1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Mynih u zhvilluan ditët Ballkanike

15 Nëntor 2010

E ardhmja politike e Kosovës ishte një objekti kryesor i debateve shkencore me rastin e Ditëve Ballkanike (12-14.11.2010) në Mynih.

Enver Hoxhaj, Susanne Glass dhe Bernd Posselt
Enver Hoxhaj, Susanne Glass dhe Bernd PosseltFotografi: DW

Ditët Ballkanike në Mynih i ngjajnë një feste popullore me karakter formues. Ndërsa në hollin e ndërtesës mbahet pazari ballkanik, bëhet fushatë elektorale për zgjedhjet e ardhshme të Këshillit të të Huajve të qytetit të Mynihut, bëhen lojëra për fëmijë në gjuhë të ndryshme të Ballkanit, nëpër sallat e tjera mbahen referate ose zhvillohen debate politiko-shkencore.

Grupet amatore folklorike, si ai i shoqatës Iliria, që feston 10 vjetorin e krijimit, gjenden fare pranë shkencëtarëve të Institutit të Evropës Juglindore të Regensburgut, i cili gjithashtu feston këtë vit një Jubile: 80-vjetorin e themelimit. Një përzierje interesante mes folklorit, shkencës, politikës, dhe kombeve, që zhvillohet për herë të katërt, nën udhëheqjen e shoqatës humanitare "Ndihmë nga njeriu tek njeriu". Kryetarja e saj Sadija Klepo në maj të këtij viti u nderua me çmimin evropian të shtetit të lirë të Bavarisë.

Kosova në rendin e ditës

Aktiviteti zhvillohet në shtëpinë e gjermanëve sudetë, të cilët mbas luftës së dytë botërore u ndoqën me dhunë nga trojet e tyre. Një pasardhës i tyre është Bernd Posselt. Politikani kristiansocial ka vite që angazhohet në Ballkan dhe është një nga mbrojtësit më të flaktë të integrimit të Ballkanit në Evropë në përgjithësi, si dhe të shqiptarëve në veçanti.

Shoqata folklorike Iliria, feston 10 vjetorin e krijimitFotografi: DW

Eurparlamentari bavarez, i cili në këtë aktivitet mbajti fjalën e hapjes, ndër të tjera shpjegoi dhe dy pikat kryesore të angazhimit të tij gjatë vitit të ardhshëm: "Që ta sjellim komisionin të arrij një vendim për heqjen e vizave për Kosovën, si dhe do të ushtrojmë presion ndaj pesë anëtarëve të BE-së që nuk e kanë e njohur Kosovën, që ta njohin atë”. Posselt tha se është më optimist për vizat, se sa për njohjen e Kosovës: “Gjithsesi, pozitiv është fakti, që qeveria hungareze që ka në dorë presidencën e BE-së për gjashtëmujorin e ardhshëm, e sheh me simpati Kosovën dhe e ka vënë këtë çështje në agjendë”, shtoi ai.

Ballkanizim i Evropës?

Kosova, ishte një nga tre problemet kryesore të Ballkanit që u identifikua edhe në debatin pasues të hapjes, ku gjithashtu mori pjesë Bernd Posselt, por në vend të eurodeputetes Doris Pack. Tema e këtij viti ishte i ashtuquajturi "Ballkanizim i Evropës" si pasojë e zgjerimit të BE-së. Conrad Klewing nga Instituti Jug-Lindje në Regensburg i cili e pat organizuar diskutimin, mendon se Evropa nuk ka përse të shqetësohet nga shtetet e vogla në Ballkan: "Krijimi i shteteve të vogla përshtaten më mirë me konceptin e BE-së", i tha Balkanologu Deutsche Welles.

Enver Hoxhaj, ministër i arsimit të KosovësFotografi: DW

Edhe Enver Hoxhaj, ministri kosovar i arsimit dhe njëkohësisht historian, nuk e përjashton mundësinë e regionalizimit të Evropës: “Nuk mund të ndodhë ndonjë ballkanizim i Evropës ku do të kemi lindje të shteteve të reja brenda për brenda Bashkimit Evropian, ashtu siç mendojnë shpesh grupe të caktuara analistësh, por mund të ketë tensione rajonale, kërkesa për autonomi politike ose kulturore për grupe të caktuara etnike brenda Bashkimit Evropian. “

Ndeshje konceptesh

Tensione që ndoshta mund të krijojnë konflikte në ato vende ku ndeshen dy koncepte të ndryshme për përkufizimin e kombit. Një shembull për këtë është Rumania, e cila refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës për shkak të pakicës hungareze në vend. Hulumtuesja e Institutit Gjerman për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Shkenca dhe Politika, me qendër në Berlin, Anneli Ute Gabanyi sqaroi se krahas tendencave separatiste që vihen re tek qarqe të caktuara hungarezësh në Transilvani, ndeshja e konceptit për kombin është njëri nga shkaqet se përse Rumania e ka të vështirë të ambientohet me pavarësinë e Kosovës. “Hungarezët e përkufizojnë kombin sipas modelit gjerman, pra në bazë të parimit të gjakut dhe të tokës. Kjo bën që kryeministri hungarez të thotë se është kryeministri i hungarezëve kudo qofshin. Ndërsa Rumania ka modelin francez, ku kombi dhe shteti kanë të njëjtat kufij".

Kosova të përgatitet për dialogun me Serbinë

Panelistët, ishin të një mendimi se problemet kryesore të Ballkanit: Statusi i Kosovës, kushtetua e Bosnjë Hercegovinës si edhe emri i Maqedonisë, kërkojnë vëzhgim dhe ndërhyrje nga BE-ja. Johanna Deimel, analiste e Shoqatës së Evorpës Juglindore me qendër në Mynih, e cila të shtunën mbajti një referat të zgjeruar për Kosovën, megjithatë kujton përgjegjësinë që kanë edhe vetë palët për zgjidhjen e problemeve të tyre. Konkretisht për institucionet kosovare, kjo do të thotë, që të hyjnë të parapërgatitura në dialogun teknik me Serbinë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama