Mynihu shtrëngon kufizimet për koronën
22 Shtator 2020Pasi qyteti i Mynihut tejkaloi në fund të javës së kaluar kufirin kritik të 50 infeksioneve të reja me virusin korona për 100,000 banorë brenda shtatë ditësh, shtabi i krizës vendosi të forcojë masat kufizuese për kontaktet. Duke filluar nga e enjtja në qytetin e tretë më të madh të Gjermanisë do të zbatohen përsëri më shumë kufizime në jetën publike dhe private, nëse shifrat mbeten mbi vlerën kritike. Masat kufizuese kundër përhapjes së SARS-CoV-2 do të vendosen përfundimisht të mërkurën.
Kufizimi do të thotë që në vend të dhjetë do të lejohen të takohen vetëm pesë vetë ose vetëm anëtarët e dy familjeve, tha kryetari i bashkisë së Mynihut. Kjo vlen si për hapësirat private dhe publike, ashtu edhe për gastronominë.
Numri maksimal i pjesëmarrësve për festat private do të ulet gjithashtu ndjeshëm. Në dasma, ceremoni funerale, ditëlindje, apo festa diplomimi, si dhe në takime klubesh e partish në mjedise të mbyllura, lejohen të marrin pjesë vetëm 25 vetë, kurse në mjedise të hapura 50 vetë.