1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"My Space Tirana-Berlin" - Ekspozitë me fotografi nga Shqipëria dhe Gjermania

Aida Cama17 Korrik 2008

Në Tiranë janë duke u bërë përgatitjet e fundit për hapjen e ekspozitës "My Space Tirana Berlin". Julie August dhe Adela Demetja, dy kuratoret sapo kanë mbërritur.

Fotografi nga Ledia Kostandini
Fotografi nga Ledia KostandiniFotografi: Ledia Kostandini

Deutsche Welle: Këtë fotografi ajo e ka bërë rastësisht. Ledia Kostandini, ka parë rastësisht këtë moment. Një kuadër ndodhet mbi një karrige. Në mes të kuadrit një skenë fetare me treshen Zoti, i biri dhe shën Mëria, që duket si skenë familjare. Në anën tjetër të kuadrit një orë tik-taku. Kuadri rrethohet nga një kornizë pasqyrë. Në të pasqyrohet një grua e moshuar, që po fle. Çdo gjë që shihet në këtë sipërfaqe lidhet dhe ndahet nga një e krisur. Ledia Kostandini e ka fiksuar përjetësisht këtë moment në këtë fotografi. Tani fotografia ka marrë rrugën e prezantimit para publikut, atij shqiptar dhe atij gjerman. Ajo është pjesë e ekspozitës "My Space" që pritet të hapet më 22 korrik në Tiranë.

Julie August: "My space" është një ekspozitë, që ka ftuar artistë shqiptarë dhe gjermanë për të treguar si e përfytyrojnë ata "my space" ose "hapësirën time", hapësirën që i rrethon, ambientin e punës, ambientin ku janë rritur, pra si e shikon artisti atë hapësirë ose ambient që është i rëndësishëm për të."

Deutsche Welle: Në Galerinë e Institutit të Arteve do të prezantohen fotografitë e 12 artistëve shqiptarë. Në galerinë Zeta të Valentina Koçit do të prezantohen punimet e tre artistëve gjermanë. Të dy eskpozitat do të prezantohen në muajin nëntor në "Muajin Evropian të fotografisë" në Berlin. Qëllimi është të zgjerohet hapësira e receptionit të artistëve shqiptarë, që në Berlin të kuptohet se në Shqipëri ekziston një skenë artistike dhe anasjelltas. Julie August është njëra nga kuratoret e "my space".

Julie August: Por e rëndësishme është edhe që në Tiranë të mund të shihen punime të artistëve gjermanë, prandaj projekti fillon me Tiranën. Ne do të bëjmë si të thuash një lloj këmbimi ambienti. Artistët nuk prezantohen vetëm në vendin e tyre, por prezantohen edhe në vendin tjetër, në hapësirën tjetër.

Deutsche Welle: Julie August e cila ka galerinë e saj në Berlin punon prej kohësh me artistë nga gjermania, ose Evropa lindore. Cilat janë ndryshimet, çfarë i karakterizon artistët shqiptarë?

Julie August: Bashkëpunimi me artistët është shumë i këndshëm. Duhet të them se në fillim kisha paragjykime. Unë prisja që shqiptarët të mos ishin të përpiktë në kohë, që të vinin me vonesë, por kjo nuk ndodhi. Ata me të cilët unë kam punuar ishin shumë të rregullt, unë i ftova dhe ata erdhëm, më treguan të gjitha punimet ose mi dërguan atp kur unë ju luta. Ajo që vihet re është se artistët në Shqipëri kanë pak mundësi prezantimi. Kur ofrohet dicka atëherë sheh se interesimi është shumë i madh. Në Gjermani kjo nuk ndodh gjithnjë, kurse në Shqipëri të gjithë më thanë "po" duam të bashkëpunojmë, zgjidh nga punimet tona cfarë do të prezantohet.

Deutsche Welle: Si eci bashkëpunimi me ta?

Julie August: Shumë artistë nga Shqipëria nuk janë shumë të ushtruar me prezantimin e vetes së tyre. Ata për shembull tregojnë shumë nga punimet të tyre dhe nuk bëjnë vetë përzgjedhje çfarë duan të tregojnë, të zgjedhin vetë punimet më të mira. Shumica e tyre e kanë të vështirë të shkruajnë ose të flasin për punët e tyre. Por mbase kjo nuk është vetëm shqiptare. Unë dua të theksoj se bashkëpunimi ka ecur shumë mirë, duke përfshirë dhe atë me Adela Demetjan. Pa të unë nuk do të kisha arritur asnjë gjë.

Deutsche Welle: Adela Demetja ndodhet prej disa muajsh në Mynih si kuratore pranë galerisë Lothringer 13. Aty ajo është duke absolvuar programin për menaxherë kulture nga Fondacioni gjerman Robert Bosh. Adela Demetja e cila ka studiuar në Institutin e Arteve në Tiranë. Shumicën e artistëve i ka pasur shokë klase.

Adela Demetja: Duke qene se në Akademinë e Arteve në Tiranë klasa e fotografisë nuk është degë e veçantë studimi, janë të paktë artistët që përdorin në mënyre sistematike fotografinë si mjet shprehës artisik. Për shumë prej tyre fotografia nuk shihet si mjet eksperimentimi por si mjet përcjelles i nje ideje ose momenti dhe sot për sot si një nga mjetet më të drejtpërdrejta dhe të shpejta, për të arritur rezultatin e dëshiruar. Në Shqipëri ka ndryshim shumë të madh midis fjalëve "fotograf" dhe "artist". Shumë rrallë artistët që përdorin fotografinë, e përkufizojnë veten e tyre ose përkufizohen nga të tjerët si fotograf. Idividët që përdorin fotografinë si profesion nuk e shikojnë veten si artistë dhe nuk janë aktivë si të tillë.