1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muaji i Ramazanit fillon në Irak me sulme kamikaze

Jörg Kaminski23 Shtator 2006

Në fillim të muajit të agjërimit Ramazan, një sulm i përgjakshëm me bombë ka tronditur kryeqytetin irakian Bagdat. Sipas të dhënave të policisë si pasojë vdiqën 31 dhe u plagosën 34 njerëz të tjerë.

mje nga Qendra e Bagdatit
mje nga Qendra e BagdatitFotografi: DW

Sulmi kamikaz është kryer në një lagje të varfër të shiitëve në Sadr City. Atje në afërsi të një pike karburanti u hodh në ajër një autobombë. E paqartë mbetet ende se a ishte e parkuar makina e mbushur me eksploziv apo në të ndodhej edhe ndonjë vozitës kamikaz.

Kjo pjesë e qytetit e cila njihet si çerdhe e liderit radikal shiit el sadr gjatë muajëve të kaluar ishte relativisht e qetë. Dhuna u rikthye sërish pasi që sunitët kanë akuzuar Sadrin se grupi i tij terrorist është përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve.

Sulmi ndodhi vetëm pak orë pasi që muslimanët në Irak filluan me ditën e parë të agjërimit të muajit Ramazan. Në Ramazan zakonisht në Irak shtohet numri i sulmeve terroriste.

Ushtarakët amerikan druhen se edhe këtë vit ekstremisët sunitë do të shfrytëzojnë muajin e agjërimit për kryejen e sulmeve terroriste. Para së gjithash gjendja e sigurisë në Bagdat mund të përkeqësohet.

Komandanti i trupave amerikane në qytet u ankua në mënyrë indirekte për qeverinë irakiane. Ajo nuk ka arritur që të vë në dispozicion numrin e kërkuar të ushtarëve irakianë. Amerikanët kanë paraparë shtimin e trupave irakiane me 3000 ushtarë. Por ushtarët irakian refuzojnë që nga provincat tjera më të qeta të vijnë e të shërbejnë në kryeqytetin e pasigurtë. Me personelin aktual nuk është e mundur që gjendja të futet në kontroll të plotë, tha komandanti.

Gjithnjë e më të brengosura për rrethanat aktuale në Irak shprehen edhe vendet fqinje. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan pas vizitës së tij të fundit në Lindjen e afërme dhe të mesme, sqaroi se partnerët e tij në bisedime gjendjen e vlerësojnë si tejet katastrofale.

Shifrat e publikuara këto ditë nga Kombet e Bashkuara dëshmojnë më së miri për këtë. 6.600 të vrarë janë regjistruar si pasojë e sulmeve të vetëm dy muajëve në Irak. Do të thotë për çdo ditë jetën kanë humbur më tepër se 100 njerëz.

Komandantët amerikan sot flasin hapur për rrezikun aktual të një lufte qytetare në mes të sunitëve dhe shiitëve në Irak. Sukseset e arritura në luftimin e terrorizmit me të cilat mburret qeveria në Bagdat janë dëshmuar se janë më shumë propagandë mediale.

Forcat amerikane dhe irakiane të sigurisë llogarisin se gjatë katër javëve të ardhshme - pra gjatë muajit të agjërimit, Bagdatin mund ta kaploj një valë e re dhune e cila shumë lehtë mund të kthehet në luftë qytetare në Irak.