Në fund Evropa ka rëndësi
15 Qershor 2012
Joseph P. Quinlan është drejtor ekzekutiv dhe kryespecialist për strategjitë e tregut në US Trust Bank of America, sektori i menaxhimit të pasurisë private. Ai është edhe shef i kërkimeve në Paul H. Nitze School of Advanced International Studies në John Hopkins University, në Uashington DC.
Duke pasur parasysh integrimin e thellë dhe të gjerë të ekonomisë transatlantike, ku ekonomitë e SHBA-së dhe Evropës janë më të ndërthurura se askush tjetër, problemet në njërën pjesë të partneritetit detyrimisht i transmetohen edhe pjesës tjetër. Rrethanat aktuale e përforcojnë këtë konstatim: kriza e vazhdueshme financiare në Evropë dhe klima ekonomike në SHBA e cila rëndohet çdo ditë e më shumë. Efektet negative të transferuara nga Eurozona janë bërë aq të rënda sa vëzhguesit në Amerikë besojnë se problemet e Eurozonës dhe efektet e pritura në ekonominë e SHBA-së mund të ndikojnë në fund edhe rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Kjo mbetet të shihet. Më e sigurt është se SHBA ndodhet direkt në shënjestër të krizës financiare në Evropë: ekonomia e SHBA-së ka të ngjarë ta shmangë recesionin këtë vit por shanset e uljes së ritmeve të rritjes, më shumë nga sa pritej, po shtohen.
Kriza financiare e Evropës po i transmetohet SHBA-së dhe botës përmes tre kanaleve: përmes tregjeve financiare globale, përmes tregtisë globale dhe përmes firmave shumëkombëshe amerikane me filialet e tyre që veprojnë në Evropë, aktivitetet e të cilave kanë rënë dukshëm muajt e kaluar në të gjithë kontinentin.
Për shkak të krizës së vazhdueshme financiare në Evropë, luhatjet në tregjet globale të kapitalit janë kthyer në një konstante të përdishme që minon besimin e investuesve në gjithë globin. Ashtu siç u përhap kriza nga Greqia në Spanjë apo Itali, po kështu është përhapur edhe rreziku i ngjitjes dhe përpjekjet për t'i vendosur kursimet në asete të sigurta si bonot e thesarit të qeverisë amerikane, obligacionet shtetërore britanike apo gjermane. Nga ana tjetër pasiguria financiare e ka bërë më të vështirë për vendet evropiane të administrojnë problemet e tyre të borxheve dhe ka ngjallur frikë për gjendjen e bankave evropiane dhe për rrjedhojë edhe të bankave amerikane.
Rreziqet kryesore
Bankat amerikane janë të pajisura mirë me kapital por sidoqoftë janë të ekspozuara ndaj rrezikut të ngjitjes dhe panikut, i cili po del gjithnjë e më shumë në plan të parë në të gjithë Evropën. Një rrezik kyç për SHBA-në është rënia e kursit të euros kundrejt dollarit, që cënon direkt aftësinë konkurruese të SHBA-së në sektorët e mallrave dhe shërbimeve.
Dhe kur flasim për eksportet e SHBA-së dhe tregtinë me BE-në, dëmi tashmë është shkaktuar. Si rezultat i rritjes së ngadaltë në Evropë, eksportet e SHBA-së në prill ranë nën nivelin e marsit dhe pritet të vazhdojnë të bien muajt në vazhdim, për shkak të kërkesës në rënie përtej Atlantikut.
Krahas ndikimeve në financat dhe tregtinë e SHBA-së, kriza e euros është ndier edhe në rezultatin përfundimtar të kompanive shumëkombëshe të SHBA-së, të cilat janë mjaft të ekspozuara ndaj Evropës. Kjo nuk është çudi po të mbahet parasysh se korporata "Amerikë" është investuesi më i madh i huaj në BE.
Thënë thjesht: asnjë rajon tjetër në botë nuk është aq i rëndësishëm për suksesin global të kompanive shumëkombëshe amerikane sa Evropa.
Përse? Sepse gjatë 50 viteve të shkuara asnjë rajon tjetër në botë nuk ka tërhequr më shumë investime direkte të huaja nga SHBA (FDI) sa Evropa. Në vitin 2010 FDI në Evropë përbënin 56 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte të SHBA-së.
Disa shembuj ilustrues: investimet amerikane në Belgjikë janë 11,4% më të larta se sa ato në Brazil. Dhe investimet e SHBA-së në Spanjë janë dy herë më të larta se ato në Indi
Pra thënë ndryshe ajo çka është e mirë për Evropën është e mirë për korporatën "Amerikë". Dhe në të njëjtën linjë arsyetimi, kur gjërat shkojnë keq në Evropë shumëkombëshet amerikane nuk mund të jenë të paprekura.
Për këtë arsye shumë korporata shumëkombëshe në SHBA kanë paralajmëruar për të ardhura më të ulëta se pritjet këtë vit, për shkak të problemeve në Evropë. Dhe sa më të dobëta apo të pasigurta të jenë fitimet për firmat në SHBA aq më shumë hezitojnë ato të punësojnë apo investojnë brenda dhe jashtë vendit.
Pra në fund Evropa ka rëndësi. Ndërkohë që partnerja transatlantike e Amerikës lufton me një nga krizat më të rënda financiare të historisë moderne, interesat në lojë janë të larta për të gjitha palët e përfshira: BE-në dhe shtetet e tij anëtare, tregjet në zhvillim të varura nga Evropa për rritjen e eksporteve dhe për SHBA. Partneriteti transatlantik do të mbijetojë në këtë krizë por jo pa dhimbje të tjera muajt e ardhshëm.