Motoja e re e BE-së: Më pranë qytetarëve
9 Maj 2006
Bashkimi Evropian nuk do më të përjetojë një goditje të ngjashme si dështimi i referendumit për kushtetutën e re në Francë dhe Holandë. Suksesi i BE-së është cënuar për shkak se, shumica e qytetarëve nuk janë dakord me vazhdimin e politikës së deritanishme.
Motoja më e re e BE është: më afër me qytetarët. Më në fund. Ndërsa motoja e dytë është: më shumë transparencë! Poashtu e vërtetë. Dhe motoja e tretë: më shumë informacione! As kjo nuk tingëllon keq. Për këto fushata ka mjaft para dhe fushata informimi. Megjithatë, duket se ka probleme të shumta në zbatimin e tyre.
Po ku qëndron problemi? BE ka një problem elementar: që prej fillimit ishte ky një projekt vetëm i elitave politike, të cilat synonin bashkimin e një kontinenti të goditur shpesh prej luftërave. Qytetarëve u sugjerohet se bashkimi sjellë përparësi. Secili qytetar i Evropës perëndimore ishte në gjendje të shoh përparësitë e ofruara, siç janë heqja e kontrolleve kufitare dhe liria e lëvizjes.
Për futjen e monedhës së përbashkët euro, u deshën më shumë përpjekje dhe bindje. Për herë të parë u tregua një rezistencë serioze ndaj projektit të BE. Ndërkohë edhe monedha e përbashkët u tregua si një fitim për të gjithë qytetarët. Mirëpo, BE-ja ndërkohë ka vazhduar edhe me procesin e zgjerimit. Me pranimin e çdo shteti të ri është rritur humnera mes qytetarëve dhe politikënëve. Pas pranimit të dhjetë shteteve të reja, në pjesën e vjetër të BE u shtua bindja se me zgjerimin duhet të rrezikohet mirëqenia.
Prej zgjerimit, edhe në Gjermani ekziston frika prej fuqisë së lirë punëtore nga vendet lindore. Po cilat janë përparësitë e zgjerimit për individët? S'ka. Të paktën kështu mendojnë ata. Megjithatë politikanët janë të mendimit se treni i zgjerimit duhet të vazhdojë rrugën. Pa i pyetur qytetarët në tren futen pasagjerë të ri, siç janë Rumania, Bullgaria, pak më vonë edhe Kroacia e ndoshta dikur edhe Turqia. Askush nuk e ka plotësisht të qartë se në ç'drejtim po shkon ky tren.
Prandaj nuk befason fakti që qytetarët tani harrojnë përparësitë e fillimit dhe frenojnë procesin. Kjo u pa edhe në referendumet për kushtetutën e BE. Po çfarë duhet bërë? Së pari, ka nevojë për më pak fjalë e më shumë punë. Politikanët kanë premtuar se BE deri në vitin 2010 do të jetë rajoni me dinamikën më të lartë të zhvillimit ekonomik në botë. Mirëpo për këtë mungon receta.
Argumentet më të mira për këtë do të ishin shtimi i numri të vendeve të punës dhe rritja e tregjeve. E dyta, duhen rikujtuar përparësitë e arritura, sepse mirëqenja e BE-së nuk është një gjë e vetëkuptueshme. Askush më nuk e mendon sot se çfarë do të ndodhte sikur BE të mos ekzistonte. Më në fund duhet gjetur një përgjigje mirë dhe të domosdoshme për qëllimet e BE. Përgjigja e vetme deri tani është: kjo është një pyetje e mirë?