Mot i keq - Bllokohen rrugët në veri të Shqipërisë
25 Nëntor 2008Ngrica dhe trashësia e dëborës që arrin deri në 60 cm, kanë vështirësuar lëvizjen dhe qarkullimin e automjeteve në drejtim të kosovës dhe rretheve veriore të vendit. Stuhia me rreshje shiu dhe erërat e forta, kanë shkaktuar avari në furnizimin me energji të mijëra banorëve të këtij rajoni.
Pas një thatësire relativisht të gjatë dhe me temperatura të larta, mesnata e se dielës dhe orët e para të mëngjezit të djeshëm, kanë sjellë rreshje të dëndura dëbore në zonat e thella malore në verilindje të Shqipërisë. Përkeqësimi i menjëhershëm i motit, erërat e forta dhe stuhitë e dëborës gjatë natës së kaluar, kanë bllokuar pjesën më të madhe të komunave në qarkun e Kukësit, duke krijuar probleme për disa mijëra familje të kësaj pjese të vendit. Vështirësitë më të mëdha janë krijuar në lëvizjen e makinave dhe udhëtarëve jo vetëm në akset kombëtare të rrugëve që shkojnë drejt rretheve veriore të vëndit, por edhe pik-kalimit kufitar të Shqipërisë me Kosovën. Sidomos në Qafën e Malit, zonë kjo mes Fush-Arrësit dhe Kukësi, ku ngricat dhe dëbora që ka arritur në 60 cm, kanë bërë të pamundur lëvizjen dhe qarkullimin përtej kufirit. Drejtuesit e automjeteve shprehin shqetësimin e tyre për gjëndjen e këtij aksi rrugor, duke kërkuar masa më të mira për mirëmbajtjen dhe kontrollin e tij.
Edhe pse dimri i ka gjetur të papërgatitura strukturat e pushtetit lokal, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve në këtë rajon, po punojnë për çbllokimin e akseve të rëndësishme rrugore që lidhin jo vetëm rrethet veriore të vëndit, por edhe Kosovën me Shqipërinë. Ndue Gjoni, drejtues i kompanisë së mirëmbajtjes së rrugëve Pukë, thotë "se i kemi marrë të gjitha masat për ta bërë sa më parë të kalueshëm këtë segment të rëndësishëm rrugor". Megjithatë përfaqësues të nënprefekturës së Pukës janë shprehur javët e fundit shqetësimin në lidhje me gatishmërinë dhe kapacitetin e një pjesë të kompanive private të kontraktuara nga Ministria Shqiptare e Transporteve për mirëmbajtjen e aksit kombëtar Shkodër-Fush-Arrëz.
Stuhia e shirërave dhe erërat e forta të këtyre ditëve, kanë pasur me avari në furnizimin me energji elektrike të qyteteve dhe fshatrave, duke dëmtuar një numër të madh shtyllash elektrike dhe lënë në errësirë të plotë mijëra banorë në veri dhe verilindje të vëndit Ndërkohë që mësohet se punonjësit e koorporatës elektroenergjitike, kanë arritur të riparojnë pjesën më të madhe të defekteve dhe gjatë natës së kaluar është rikthyer energjija elektrike në disa komuna dhe fshatra dhe komuna të këtij rajoni. Zona malore në veri dhe verilindje të Shqipërisë, është edhe më problematike në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, përsa i përket gjëndjes së infrastrukturës rrugore dhe nivelit të lartë të varfërisë.