1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në betejën për Shtëpinë e Bardhë do të fitojë ai që do të paraqesë plan të besueshëm për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku

20 Mars 2007

Katërvjetori i luftës në Irak dhe diskutimet në lidhje me ngritjen e sistemit amerikan të mbrojtjes kundër raketave janë në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman.

Demonstrues kundër luftës në Irak
Demonstrues kundër luftës në IrakFotografi: AP

"Stuttgarter Zeitung" shkruan:

"Fillimi i luftës kundër Sadam Huseinit u argumentua me gënjeshtra. Në atë moment në Uashington nuk mendoi askush për periudhën pas luftës. Amerikanët prisnin që edhe irakianët do t'i prisnin me lule dhe me përshëndetje, si gjermanët në vitin 1945. Bushi e përfytyronte veten si Ruzvelti, një prej presidentëve amerikanë më të rëndësishëm. Por meqënëse Bushi me sa duket është rezistent ndaj këshilltarëve dhe i paftë që të pranojë gabime dhe të korrigjojë kursin e tij, ai do të mbyllet sërish në Shtëpinë e Bardhë pa dashur të dëgjojë përfundimet e sondazheve për luftën në Irak. Gjithësesi pritet që mosmarrëveshjet në SHBA në lidhje me këtë luftë me pasojat e saj fatale të ashpërsohen më tej. Republikanët e Bushit e kanë humbur shumicën në kongres. Dhe në betejën për Shtëpinë e Bardhë do të fitojë ai që do të paraqesë një plan të besueshëm për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku."

"Handelsblatt" shkruan:

"SHBA-të nuk janë aspak të një mendjeje, se çfarë qëndrimi duhet të mbajnë ndaj kësaj lufte. Përse? Sepse nuk ka më opcione të mira. Të gjitha rrugëdaljet janë vetëm variacione zgjidhjesh të këqia. E çara i përshkon të dyja kampet e mëdha politike në vend. Kështu krahu i majtë i demokratëve mund ta kërkojë me kaq këmbëngulje tërheqjen e trupave, vetëm se partia nuk ka pse të japë llogari për pasojat, të paktën për aq kohë sa kryekomandanti i përgjithshëm është ende George Bush. Fakti që Hillary Clinton, kandidatja kryesore e demokratëve për postin e presidentit, nuk pranon t'i bashkohet ksëaj politike simbolike, e nderon atë. Por një pozicionim realist në lidhje me luftën në Irak është çështje besueshmërie."

"Frankfurter Rundschau" shkruan:

"Qëndrimi i SHBA-ve për t'u shpallur luftë mbarëbotërore gjithçkaje që konsiderohej si terroriste, ishte një gabim kardinal. Meqenëse u shpallën luftë terroristët dhe mbështetësit e tyre mund ta paraqisnin veten lehtë si viktima që i sulmonin pa shkak. Kësaj përshtypjeje nuk mund t'i kundërvihen as evropianët me këndvështrimin e tyre të diferencuar. Dhe këtë mënyrë të mbetet vetëm që të përpiqesh vazhdimisht për të ndryshuar raportet dhe për t'iu drejtuar koncepteve më civile që forcojnë punën e OKB-së dhe u largohen logjikës ushtarake dhe politikës së interesave të ngushta nacionale. Pikërisht për këtë është edhe më e rëndësishme që planet amerikane për ngritjen e një sistemi mbrojtës kundër raketave të mos shkaktojnë një raund të ri armatimi."

Kalojmë në temën tjetër, sistemin e mbrotjes kundër raketave.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Në debatet e flakta që zhvillohen në Gjermani në lidhje me ngritjen e sistemit amerikan të mbrojtjes kundër raketave në territorin e BE-së, po nxirren nga arkivat terma të kohës së luftës së ftohtë si: spiralja e armatimit, gara e armatimit, apo koloni amerikane. I re në këtë mes është paralajmërimi për përçarjen e Evropës. Edhe ai që dyshon sa i përket sistemit amerikan të mbrojtjes prej raketave çuditet prej këtij zjarri të madh retorik. Por ndoshta edhe jo, sepse asnjëherë më parë Amerika nuk ka qenë pa kaq simpati sa tani. Në këtë mes SPD sheh një temë të mirëpritur për fushatën elektorale, si një ribotim të ri të historisë që e shpëtoi në vitin 2002. Në këtë mes edhe opozita po sheh se mos gjen ndonjë gjë në interes të saj, dhe madje edhe unioni demokristian nuk dëshiron që të marrë goditje prej besnikërisë ndaj Amerikës. Me sa duket zemërata spontane në lidhje me ngritjen e sistemit amerikan të mbrojtjes kundër raketave është e justifikuar."

Gazeta "Landshuter Zeitung/Straubinger Tagblatt" përqëndrohet në një aspekt deri tani të patrajtuar të diskutimeve për sistemin amerikan të mbrojtjes kundër raketave:

"Jo raketa të reja. Këto gjëra politikanët gjermanë duhet t'ua thonë edhe rusëve. Sepse me raketën e tij atomike "Pionier" që po e ndërton fshehurazi, Kremlini shkel marrëveshjen e vitit 1987 për ndalimin e raketave me rreze të mesme veprimi. Përveç kësaj ai shkel edhe marrëveshjen e vitit 1972 për mbrojtjen kundër raketave. Kremlini po vazhdon ta zgjerojë sistemin mbrojtës ndaj raketave të filluar dekadat e kaluara, me raketën e tipit S-400 dhe sisteme kozmike, të cilat sipas fjalëve të zëvendëskryeministrit Ivanov janë unikale. Po këto shkelje të marrëveshjeve tematizohen po aq pak sa edhe fakti që amerikanët dhe rusët kanë rënë dakord që për këto tema të diksutojnë në Këshillin mes NATO-s dhe Rusisë që zhvillon punimet në muajin prill."