1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mynih: Takim për ashpërsimin e politikës së migracionit

4 Tetor 2025

Kufizimi i migracionit është projekti kryesor i Ministrit të Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt. Ai nuk i beson shumë për këtë BE-së, prandaj ka ftuar disa homologë të tij për bisedime në Mynih.

Gjermani Braunschweig 2015 | Refugjatë përpara Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë
Kufizimi i migracionit është projekti kryesor i Ministrit të Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt.Fotografi: Julian Stratenschulte/dpa/picture alliance

Ministri Federal i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, zhvillon të shtunën (04.10.) në Mynih një takim me kolegët e tij nga disa vende të BE-së për të diskutuar për ashpërsimin e politikës së migracionit. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane ky është vetëm një "takim pune" dhe nuk është planifikuar ndonjë deklaratë përfundimtare.

Takimi synon të hapë rrugën për të ashtuquajturat qendra kthimi, njoftoi Dobrindti. Këto qendra do të strehojnë azilkërkues të refuzuar nga Evropa që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës, tha Dobrindti për "Münchner Merkur". Ata duhet të vendosen sa më afër vendeve të tyre të origjinës.

Ministri Federal i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, ka ftuar në Mynih kolegët e tij nga disa vende të BE-së për të diskutuar për ashpërsimin e politikës së migracionit.Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Për qendra të tilla po punohet tashmë në nivelin e BE-së, por ministri Dobrindt nuk është i kënaqur dhe tha se nuk mund të mbështetet te BE-ja për të krijuar "qendra të tilla kthimi". Sipas ideve të tij disa shtete anëtare të BE-së duhet të jenë në gjendje të marrin përsipër një rol drejtues në këtë çështje.

OJQ-të: Instrumentalizim i politikës së migracionit

Organizatat e refugjatëve njoftuan protesta kundër takimit dhe masave ashpërsuese të diskutuara. Ato kritikuan "instrumentalizimin e politikës së migracionit për çekuilibra socio-politikë dhe për përjashtim racist".

Sipas Ministrisë  të Brendshme Federale në takimin e Mynihut pritet të marrin pjesë përveç ministrave të Brendshëm të Polonisë, Italisë, Luksemburgut dhe Zvicrës, edhe ministrat e migracionit të Danimarkës, Suedisë, Belgjika dhe Holandës, si dhe Komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner.

Disa ministra të Brendëshëm të BE-së janë pro dëbimit me vendosmëri të azilkërkuesveFotografi: Boris Roessler/dpa/picture alliance

Dobrindt u takua me kolegë nga pesë shtete anëtare të BE-së në muajin korrik. Në atë kohë pjesëmarrësit bënë thirrje me vendosmëri për dëbime në Siri dhe Afganistan, mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të BE-së dhe më shumë pranim azilkërkuesish të refuzuar nga shtetet jo-anëtare të BE-së.

Temë diskutimi pritet të jenë edhe fluturimet e dronëve, gjë për të cilën u debatua fort së fundmi.