1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohet numri i azilkërkuesve në Gjermani

Karin Jäger/Bahri Cani16 Gusht 2013

Në Gjermani është shtuar dukshëm numri i azilkërkuesve. Më së shumti azilkërkues ka nga Rusia, Siria, Afganistani, Serbia dhe Pakistani. Ka keqpërdorime të kësaj të drejte?

Luftëtarë islamistë në ÇeçeniFotografi: MICHAEL EVSTAFIEV/AFP/Getty Images

"Alarmues nuk është vetëm numri i shtuar i azilkërkuesve në Gjermani, por gjendja e refugjatëve në dyert e Evropës, të cilët me të gjitha mjetet po përpiqen të arrijnë në territorin e saj", thotë Günter Burkhardt, drejtues i organizatës Pro Asyl, në një bisedë me Detusche Wellen. Gjatë këtij viti janë paraqitur më shumë se 52.000 kërkesa për azil. Qeveria federale llogarit se deri në fund të vitit do të ketë më shumë se 100.000 kërkesa për azil.

"Numri më i madh i azilkërkuesve ka ardhur nga Rusia, pastaj Siria, Afganistani, Serbia dhe Pakistani", shpjegon për DW, Ole Schröder, sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme Federale. Prej janarit deri në korrik të këtij viti kanë kërkuar azil rreth 11.500 persona me pasaportë ruse. Vlerësohet se rreth 90 % prej tyre janë çeçenë.

Günter Burkhard drejton shoqatën Pro AsylFotografi: DW/S. Dege

Ekstremistët kërcënojnë me sulme në Soçi

Ata janë të prekur nga konflikti në Kaukaz, ku ka dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, shpjegon Burkhardt nga Pro Asyl. Organizata e tij paralajmëron se shtimi i numrit të refugjatëve mund të bëhet temë edhe në fushatën elektorale. Përfaqësuesi i qeverisë Ole Schröder ka një shpjegim tjetër: "Shumë njerëz nga Çeçenia mendojnë se këtu mund të gjejnë ndonjë punë, që nuk është e vërtetë. Megjithatë ne jemi duke shqyrtuar çdo rast, sepse është e mundur që në mesin e tyre të ketë edhe të përndjekur".

Zyra Federale për Migrantë dhe Refugjatë, e cila merret me përpunimin e kërkesave për azil, vlerëson se gati çdo i pesti azilkërkues me pasaportë ruse është i përndjekur. Ndër azilkërkuesit janë edhe 200 islamistë, të cilët mbledhin donacione apo rekrutojnë luftëtarë për luftë në Çeçeni, thotë në kushte anonimiteti një pjesëtar i organeve për mbrojtjen kushtetuese në Gjermani.

Ole Schröder sekretar shteti për Punë të BrëndshmeFotografi: picture alliance/dpa

Doku Umarov, udhëheqës i trupave të "Emiratit Kaukaz", kërcënon në një mesazh të dërguar me video se ata do të sulmojnë me bomba gjatë kohës së Lojërave Olimpike Dimërore të cilat do të mbahen në dimrin që vjen në Soçi të Rusisë.

Spekulimet për dhurata në para

Numri i madh i azilkërkuesve nga Çeçenia ka dhe një sfond tjetër, sepse në gazeta ka mundur të lexohet edhe një lajm që secili azilkërkues në Gjermani i merr nga 4000 euro. Nga këto informacione kanë përfituar bandat për kontrabandimin e njerëzve, të cilët i kanë transportuar azilkërkuesit përmes Polonisë dhe Çekisë deri në Gjermani.

Pamje nga Grosni -shkurt 2000Fotografi: picture-alliance/dpa

Rainer Wendt, udhëheqës i Sindikatave të Policisë, paralajmëron madje se: "Luftëtarët vijnë këtu nga një zonë e luftës qytetare, ku kanë mësuar të vrasin". Fakti që edhe atentatorët në Maratonën e Bostonit vijnë nga Çeçenia i ka bërë autoritetet gjermane që të jenë edhe më të kujdesshme, pohon Schröder: "Natyrisht që organet e sigurisë duhet të kenë kujdes që terroristët përmes kërkesave për azil të mos futen në Gjermani."

Günter Burkhardt paralajmëron nga ana tjetër për vlerësime paushale kundër çeçenëve apo romëve. Shumica e azilkërkuesve nga Serbia janë romë. Ndërsa njohja e kërkesave të tyre për azil është - zero, thotë Ole Schröder.

Këtu mund të mbeten vetëm ata të cilët kanë nevojë për përkujdesje mjeksore, e cila nuk mund të ofrohet në Serbi. "Ne e kemi përshpejtuar procedurën e shqyrëtimit të kërkesave për azil të personave me pasaportë serbe, sepse personat nga Serbia janë duke keqpërdorur në mënyrë masive të drejtën e azilit në Gjermani", shpjegon Schröder. Serbia angazhohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Romët mund të përfitojnë nga mundësia e lëvizjes së lirë të qytetarëve pasi që ajo të anëtarësohet në BE.

Fëmijë romë serbëFotografi: picture-alliance/dpa

Përndjekje politike në Serbi nuk ka, pohon Schröder, i cili megjithatë pranon se kushtet për të jetuar në këtë vend janë të rënda "në veçanti për minoritetet, por ky nuk është ndonjë shkak që ata të vijnë dhe të kërkojnë azil në Gjermani". Shefi i Pro Asyl, Burkhardt nga ana tjetër pohon se gjendja e të drejtave të romëve në Ballkan është "katastrofale", sepse ata janë të diskriminuar dhe nuk kanë kurrfarë baze për jetë normale.

Përgjegjësia e BE-së

"Pa dyshim, Evropa duhet të bëj më shumë për të evituar shkeljen e të drejtave të njeriut", kërkon Günter Burkhardt. Sidoqoftë, askush nuk duhet të besoj se shkallëzimi i konflikteve në vendet e tjera nuk do të influencojë edhe mbi gjendjen në Evropë, mendon Burkhardt.