1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në dhjetëvjetorin e rrjetit social Facebook

Silke Wünsch/Pandeli Pani4 Shkurt 2014

Facebook-u është sot për shumicën e njerëzve pjesë e jetës së përditshme. Por komunikimi përmes tij bie në kurriz të kontakteve sociale reale.

DW Shift 10 Jahre Facebook
Fotografi: DW

Chat, koment i drejtpërdrejtë për fotografinë a lajmin, që poston një mik e funksione të tjera. Rrjetet sociale e kanë ndryshuar komunikimin mes njerëzve. Para dhjetë vjetësh në internet u shfaq rrjeti social Facebook, që sot është bërë rrjeti më i suksesshëm.

Facebook-u dhe rrjete të ngjashme, si LinkedIn, Instagram apo Xing janë bërë sot për shumicën e njerëzve pjesë e jetës së përditshme. Jo vetëm shumë të rinj e fillojnë dhe e mbarojnë ditën duke hedhur të paktën një vështrim në Facebook. Postimi i lajmeve dhe i fotografive private, komentet, ftesat, organizimi i takimeve me miqtë e plot njoftime të tjera përmes Facebook-ut janë kthyer në pjesë të natyrshme të jetës për miliona njerëz.

Fotografi: picture alliance/AP Photo

Sipas studimit për përdorimin e internetit në vitin 2013 të stacioneve ARD/ZDF në Gjermani ka rreth 22 milion vetë të moshës nga 14 e lart, që kanë një profil në Facebook. Në botë, sipas të dhënave të vetë sipërmarrjes, rrjetin social të zhvilluar nga ish-studenti i Harvard Mark Zuckerberg e përdorin në muaj mbi një miliardë vetë. "Facebook është i suksesshëm, sepse u ofron njerëzve përfshirje aktive në komunikimin në internet në pragun më të ulë," thotë studjuesi i mediave Oliver Leistert.

Zbehja e kufijve mes privates dhe publikes

Veçanërisht tërheqës për të rinjtë është komunikimi i shpejtë me miqtë, qoftë kur janë në rrugë, pra përmes celularëve, qoftë kur janë para kompjuterit në shtëpi. "Me rrjetet sociale lindi mundësia për të qenë gjatë tërë kohës i pranishëm dhe në kontakt," thotë studjuesi i mediave nga Lajpcigu Bernd Schorb. Ai ka vëzhguar për më shumë se dhjetë vjet zakonet e të rinjve të moshave 12-19 vjeç në përdorimin e rrjeteve sociale.

Me mundësinë për të qenë gjithmonë i pranishëm në rrjetin social zbehen edhe kufijtë midis privates dhe publikes. Studjuesi i mediave Bernhard Përksen flet për një dyjëzim të botës. "Nga njëra anë bota e drejtpërdrejtë, ndërveprimi ballë për ballë dhe pa praninë e mediave, dhe nga ana tjetër bota e rrjeteve sociale, në të cilën mund të zhytemi menjëherë pavarësisht se ku jemi", thotë ai.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Ana tjetër e medaljes

Por ky lloj përdorimi i medieve dhe i rrjeteve sociale në internet ka pasoja për jetën e përditshme mendon studjuesi amerikan Scott Wallsten. Ky lloj komunikimi bie në kurriz të kontakteve sociale reale. Sa më shumë kohë kalon dikush në internet, aq më pak shkon ai në festa, ngjarje kulturore apo në muze, kanë vërejtur shkencëtarët e "Technology Policy Institute" në Uashington.

Studjuesi i mediave Oliver Leistert thotë edhe se në Facebook ruhen të gjitha, madje edhe fotografitë, apo lajmet, që dikush i shuan nga profili i vet. "Facebook-u nuk harron kurrë dhe mbrojtja e të dhënave personale dhe modeli i biznesit të Facebook-ut janë në kundërshtim me njëri-tjetrin", thekson Leistert. Ai thotë se komunikimi i të rinjve në Facebook shoqërohet edhe nga kontrolli i shërbimeve sekrete, por kjo nuk duket se i shqetëson të rinjtë.

Të dhënat e mbledhura nga Facebook u shiten ndër të tjera firmave të marketingut. "E gjithë paradigma e Web 2.0 nuk është gjë tjetër vetëm se shitje të dhënash", thotë Oliver Leistert. Tregtia me të dhënat është bërë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së internetit. Facebook ka nxjerrë muajt e fundit fitime të mëdha përmes reklamave të adresuara sipas tipit të përdoruesve.

Sot, po nesër?

Por bota e internetit ndryshon shumë shpejt, sepse tregu zhvillohet vazhdimisht. Sa kohë pra do të ekzistojë ende Facebook-u në formën e tij të tanishme është e paqartë. Kohët e fundit studjuesit e Universitetit elitë në Princeton prognostikuan se ky rrjet social do të humbasë rreth 80 për qind të përdoruesve të tij në vitin 2017. Rinia e sotme përdor shumë shërbimin WhatsApp si alternativë me kosto më të ulët se SMS-të dhe WhatsApp po zëvendëson madje edhe përdorimin e Facebook-ut. Kurioziteti për shpikje të reja në fushën e komunikimit është kërcënimi më i madh për një rrjet social si Facebook-u, thotë Leistert.

Fotografi: DW/P. Henriksen

Kurse drejtori i Institutit për Studimin e Prirjeve dhe të Tendencave të së Ardhmes me qendër në Heidelberg, Eike Wenzel, është i bindur se Facebook-u do të mbetet edhe për të paktën dhjetë rrjeti social dominues. "Facebook ishte një ide epokale," tha ai për gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung", ai është bërë masmedia e gjithë botës. Megjithatë sipas tij janë të nevojshme risi të mëtejshme si TV streaming, apo pagesa pa para përmes këtij rrjeti.