Në Kosovë, akoma s’ka shpresë për dalje nga ngërçi politik
23 Shtator 2014Në Kosovë blloku i partive në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë të kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të parlamentit, ku pika e vetme mbetet zgjedhja e kryetarit të kuvendit. Por kryesuesja e kuvendit, deputetja Flora Brovina, akoma nuk është në gjendje të caktojë datën e vazhdimit të seancës, duke thënë se do të bëjë përpjekje që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet sa më parë.
“Unë kam thënë se do të mundohem që sa ma shpejt që është e mundur të thërras seancën e re konstituive”, thotë deputetja Flora Brovina, e cila vazhdon të këmbëngulë, që liderët e partive politike duhet të gjejnë një zgjidhje për dalje nga ngërci politik.
Blloku i partive në koalicion, (LAN-VV), zhvilluan të hënën më datën 22.09. serish një takim për të diskutuar hapat e mëtejmë për dalje nga ngërçi politik. I nominuari i këtij blloku të koalicionit për kryeministër, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se “takimi i së hënës është thirrur, për shkak se jemi shumë të shqetësuar për mënyrën se si PDK-ja përmes Flora Brovinës e ka uzurpuar siç thotë, pozitën e kryesuesit të seancës konstituive."
Koalicioni LAN-VV “ka mundur të thirret këtë javë”
"Jemi të shqetësuar, sepse nuk është mundësuar debat në seancë dhe ende nuk është thirrur vazhdimi i saj. Seanca ka mundur të thirret këtë javë. Humbja e kohës në këtë mënyrë dhe abuzimi nga ana e zonjës Brovina dhe zaptimi i institucioneve të vendit duhet ta ketë një kufi. Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me Vetëvendosjen këtë kufi do t'ia japin një ditë”, tha Ramush Haradinaj.
Javën e shkuar seanca u ndërpre, pasi deputetët dështuan të zgjedhin kryetarin e parlamentit. Kjo për faktin që blloku i partive në koalicion (LAN-VV) në njërën anë dhe (PDK) në anën tjetër, kanë qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj, se kush ka të drejtë ta zgjedhë kryetarin e kuvendit. PDK nuk pranon të heqë dorë nga e drejta e saj për të zgjedhur kryetarin e parlamentit në bazë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të tetë qershorit. Ndërkaq partitë në koalicion LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, thonë se e kanë shumicën në parlament dhe nga radhët e tyre duhet të zgjidhet kryetari i kuvendit.
Ndërkohë analistët politikë thonë se zgjidhja për këtë çështje duhet kërkuar ndërmjet vetë partive politike. Analisti politik, Naim Rashti, nga Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit, i tha DW-së, se partitë politike nuk duhet të vendnumërojnë, por të hulumtojnë dhe të gjejnë zgjidhje.
Rashiti: Mos vendnumëroni, hulumtoni dhe kërkoni zgjidhje: ajo nuk vjen nga qielli
“Flora Brovina duhet t'i thërrasë partitë sa me shpejt për konsultime dhe të caktohet data për vazhdimin e seancës që këtë javë. Përpjekje duhet të bëhen edhe deri sa të kthehet Presidentja, e cila vështirë se mund të gjeje zgjidhje të shpejtë”, thotë Naim Rashiti.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet në SHBA-së për të marrë pjesë në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, disa herë ka deklaruar se zgjidhja e ngërçit politik duhet të gjendet brenda vetë partive politike.
Faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik
Edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar, tha të marten se prania ndërkombëtare nuk do të ndërhyjë në procesin e brendshëm politik.
“Faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik. Ne mund të japim rekomandime, që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë”, thotë Samuell Zhbogar.
Blloku i partive në koalicion ndërkaq thotë se ata nuk do të rrinë duarkryq, nëse kryesuesja e kuvendit Flora Brovia nuk e thërret shpejt vazhdimin e seancës. Analisti Naim Rashiti thotë se koalicioni LAN-VV nuk duhet të provojë që vetë ta thërrasin seancën.
“Seanca duhet të vazhdojë sa më shpejt. Koalicioni LAN-VV nuk duhet të provojë të thërrasë seancën vetëm, por duhet t'i shkruajë Flora Brovines dhe t'i kërkojë vazhdimin e seancës. E edhe të shkojë në takimin e thirrur nga ajo”, thotë Naim Rashiti.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 8 qershor, mirëpo akoma nuk është përmbyllur konstituimi i Kuvendit, që do t'i hapë rrugë edhe krijimit të qeverisë së re. Partitë politike akoma nuk po gjejnë zgjidhje për kryetarin e kuvendit, ndërsa sfida tjetër edhe më e madhe sipas analistëve do të jetë ajo për krijimin e qeverisë.