Në Gjermani në shkollat fillore mungojnë mësuesit
26 Dhjetor 2013
Në rrugën "Kirchhuchtinger Landstraße", nxënësit e klasës 1b e shkollës fillore në Bremen, këtë të enjte gjatë orës së fizkulturës kërcejnë si një turmë majmunësh. Mësuesja Sabrina Eichwald u shpjegon atyre lojën: ata janë majmunët e vegjël, që u duhet t'i mbrojnë prej të tjerëve arrat e tyre të kokosit, që janë zëvendësuar nga topa gome. Tani, ata vrapojnë mes për mes sallës dhe po bëjnë zhurmë, shumë zhurmë.
Por, nuk janë vetëm nxënësit e klasës së parë ata që po vrapojnë, mes tyre është edhe një djalë i ri bjond me flokë të gjata, i cili vrapon bashkë me ta. Bëhët fjalë për Erik Schäfer një djalë, i cili një herë në javë merr pjesë vullnetarisht në orët e mësimit. Ai është një mësues në dispozicion në kuadër të programit "Rent a Teacherman", paralelisht Erik Schäfer ndjek edhe studimet në degën e ciklit të ulët të pedagogjisë në Universitetin e Bremenit. Krahas studimeve ai po fiton eksperiencë në praktikë, madje pas çdo ore mësimi të edukatës fizike, që ai jep, i përforcohet bindja, se ka zgjedhur drejtimin e duhur, thekson Erik. Në momentin kur fëmijët e përshëndesin atë me fjalët "Mirëmëngjesi, zoti Schäfer", ai e ndjen se është në vendin e duhur.´
Mësuesit në shkolla fillore janë të rrallë
Erik Schäfer është i vetëm, sepse nëpër shkollat fillore gjermane mësuesit janë të rrallë, thotë Christoph Fantini, ekspert i kësaj fushe në Universitetin e Bremenit. Përpara më shumë se tri dekadash raporti mësues dhe mësuese në Gjermani ka qenë rreth pesëdhjetë – pesëdhjetë. "Në Bremen nga 74 shkolla fillore gjithsej, në 17 syresh nuk ka asnjë mësues, por vetëm mësuse." Pikërisht në këto shkolla pa mësues Christoph Fantini me programin "Rent a Teacherman" synon që t'i aktivizojë studentët e tij. Që prej vjeshtës së vitit 2011në program janë përfshirë rreth 20 studentë.
Kristian Bunte është student i Christoph Fantinit në degën e ciklit të ulët pedagogjik. Atë e indinjojnë paragjykimet e opionit, që i tërheq vëmendjen vetëm gjinia, kur mësojnë se ai është student i degës së ciklit të ulët pedagogjik . Ai mendon se reduktimi vetëm tek gjinia nuk është i drejtë, sepse profesioni i mësusit të fillores është kompleks dhe kërkon mjaft dije e përvojë. Fantini ëshë plotësisht dakord me këtë, një mësues i mirë duhet të ketë aftësi t'ua bëjë tërheqës mësimin të vegjëlve. "Shumica mendojnë se në shkollat fillore vetëm këndohet e bëhet punë dore, gjëra këto që nuk i pështaten gjinisë mashkullore."
Burrat vetëm si rektorë ose kujdestarë
Drejtoresha Annett Möller ka vite që po kërkon më kot mësues për të punuar në shkollën fillore. Ndaj ajo gëzohet që të paktën Erik Schäfer një herë në javë jep mësim në shkollën e saj. Tek ne mungon "perspektiva mashkullore", ankohet Möller. Në situata të caktuara, si p.sh. kur djemtë përleshen me njëri-tjetrin një burrë ka më shumë mirëkuptim."Ndërsa femrat ndërhyjnë menjëherë për t'i ndarë ata, meshkujt janë më të qetë dhe lenë ata fillimisht të merren me njëri-tjetrin", thotë ajo.
Gjatë orës së edukatës fizike, në klasën 1b vërtetë ka një zënkë mes dy djemve. Mësuesi Erik Schäfer fillimisht e vëzhgon situatën dhe reagon vetëm pasi situata tensionohet. Një djalë fillon të qajë, Erik Schäfer mundohet ta qetësojë atë duke i lidhur atletet. E gjitha kjo është pjesë e punës, shprehet ai duke qeshur.
Kërkohen urgjentisht: Mësues shembullorë
Fëmijët rrallë shohin meshkuj, të cilët kujdesen për fëmijët, për të sëmurë ose për të moshuarit, thotë Fantini. Në bazë të statistikave, meshkujt largohen nga këto profesione, që kanë për bazë "përkujdesjen" si p.sh. edukatorë, punonjës social, etj. Por pasojat janë të mëdha, sepse popullsia gjermane po plaket gjithnjë e më shumë dhe pikërisht në këto sektorë ka nevojë për "personel" , thotë profesoresha e shkencave pedagogjike, Meike Sophia Baader, në Universitetin e Hildesheimit. "Në rast se meshkujt i braktisin këta sektorë, atëherë fëmijët nuk do t'i mësojnë ashtu siç duhet rolet e ndryshme në shoqëri, kritikon ajo. "Kujdestaria" – do shëndrrohet në punë femrash.
Edhe në shtete të tjera europiane ka pak mësues në shkolla fillore, si për shembull në Poloni, thekson Badder. Kurse, në shtetet skandinave është ndryshe. Atje, përqindja e mësuesve meshkuj dhe femra është pothuajse e balancuar në shkolla fillore, por pagesat nuk janë të të njëjtit nivel si në Gjermani, sepse mësuesit gjermanë paguhen më mirë në krahasim me vendet e tjera, thotë ekspertja e arsimit. "Profesioni i mësimdhënësit, madje edhe ai i edukatorit gëzon një imazh shumë të mirë në shoqërinë skandinave."
Pikërishtë kjo është ajo që Fantini dëshiron të arrijë me iniciativën e tij. Ai thekson, se nuk dëshiron që t`ua imponoj meshkujve këtë degë, por dëshiron që edhe ata ta zgjedhin me dëshirë këtë profesion të pranuar tashmë nga shoqëria. Për këtë arsye atij i duhen edhe mësues shembullorë. Tani, me projektin "Rent a Teacherman", ai po mundohet të jepë kontributin e tij në këtë drejtim.