtë temë, Ellermann-i do të preferonte, që çështja të rregullohej pa ndërhyrje publike nga Berlini dhe Ankaraja.

Edhe pa grindjet e fundit, vendosja e Bundeswehr-it në Turqi do të ishte e komplikuar. Misioni i NATO-s në Turqi has në rezistencën e ashpër të grupeve të majta dhe nacionaliste turke. Në fillim të vitit ushtarët gjermanë u sulmuan në qytetin port të Iskanderun-it nga kundërshtarë të NATO-s, të cilët i morën për amerikanë. Në Kahramanmaras, në një protestë të vogël u dogj një flamur i aleancës perëndimore.

Tani Ellermanni mund të presë që grindja për vendosjen e ushtarëve të tij të zgjerohet. Sipas njoftimeve të mediave turke, tani dëshiron të ndërhyjë selia e NATO-s në Bruksel, fundja bëhet fjalë për një mision të Aleancës për partnerin e saj, Turqinë. Disa ditë më parë në Kahramanmaras duhet të kenë qenë zyrtarë të NATO-s. Në fakt Sarach, zëdhënësi i kontigjentit gjerman, theksoi se vizita nuk ka të bëjë aspak me krizën e banjove. Megjithatë mund të zgjasë edhe disa kohë, derisa të vendoset një e përditshme normale.

Autor: Thomas Seibert/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi