Arbeitsmarkt Jobwunder
28 Tetor 2010
Diku në Gjermani, një burrë është duke shprehur këto ditë kënaqësi. Ai është Gerhard Schröder-i, kancelari gjerman për shtatë vjet me radhë. Këtij socialdemokrati iu desh të merrte shumë shuplaka, me reformën e filluar në vitin 2003, reformën e quajtur "Axhenda 2010", e cila kishte të bënte me ristrukturimin e sistemit social gjerman dhe ristrukturimin e tregut të punës. Një pjesë e reformës, ajo që quhet "Harc IV", është edhe sot simbol i rrënimit social. Reforma e Schröder-it nuk mundi të pengonte që numri i të papunëve në Gjermani të arrinte në vitin 2005, vit në të cilin Schröder ndodhej në post, në pesë milionë, një nivel që nuk ishte arritur kurrë në Gjermaninë e pasluftës. Reforma arriti të tregonte rezultatet më vonë, dhe është një nga arsyet pse Gjermania përjeton këtë vjeshtë një mrekulli ekonomike.
Është një mrekulli, e cila nuk pritej prej shumicës. Në muajin prill të vitit të kaluar, në kulmin e krizës që jetonte vendi, krizën më të thellë prej dekadash, prognozat thoshin se numri i të papunëve në vitin 2010 do të arrinte në pesë milionë. Tani jemi në fund të 2010-ës dhe ekspertët e statistikave të Nyrnbergut shënojnë se numri i të papunëve është 2,945 milionë vetë.
Kjo tregon për kualitetin e prognozave. Por tregon kryesisht se kjo mrekulli ekonomike ka shumë kontribues. Të parat janë firmat në Gjermani, të cilat nuk u dekurajuan nga kriza. Pastaj njerëzit që punojnë në këto firma dhe sindikatat, që përfaqësojnë interesat e tyre. Me qëndrimin e rezervuar ndaj kërkesave për rrogat ata kontribuan këtë vit që firmat e tyre të bëheshin më të forta për lundrimin në detin e trazuar të globalizimit.
Firmat janë ndihmuar edhe nga shteti. Shteti e përdori me shumë zemërgjerësi instrumentin e punës së shkurtuar, duke shkarkuar ngarkesën në kohën kur porositë nuk kanë qenë të bollshme. Në këtë mënyrë firmat u lehtësuan tek kostot e rrogave, punonjësit vazhduan të merrnin rrogën, megjithëse jo me volumin e plotë. E rëndësishme ishte për ta ruajtja e vendit të punës, kurse për firmat, mbajtja e specialistëve.
Hovi ekonomik është realitet në Gjermani, kështu që edhe kancelarja aktuale Angela Merkel mund të marrë vetëm lëvdata për mrekullinë ekonomike. Delegacione të huaja kanë filluar të vijnë për të parë modelin e suksesit gjerman.
Autor: Henrik Böhme
Redaktoi: Aida Cama