Myslimanët në botë festojnë përfundimin e muajit të Ramazanit
30 Gusht 2011Në dy vendet më të mëdha islame, Indonezi dhe Pakistan, festa e ndërprerjes së agjërimit, Fiter Bajrami, nis të mërkurën (31.08.201). Edhe në Indi, ku jeton bashkësia e tretë më e madhe myslimane në botë, si dhe në Iran, besimtarët duhet të agjërojnë deri në perëndim të Diellit të martën.
Ndërsa në pjesën më të madhe të vendeve arabe si në Arabinë Saudite dhe në Egjipt festa ka filluar që të hënën pasdite. Në kryeqytetin e Libisë Tripoli, mijëra njerëz kërcyen në sheshin e Martirëve. Ata festuan fundin e sundimit 42 vjeçar të ish-pushtetmbajtësit Gaddafi. Në Turqi Fiter Bajrami quhet ndryshe edhe festa e sheqerit për shkak të ëmbëlsirave të shumta që përgatiten me këtë rast.
Në Gjermani presidenti federal Christian Wulff e vlerësoi muajin e shenjtë të Ramazanit si një apel shoqëror për më shumë vëmendje për njëri-tjetrin. Ai nxit gatishmërinë për të dhuruar dhe për të hequr dorë nga konsumi vetjak, tha presidenti në një përshëndetje urimi të martën (30.08.2011) në Berlin, me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit. "Shpreh respekt për secilin që jeton në shoqëri me këtë frymë, me guxim dhe humanizëm", shprehet presidenti gjerman në përshëndetjen e tij. Shumë myslimanë e bëjnë këtë vazhdimisht duke kontribuar në koezionin social në Gjermani.
Urime për besimtarët myslimanë në Gjermani erdhën edhe nga qeveria gjermane. Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert u uroi rreth 4 milionë myslimanëve në Gjermani gjithë të mirat me rastin e festës së Bajramit, një nga më të rëndësishmet në fenë islame.
Autor: E.Xhani (dpa, rtr)
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora