1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mospagim tatimesh apo presion qeveritar? Debat mediatik në Maqedoni

12 Korrik 2011

Mbyllja e tre gazetave e një televizioni privat në Maqedoni ka ndezur debatin për lirinë e medias. Autoritetet thonë se mbyllja e mediave është bërë për mospagim të tatimeve -gazetarët se qeveria mbyll mediat kundër saj.

Stenda me gazeta maqedonaseFotografi: AP

Për shkak të mospagesës së tatimeve, Drejtoria për të Ardhurat Publike ka bllokuar xhirollogaritë e tre gazetave ditore dhe të një televizioni kombëtar privat. Kjo masë e shtetit ka ndikuar në mbylljen e këtyre mediave dhe humbjen e vendit të punës për 100 gazetarë dhe teknikë.

Mediat, të cilat financohen nga qeveria arrijnë të mbijetojnë, kurse ato që parapëlqejnë të informojnë në mënyrë kritike ndaj shtetit, rrezikojnë ekzistencën, thotë Tamara Qausidis, kryetare e Sindikatës së Gazetareve në Maqedoni. “Mbyllja e secilit medium në veçanti do të thotë dhe humbje e qindra vendeve të punës për punonjësit e tyre. Mbyllja e redaksive, përkeqëson edhe më shumë pozitën e gazetarëve në Maqedoni”, vlerëson Qausidis.

Pamje nga studio e një televizioni maqedonasFotografi: Petr Stojanovski

Kritika: Qeveria dëshiron të përvetësojë mediat private

Fami Bajrami ka ushtruar detyrën e kryeredaktorit në gazetën e mbyllur “Koha e Re”. Sipas tij në mbylljen e mediave ka gisht qeveria. “Maqedonia gjendet në krizë mediale, kur kihet parasysh mbyllja së fundmi e gazetës "Koha e Re", "Vreme" dhe "Shpic". Një pjesë e madhe e atij stafi janë në pushim të detyruar. Në kondita të tilla nuk mund të flasim për media të lira dhe në një formë demokracia po e humb kuptimin”, thotë Bajrami.

Kryeredaktori i gazetës “Shpic”, Branko Gerovski thotë se qeveria përmes mekanizmave financiare dëshiron dhe po ja arrin qëllimit që t'i bëjë heshtin mediat e zëshme kundër qeverisë. “Me xhirollogari të bllokuar nuk mund të ushtrohet profesioni i gazetarisë së lirë dhe në mungesë të mjeteve financiare qeveria dëshiron t'i përvetësojë disa media private”, deklaron Gerovski. Politika është prezente në media me vetë faktin se ekzistenca e tyre financiare gjithnjë e më shumë varet nga burimet e buxhetit të qeverisë, shprehet analisti Sasho Ordanovski.

“Mediat, të cilat marrin mjete nga buxheti i shtetit janë shumë më komode në aspektin financiar, por kjo bën që edhe politika e tyre redaktuese të jetë në kundërshtim me etiken e informimit të drejtë dhe të pavarur”, thotë Ordanovski.

Gazetarë maqedonas duke punuarFotografi: Petr Stojanovski

Treg i vogël - media të shumta

Në Institutin e Mediave në Maqedoni vlerësojnë se tregu mediatik në vend është i stërngarkuar. Ekzistenca e më shumë se 100 radiove dhe televizioneve private për një treg kaq të vogël siç është Maqedonia është një absurd. “Mediat vendosen në pozitë të tillë që në të gjitha format e mundëshme të luftojnë për një kulaç shumë të vogël financiar nga kulaçi i quajtur marketing i eterit mediatik, ato janë të dobta financiarisht dhe patjetër vihen në pozitë që të kërkojnë mjete financiare për ekzistencë prej burimesh të tjera, kryesisht prej burimeve politike”, thotë Petrit Saraçini nga Instituti i mediave në Maqedoni.

Amnesty International dhe OSBE kane kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë që ta rishqyrtojnë vendimin për mbylljen e mediave private. Sipas organizatave ndërkombëtare në Maqedoni ka tentativa për t'u shkelur liria e shprehjes si një e drejtë fundamentale.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi