181111 Pfarrermangel Kirche
22 Nëntor 2011
Krejt e ndryshme ishte situata në vitet 1980 dhe 1990 në kishën protestante. Kush studionte teologji, rrezikonte të mbetej pa punë, sepse kishte më shumë të diplomuar se sa famulli. Por kjo po ndryshon tani. Ndërkohë në shumë lande edhe në 22 kishat protestante rajonale në Gjermani mungojnë priftërinjtë. Edhe pse ndryshe nga katolikët, gratë shugurohen dhe nuk pengohen nga celibati i detyrueshëm. Në kishën protestante ekziston frika nga famullitë bosh. Kishat në Oldenburg, Berlin-Brandenburg, Gjermaninë e Mesme, Braunschweig dhe Hessen dhe Nassau do të humbasin në 20 vitet e ardhshëm, rreth tre të katërtat e pastorëve të tyre. Veçanërisht dramatike është situata në kishën e Oldenburgut. Sipas një raporti intern të vitit 2018 nuk do të jetë më e mundur të plotësohen të gjitha vendet e lira.
Puna e famullitarit nuk është më tërheqëse
Por jo vetëm në Oldenburg është kështu. Edhe në rajone të tjera të Gjermanisë një prifti sot i duhet të mbulojë dhjetë deri në 15 qendra predikimi, ose të kujdeset për më shumë se 3.000 besimtarë. Për mungesën janë përgjegjës disa faktorë: rënia e përgjithshme e popullsisë, vala e daljeve në pension nga viti 2015 pension brenda kishës protestante dhe mungesa e priftërinjve të rinj. Orët e parregullta të punës, pagesa mesatare, stresi shumë i madh. Puna e famullitarit për shumë studentë të teologjisë nuk është tërheqëse. Pastori Hartmut Lubben, i cili përpiqet të tërheqë pastorë të rinj në kishën e Oldenburgut, e di që ka një mision të vështirë: "Ka mungesë njerëzish, që ndjejnë në vete nevojën për të bërë këtë rrugë në jetën e tyre. Ndoshta ne duhet të shkojmë në drejtim të kundërt dhe ta bëjmë të qartë sërish se puna në famulli nuk është aq shumë, profesion, sa një thirrje e brendshme. Ndonjëherë unë flas në këtë pikë për Erosin teologjik të profesionit të pastorit. Ai ekziston dhe pa të ky profesion nuk ushtrohet dot."
Kishat kërkojnë priftërinj nga i gjithë vendi
Së bashku me kishat e tjera protestante Oldenburg merr masa dhe kërkon kandidatë në mbarë vendin. Ajo që në shikim të parë duket si një gjë e natyrshme, nuk përbën rregullin në mesin e 22 kishave protestante. Ende është traditë që kishat e vendit preferojnë fëmijët e vendit të tyre. Por përveç Oldenburg-ut tani edhe kisha evangjeliste e Hessenit dhe Nassaut, si dhe ajo e Gjermanisë qëndrore kërkojnë pastorë në mbarë Gjermaninë.
Te studentët e teologjisë lajmi është përhapur tashmë. Edhe pse vetëm 5000 nga 14 000 studentët e teologjisë ndjejnë në vete dëshirën për t'u bërë pastorë. Por edhe në mesin e këtyre, vetëm 2400 kandidatë janë regjistruar në listën e kishës së një landi duke vendosur që të shërbejnë në një rajon të caktuar. Pastor Lubben Hartmut e di pse: "Ata, që studiojnë teologji, e dinë se kishat e landeve kanë vështirësi me personel dhe kështu nuk ekziston më domodoshëria për të vendosur si rregull për kishën lokale."
Më shumë konkurrencë, më shumë efikasitet dhe kurajo për të reformuar - kërkoi kryesia e kishës protestante në 2006 në dokumentin e saj strategjik, "Kisha e Lirisë". Që atëherë u sugjerua që pastorët duhet të kërkojnë punë përtej kufijve të landit. Edhe tendenca numerike u parashikua: Nga 20 000 pastorë, që ka tani, në vitin 2030 do të ketë rreth 13 000.
Ndërkohë, problemi ka mbërritur edhe në Kishën Evangjeliste në Renani. Për një kohë të gjatë këtu përgatiteshin më shumë pastorë nga ç'kishte vende pune. Pastori Martin Heimbucher nga Sankt Augustin pranë Bonit po e provon vetë. Pas 15 vjetësh shërbimi këtu ai dëshiron të shkojë në Zvicër. Por kërkimi i një pasardhësi rezulton i vështirë: "Ajo që ne shohim qartë, është se në të gjithë procesin punësimeve në famulli, numri i aplikimeve është në rënie. Kur unë jam zgjedhur këtu para 15 vjetësh, kam dëgjuar më pas, se 77 vetë kishin aplikuar për këtë vend pune. Kur themi sot se janë shumë, atëherë mund të flasim për dymbëdhjetë deri 15 aplikime. "
Pastorët gjermanë të kërkuar në Zvicër
Në vendbanimin e ri të Heimbucherit, në Zvicër, ka mungesë akute priftërinjsh. Shumë vende mbeten për vite me rradhë bosh dhe priftërinjtë në pension duhet të vazhdojnë të shërbejnë në bashkësinë e tyre. Pastorët gjermanë janë shumë të kërkuar: në kantonin Graubünden ata punojnë në rreth 52 për qind të famullive. Të ardhurat janë të shkëlqyera: Priftërinjtë në Zvicër fitojnë deri në 80 për qind më shumë se kolegët e tyre në Gjermani.
Sidomos kishat më të varfra rajonale gjermane kanë frikë se motrat e tyre të pasura nga jugu mund t'ua marrin në të ardhmen kandidatët. Priftërinjë nga veriu apo lindja mund të shkonin në vende, ku kushtet e punës dhe paga janë më të mira. Pastori Martin Michael i kishës Evangjeliste në Gjermaninë Qendrore është kryetar i shoqatës së famullive të Thuringisë. Ai thotë atë, që shumë e mendojnë: "Për dhjetë vjet, problemiatika nuk do të jetë ajo, që ne nuk kemi para të mjaftueshme për të paguar pastorët, por që ne do të kemi shumë pak priftërinj për t'u dhënë paratë, që janë."
Autor: Astrid Prange/Angjelina Verbica
Redaktoi: E. Xhani