1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Turizëm

Mynihu ndër kryesuesit e listës atraksione turistike më 2019

14 Janar 2019

"New York Times" e rendit Mynihun si një ndër atraksionet kryesore të udhëtimeve për vitin 2019. Por ҁfarë e bën tërheqës kryeqendrën e Bavarisë?

BdT: Aufbau Oktoberfest
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Kneffel

Sikur të shkoje në Mynih në vitin 2019? Këtë e rekomandon "New York Times" në renditjen e fundit të udhëtimeve. Në listën e njohur të udhëtimeve janë futur edhe dy objektiva të tjera udhëtimi në Gjermani.

Mynihu, Desau dhe ishujt e Detit Baltik numërohen në 52 pikat e synuara për udhëtime në vitin 2019. Kjo sipas radhitjes vjetore të "New York Times" 52 places to go in 2019, një nga listat më të rëndësishme të këtij sektori. Që më 14 maj, korrespondentët dhe raportuesit e "New York Times" prezantojnë vendet e tyre të preferuara për të shkuar për udhëtim. Duke dhënë kështu inspirime të reja për vitin e ri të udhëtimeve.

Kryeqyteti i Bavarisë, Mynihu ka arritur të jetë në 5 kryesorët e listës, pas ishullit të Karaibeve, Puerto Rikos, tempullit Hampi në Indi, Santa Barbara në Kaliforni dhe Panamaja.

„New York Times", nuk e rekomandon kryeqytetin e Bavarisë për shkak të festës së birrës në tetor ose prej birrës bavareze. Sipas saj, Mynihut nuk mund t‘ ia kalojë asnjë qytet tjetër si pikë kulturore udhëtimi. Teatri si „Münchner Kammerspiele" dhe teatri Residenztheater janë ndër më kreativet në Europë. Vetëm midis janarit dhe majit 2019 skenat atje do të shfaqin 30 premiera. Këtyre u shtohen muzeumet e njohura si Lenbachhaus me koleksionin e artit modern dhe opera Bayerische Staatsoper e drejtuar nga drejtori muzikor, Kirill Petrenko.

Porta e triumfit, MynihFotografi: picture-alliance/blickwinkel/M. Hjelm

Bavaria gjithnjë e më shumë e preferuar

Në fakt nuk është vetëm Mynihu vend i preferuar për turistët nga e gjithë bota, por edhe malet, kështjellat dhe qytetet e gjithë Bavarisë. Sipas një vlerësimi të Zyrës Federale të Statistikave, landi i Bavarisë pati rritje prej 6,1 përqind të turistëve të huaj në vitin 2018.

Fotografi: picture alliance/dpa/R. Peters

Jubileu i Bauhaus për idhtarët e arkitekturës

Edhe Desau në Landin e Saksonisë është një nga qytetet gjermano-lindore që është radhitur në listën e "New York Times". Këtë vit, më 2019 Gjermania feston 100 vjetorin e shkollës së famshme të arkitekturës dhe dizajnit, Bauhaus.

Desau ka qenë krah Vajmarit dhe Berlinit një nga qendrat e Bauhaus në vitet 20 dhe 30 të shekullit të kaluar. Ndërtesa e ruajtur e shkollës, shtëpitë e mjeshtrave të ndërtuara nga Walter Gropius, janë trashëgimi botërore e UNESCO-s. Kjo dhe hapja e muzeumit të Bauhaus në muajin shtator e bëjnë Desaun objektiv joshës për dashamirësit e arkitekturës në vitin 2019, sipas gazetarëve të "New York Times".

Godina Bauhaus, DessauFotografi: Stiftung Bauhaus Dessau/Y. Tenschert

Ekologji në Friesland

Ishujt në bregdetin midis Gjermanisë, Danimarkës dhe Hollandës radhiten në vendin e 30 si vende të preferuara turistike. Biodiversiteti i zonës, që është shpallur pasur botërore nga UNESCO, mund të eksplorohet gjatë safarit që zhvillohet natën.

Në vitin 2018 në listë u futën landet perëndimore të Gjermanisë, në vitin 2017 u klasifikua Hamburgu. "New York Times" rekomandon çdo vit 52 objektiva turistike për 52 javët e vitit. Këtë vit në fokus janë qendrat e rrezikuara nga ndryshimi i klimës ose që luftojnë për turizmin e qëndrueshëm.