1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Durrës mbahet Samiti Bërdo-Brioni

6 Tetor 2025

Samiti i Bërdo-Brionit është nismë rajonale e vitit 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia. Samiti synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit.

Samiti Brdo Brioni ku janë mbledhur krerët e shteteve të BP
Pamje nga një samit i mëparshëmFotografi: Office of the Kosovo presidency

Temat qendrore janë "Interesat e përbashkëta, angazhimi i përbashkët për një të ardhme të përbashkët, së bashku drejt BE-së”. Samiti i Bërdo-Brionit organizohet nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy nismëtarët e Samitit, Kësaj radhe ai drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.

Takimi përqendrohet në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin. Pjesëmarrjen në Samit e kanë konfirmuar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska-Davkova, ndërsa Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Lidhur me Planin e Rritjes së BE-së, unioni në vitin 2023 ndau një paketë prej 6 miliardë eurosh për vendet e rajonit. Mjetet e para shumica e vendeve tashmë i ka pranuar, përveç Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Kosova nuk i ka pranuar mjetet e para për shkak se akoma nuk ka parlament funksional të domosdoshëm për ta miratuar ndihmën e BE-së, ndërsa Bosnjë-Hercegovina akoma nuk e ka dorëzuar agjendën e kërkuar të reformave tek Bashkimi Evropian.

Vjosa OmsaniFotografi: Press office of the Kosovo presidency

Osmani - Vuçiq takohen pas akuzave të rënda

Në Samitin e Bërdo-Brionit përballë në një tavolinë janë Vjosa Osmani dhe Vuçiq, pas shkëmbimit në distancë të akuzave dhe kundërakuzave për sigurinë në rajonin e Ballkanit. Presidentja Osmani, në fundjavë tha se "thirrjet e pamatura të presidentit serb për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit”.

Ky reagim i Presidentes Osmani erdhi pasi Vuçiq, tha të premten për mediet në Serbi se "të gjithë po përgatiten për luftë dhe se Kosova po përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës për t'i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t'ia mbajnë anën Prishtinës”.

Samiti i sivjetëm i Bërdo-Brionit, që zhvillon punimet në Durrës të Shqipërisë, mbahet në një moment vendimtar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku trajtohen edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.