1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekja për zhbllokimin e dialogut në Bruksel

2 Korrik 2024

Takimi në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, zhvillohet pas përpjekjeve të dështuara të ndërmjetësve të BE-së që të ulin në një tryezë Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin.

Miroslav Lajcak dhe Besnik Bislimi
Miroslav Lajcak dhe Besnik BislimiFotografi: Office of the Kosovo Government

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel në përpjekje për të zhbllokuar zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, takojnë edhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, sipas të cilit "deri më tani nuk është parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit”. Lajçak në një postim në X, iu referua zhvillimeve të javës së shkuar kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi të takohet në Bruksel, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pa i plotësuar disa kushte.  

"Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën për normalizim. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon kur do të takohen kryenegociatorët për t'i përgatitur hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes”, shkroi Lajçak.

Miroslav Lajcak dhe Besnik BislimiFotografi: Office of the Kosovo Government

Nuk parashikohet, por nuk përjashtohet njohja

Zyrtarë të Bashkimit Evropian, kanë thënë se ndonëse njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, nuk është qëllimi i dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve, nuk përjashtohet që njohja të vjen si rezultat i përmbylljes së procesit të bisedimeve. "Qëllimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është normalizimi i marrëdhënieve. Pra, kjo është detyra që iu dha BE-së si lehtësues për të punuar dhe për të ndihmuar të dyja palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Pra, nuk ka njohje atje. Por sigurisht një pasojë logjike e normalizimit do të ishte njohja”, tha në Bruksel, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano. Sipas tij, "pesë mosnjohëset mes vendeve anëtare të BE-së do të marrin vendimet e tyre bazuar në atë që ata e shohin si të nevojshme dhe të rëndësishme”.

Njohja nga pesë vendet nuk përfshihet në dialog

"Por kjo nuk është një çështje që trajtohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE. Detyra është edhe një herë normalizimi i marrëdhënieve, ndërsa përcaktimi i normalizimit në fund kur të arrijmë, kur të vendoset nga palët me ndihmën tonë, do të përcaktohen vet”, tha Stano.

Peter PetkovicFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Javën e kaluar, nuk ndodhi takimi i shumëpritur dhe i paralajmëruar nga BE-ja, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuҫiq. Por dy liderët takuan ndaras shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe ndërmjetësin në dialog Mirosllav Lajcak. Këta të fundit thanë se "Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh”. Kryeministri Albin Kurti, paraqiti tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e dialogut dhe në një proces më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve. Kushtet e Kurtit që të takojë presidentin serb ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq më 13 dhjetor 2023 dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës, tha Borrell. Sipas tij, "Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti”.

Ankesa për trajtim

Përfaqësuesit e Kosovës janë ankuar së fundi disa herë se palët nuk po trajtohen si duhet. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, nga ana e saj deklaroi se "heqja e masave nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës do të krijonte një situatë të barabartë në  tryezën e dialogut”. Heqjen e masave ndëshkuese kanë kërkuar edhe politikanë të tjerë të Kosovës, por deri tani nuk ka ndonjë propozim konkret në këtë drejtim.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW