Në Kosovë, 8 Marsi nuk është festë e të gjitha grave
8 Mars 2011
Tetë Marsi asnjëherë nuk ka qënë festë për Sadete B., jeta e së cilës mori tatëpjetën që në moshën 24 vjeçare, kur pas katër vjetësh martese u braktis nga bashkeshorti i parë. Por dallgët e jetës do ta përplasin edhe më egër në martesën e saj të dytë. „Kam nejt te burri tri vjet me probleme, e pas tri vjetësh m´kanë qit me fmijë të vogël, pa kurrnji sen me ra as mu, me u vesh as me u mbath, me hangër as me pi, as kurgja. Na jemi marr vet, por nana e tij nuk më dojke“.
Në Kosovë femra me fate të tilla ka shumë, të cilat të braktisura nga familja e bashkëshortit dhe të padëshiruara nga familja e tyre, mbesin duke u përplasur nëpër Qendra Sociale e Strehimore. Ndërkaq rritja e numrit të problemeve shoqërore po e përhap fenomenin gjithnjë e më shumë, thotë Ahmet Fejzullahu, drejtor i njërës nga tri Qendrat e Punës, në Prishtinë, e cila është ndër adresat e para, ku drejtohen viktimat e tilla. „Papunësia, neurozat, presionet, tensionet, vuajtjet, humbjet e vendeve te punes, përpjekjet për ekzistencë e shumë arsye të tjera i sjellin ato te ne. Ndërsa dera është e hapur për çdo pjesëtar të komunitetit, i cili do të paraqes7 rastin, sepse ne i bëjmë zgjidhje edhe pse me shumë vështirësi. Por kemi organizatat joqeveritare dhe në bashkëpunim me to i zgjidhim problemet në një nivel të kënaqshëm”.
Strehimoret, zgjidhje afatshkurtër për problemet shumëvjecare
Në gjithë territorin e Kosovës janë 11 strehimore të njohura si Shtëpi te Sigurta për integrimin e viktimave të tilla, në të cilat qëndrimi më i gjatë lejohet prej 6-të deri në 12-të muaj; zgjidhje kjo tejet e shkurtër për problemet shumëvjeçare, që tashmë kanë lëshuar rrënjë. Ndërsa roli i qendrave eshte sanimi i marrëdhënieve familjare dhe gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për viktimën, thotë drejtori Fejzullahu sipas të cilit: “Problemet emotive, problemet sociale, problemet e konfliktit, nuk zgjidhen brenda çastit. Ato pas disa seancave, vizitave dhe alternativave, ato kthehen ne familje. Ndërsa për ato, që nuk kthehen në familje, iu bëhet një zgjidhje tjetër në mjediset, ku janë të mirëpritura”.
Viktima të llojit të tillë vinë nga zona të ndryshme urbane dhe rurale dhe ato me nivel të ulët arsimimi që i druajne stigmës, por edhe femra të arsimuara por të papuna, të cilat varshmëria nga të tjeret i bën që t´iu nënshtrohen formave të ndryshme të presioneve dhe të dhunës. Por ka nga të dyja kategoritë, të cilat pas vitesh të tëra martese, dashur pa dashur nxirren në rrugë pa asnjë burim të vetëm ekzistence. Ndërsa ndihma solide për nënat vetushqyese prej 55 deri në 80 euro, varesisht nga numri i fëmijëve, nuk plotëson nevojat elementare për jetë.
Vetëm pese euro më shumë për kokë fëmije
Sadetja është shembull tipik i këtij realiteti, e cila i rrit vetëm të dy vajzat e saj.
“Unë rrnoj me 55 euro social. As nuk shkoj n´familje, as nuk m´vinë, as nuk m´ndihmon kush. Rrnoj në një shpi me dërrasa dhe vec me qeto 55 euro social, pasi i ka ba Tina 6 muaj”, thotë Sadetja.
Ndërsa sipas drejtorit Fejzullahu në Kosovë mungon senzibilizimi i opinionit për problemet sociale, të cilat sa më shumë senzibilizohen aq më lehtë tejkalohen. “Ndërsa hallka zingjirore per trajtimin e këtyre rasteve ngec pikërisht në gjykata. Kisha me thanë se bashkëpunimi është ma i mirë se në t´kaluarën, por nuk është i mjaftueshëm”, thotë drejtori Fejzullahu, sipas të cilit problemet e shoqerisë i kanë ngulfatur aq shumë gjykatat kosovare, saqë ato nuk janë më në gjëndje të dëgjojnë thirrjet për të marrë vendime bazuar në rekomandimet, që vijnë nga institucionet përkatëse. Prandaj edhe pse pozita e femrës në Kosovë është përmirësuar dukshëm dhe ajo është e përfaqësuar me perqindjen e garantuar nëpër institucione, kjo kategori është tejet larg pozitës së merituar në familje dhe në shoqëri.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Angjelina Verbica