Myslimanët në Gjermani në lidhje me protestat në botën arabe
15 Shtator 2012 Demonstrues të zemëruar, protesta me përdorim force, ambasada në flakë: Gjithë bota vështron nga trazirat e fundit në disa vende me karakter mysliman. Të premten (14.09.2012) demonstruesit sulmuan Ambasadën e Gjermanisë në Sudan. Shkaktar për protestat e shumta ishte një film amator i prodhuar në SHBA, i cili njollos profetin Muhamet.
"Akte vrasjesh frikacake"
"Ne si myslimanë jemi të tmerruar kur shohim këtë film - ky është një provokim i mirëfilltë! Kjo është përpjekja për të nxitur urrejten midis myslimanëve dhe shoqërisë shumicë", shpjegon në bisedë me Deutsche Welle-n Benjamin Idriz. Ai është imam dhe drejtor i bashkësisë islame Penzberg në landin gjerman të Bavarisë. Ai thotë se në faljen e së premtes ka folur për filmin, pasi myslimanët presin nga imami i tyre që të pozicionohet në lidhje me ngjarje të rëndësishme. "Megjithëse bota ka nevojë për paqe dhe për siguri, ekstremistët përpiqen vazhdimisht të fusin xixat kundër bashkësive të tjera të besimit", kritikon Idriz. Politikanët, intelektualët dhe dinjitarët fetarë duhet t'u bëjnë thirrje njerëzve që të reagojnë me durim dhe me urtësi ndaj provokimeve të tilla, shton ai. Imami i dënon ashpër sulmet mbi përfaqësitë perëndimore: "Pranvera arabe (qoftë në Libi qoftë në vende të tjera) dhe largimi i diktaturave u arritën edhe me angazhimin amerikan. Në fakt, arabët duhet të jenë mirënjohës që qeveria amerikane qëndroi në anën e tyre."
Edhe organizata të tjera islame i çmiratojnë me forcë sulmet e dhunshme. "Këtu kemi të bëjmë me ekstremistët që po përpiqen të instrumentalizojnë situatën", thotë Aiman Mazyek, kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani, në Radiotelevizionin e Bavarisë. Ai thotë se nuk e kupton trazimin për shkak të filmit. Bëhet fjalë për një "film të pisët" të prodhuar dobët. Lidhja Turko-Myslimane DITIB i kritikon me forcë "aktet e vrasjeve dhe të sulmeve frikacake" si anti-islame. Në një predikim të së premtes të bërë publik lidhja thekson: "Rebelimi, tensionet, zënkat, shpifjet dhe paragjykimet në shoqëri janë për kuranin në këtë kuadër më keq dhe më të dëmshme sesa lufta."
Keqbërësit e dhunshëm janë pakicë
Mirëpo, që myslimanët në Gjermani të kurdisin trazira të dhunshme këtë nuk e beson askush: As bashkësitë dhe shoqatat islame as autoritetet e sigurisë. Vërtet ato e ndjekin zhvillimin, por deri tani nuk kanë të dhëna konkrete për demonstrata të planifikuara. Një zëdhënëse e Entit për Mbrojtjen e Kushtetutës në landin e Saksonisë së Ulët thotë se gjendja në landin e saj është e qetë. Edhe nga qarqet e sigurisë të landit Renani Veriore - Vestfali thuhet se nuk dallohet rrezik.