1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mynih: Thirrje për mbështetje të mëtejshme për Ukrainën

18 Shkurt 2023

Presidenti polak Duda tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih, se nëse Rusia fiton në Ukrainë, agresioni i saj nuk do të përfundojë aty, por do të vazhdojë më tej.

MSC l Presidenti polak Andrzej Duda, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron
Konferenca e shtypit e presidentit polak Andrzej Duda, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel MacronFotografi: Kai Pfaffenbach/REUTERS

Presidenti i Polonisë Andrzej Duda kërkoi në Mynih vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. "Pa mbështetjen tonë, Ukraina do të kapitullojë, do të mposhtet nga Rusia dhe ne nuk do të kemi paqe në botë”, tha Duda në një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron në kuadrin e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Presidenti i Polonisë Andrzej Duda kërkon në Mynih vazhdimin e mbështetjes për UkrainënFotografi: Wolfgang Rattay/REUTERS

Në rast se Rusia do të  fitojë në Ukrainë, agresioni i Rusisë "nuk do të përfundojë aty, por do të vazhdojë më tej", profetizoi Duda . "Rusia duhet të dëbohet nga zonat e pushtuara. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ne i japim mbështetje mbështetje të vazhdueshme Ukrainës", tha presidenti polak.

Edhe Presidenti francez Emmanuel Macron, kishte deklaruar më parë, se duhet të përgatitemi për një "konflikt të zgjatur" në Ukrainë. Ai u bëri thirrje shteteve anëtare të BE të investojnë ndjeshëm në shpenzimet e mbrojtjes.

Presidenti francez Emmanuel MacronFotografi: Odd Andersen/AFP via Getty Images

"Ne absolutisht duhet të shtojmë mbështetjen dhe përpjekjet tona për rezistencën e popullit ukrainas dhe ushtrisë së tij dhe t'i ndihmojmë ata [...] për të nisur një kundërofensivë, e cila mund të lejojë një negociatë të besueshme, të përcaktuar nga Ukraina, autoritetet dhe populli i saj dhe njerëzit e saj”, tha Macron-i.

Presidenti francez tha gjithashtu se tani nuk ishte koha për të tentuar një dialog me Rusinë, pasi kjo përshkallëzon armiqësitë në Ukrainën lindore.

"Tani nuk është koha për dialog, sepse ne kemi një Rusi që ka zgjedhur luftën, e cila ka zgjedhur të përshkallëzojë luftën dhe që ka zgjedhur të shkojë deri në kryerjen e krimeve të luftës dhe të sulmojë infrastrukturën civile”, tha Macron-i.

Ukraina në qendër të agjendës së konferencës së Mynihut

Konferenca e Sigurisë në Mynih, e cila filloi të premten (17.02) në sfondin e pushtimit rus të Ukrainës ka në qendër Unkrainën.

Gjatë ditëve të ardhshme, përfaqësues nga 96 vende do të diskutojnë çështjet kryesore të mbrojtjes.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, mbajti fjalimin e hapjes përmes lidhjes me video dhe u kërkoi aleatëve të rrisin mbështetjen për vendin e tij, duke paralajmëruar se në vendin e tij ishin jetë njerëzish në rrezik.

Presidenti Zelenski në hapjen e Konferencës së Sigurisë në Mynih Fotografi: Michael Probst/AP Photo/picture alliance

"Duhet të nxitojmë. Na duhet shpejtësia - shpejtësia e marrëveshjeve tona, shpejtësia e dërgesave tona... shpejtësia e vendimeve për të kufizuar potencialin rus. Nuk ka alternativë ndaj shpejtësisë, sepse nga ajo varet jeta," u tha Zelenski pjesëmarrësve të konferencës duke theksuar se nuk kishte "asnjë alternativë ndaj një fitoreje të Ukrainës".

Zelenski e krahasoi betejën kundër pushtimit rus me luftën biblike midis Davidit dhe Goliatit dhe tha se ndërsa Ukraina kishte guximin e Davidit, ajo kishte ende nevojë për llastikun për të mposhtur "Goliatin rus".

Scholz-i u bën thirrje aleatëve të dërgojnë tanke në Ukrainë

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në konferencë se "revizionizmi" i Putinit nuk do të triumfojë. Ai u bëri thirrje aleatëve që ishin në gjendje ta bënin këtë, të dërgonin tanke lufte në Ukrainë.

Presidenti gjerman Olaf Scholz duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih Fotografi: Thomas Kienzle/AFP via Getty Images

Kancelari gjerman tha se Gjermania do të ofrojë mbështetje me trajnime, furnizime dhe logjistikë. Në një mendim të ndarë me folësit e tjerë, Scholz tha se lufta në Ukrainë nuk ishte para përfundimit. "Unë mendoj se është e mençur të përgatitemi për një luftë të gjatë," tha Scholz në konferencë.