1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në përgjegjësi për Krijimin - Mjedisi dhe vetëdija për të Evropën Qendrore dhe Lindore

7 Shtator 2010

"Mirëserdhët mysafirë në Tokë!" - Sfida ekologjike në Evropën Qendrore dhe Lindore ishte në fokusin e Kongresin e 14-të Ndërkombëtar të Renovabis.

Mungon sistemi për seleksionimin e mbeturinave. Pamje nga Prishtina.
Mungon sistemi për seleksionimin e mbeturinave. Pamje nga Prishtina.Fotografi: DW

"Ujë! Nuk është që ti je i nevojshëm për jetën. Ti je vet jeta!" Me këtë citat nga Antoine de Saint-Exupéry e nisi referatin e tij Nagy Gergely. Ai është student në degën e Gjeografisë në Univeristetin e Szegedit në Hungari. Tema e tij në Kongresin e 14-të Ndërkombëtar të Renovabis në Freising (02. - 04.09.2010) ishte: "Uji i Danubit si bazë e jetës". Pavarësisht rëndësisë jetësore Danubi sipas WWF (World Wide Fund For Nature) është një ndër dhjetë lumenjtë më të rrezikuar. Forca e Danubit, që dikur transportonte shumë lëndë natyrore, përdoret sot për përfitimin e energjisë. Uji i dikurshëm i pijshëm është kthyer sot në ujë industrial", sipas studiuesit të ri.

Danubi në SerbiFotografi: J. Sorges



Etja për ar në kohën tonë ka çuar në shpopullimin e fshtrave përreth Karpateve perëndimore në Rosia Montana në Rumani. Një firmë kanadezo-rumune përpiqet të krijojë atje minierën më të madhe të arit në Evropë. Një projekt mjaft i diskutueshëm ky, prej të cilit njerëzit mund të humbasin shtëpinë dhe punën e tyre. Në raport me fitimin që nxirret, dëmet janë të jashtëzakonshme, thekson socioteologu Porfesor Radu Preda nga Rumania.

Motra Maria Christina FräberFotografi: DW

"Kush do t' i mbrojë vendet e Evropës Juglindore? Shqipëria po mbytet në plehëra!" Me këtë apel iu drejtua mëse 300 pjesëmarrësve në këtë kongres Motra Maria Christina Fräber, drejtuese e misionit "Nëna e dhimbsurisë" në Shkodër. Ajo përshkroi një ditë shokuese ekskursioni në Velipojë: " Ne gjetëm një plazh të mbuluar nga plehërat. Kur zbritëm nga makina na u desh të mbyllim hundët, sepse kundërmonte era e ujërave të zeza që derdheshin në det, sepse tubacionet kishin plasur. Teksa ktheheshim rrugës dhe hapëm dritaret e makinës për të marrë ajër të pastër, sa nuk u asfiksuam prej tymit dhe erës së rëndë të plehërave që digjeshin buzë rrugës. Preferuam më mirë të durojmë vapën brenda në makina, se sa asfiksinë nga era e plehërave." Udhëtimin shokues në Velipojë Motër Maria Christina Fräber-i bëri qershorin e këtij viti pak para fillimit të sezonit të turizmit veror. E është pikërisht turizmi që vlerësohet si një ndër burimet kryesore të të ardhurave në vend: "Ka oferta për turizmin, ka shtëpi pushimi, gjë që e gëzon i gëzon shqiptarët, sepse mendojnë se do të bëhet më mirë. Por nuk ka koncept për seleksionimin e mbeturinave. Turizmi pa një koncept për plehërat është abuzim me njeriun dhe me natyrën", thekson në intervistë për Deutsche Welle-n Motra Maria Christina.

Ekologji antropologjike - Sfida për mjedisin

Fusha me plehëra dhe ujëra të ndotura karaterizojnë rëndom pejzazhin në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore. Këto janë pasoja e ndërtimeve të pakontrolluara, e konsumit të shfrenuar dhe e etheve të fitimit maksimal. Socioteologu Professor Preda prek një çështje të mprehtë duke bërë thirrje që në kontekstin e debatit për mbrojtjen e mjedisit nuk duhet lënë njeriu në harresë. Sipas tij detyra me të cilën përballemi sot është ekologjia antropologjike: "Leksioni i hidhur që na u desh të mësojmë në vitet e para pas rënies së komunizmit ishte: se ndonëse ishim të gatshëm të shijojmë lirinë, nuk deshëm të pranojmë përgjegjësinë që lidhet me të. "

Profesor Radu Preda, socioteolog nga RumaniaFotografi: DW

Shoqëria civile në Evropën Qendrore dhe Lindore u formua në mënyrë kaotike. Nga jashtë u vunë herë pas here para në dispozicion për projekte të ndryshme, por që në të vërtetë nuk kishin të bënin me problemet emergjente që kishin njerëzit në këto vende. Debati politik edhe sot e kësaj dite karakterizohet prej interesave dhe armiqësive personale dhe jo në argumenta me bazë. Shumë politikanë janë të korruptuar, e madje edhe vet kisha ndonjëherë është e involvuar në afera korrupsioni. Mediet janë të polarizura dhe shpesh herë punojnë joprofesionalisht. Është kjo përmbledhtas një analizë që i bën shoqërisë së sotme Profesor Preda duke argumentuar tezën e ekologjisë antropologjike.

Çfarë ëhstë sot e shenjtë për njeriun? Këtë pyetje shtron Profesor Preda dhe në intervistë për Deutsche Welle-n dhe shpjegon: "Ndërtimet e para në Rumani ishin kishat dhe supermerkatot: Një aleancë e papritur dhe e padëshiruar kjo. Në një vend fetar si Rumania njerëzit nga njëra anë kujdesen intensivisht për raportin ndaj Hyjnores dhe nga ana tjetër qëndrimi i tyre ndaj konsumit merr përmasa frenetike. Këto dy lloj qëndrimesh nuk përputhen me njëri-tjetrin."

Evropa Qendrore dhe Lindore nuk duhet të përsërisë gabimet e Evropës Perëndimore

Formimi i vetëdijes për mjedisin dhe mbrojtjen e tij ka zgjatur gati dy dekada në Evropën Perëndimore. Në vitet 60-të, 70-të temat për mjedisin ishin disi ekzotike, kujton në bisedë për Deutsche Welle-n Herbert Schedler, referent pranë Renovabis për projektet në Evropën Juglindore. Ai shpreh bindjen, se:"Nëse fillon të zhvillosh sensibilitetin dhe vetëdijen për mjedisin tek fëmijët dhe të rinjtë, atëherë edhe prindërit e të rriturit mund të pasojnë. Ndoshta kjo tingëllon disi vizionare dhe utopike, por unë mendoj, se vetëm kështu mund të arrihet qëllimi."

Herbert Schedler, referent për projektet e Renovabis në Evropën JuglindoreFotografi: DW


Profesor Christoph Stückelberger nga Gjeneva duke shpjeguar kompetencën teologjike në diskursin për mjedisin nga perspektiva evangjeliste nënvizoi tezën e të qenit mysafir në Tokë. Teologjia e të qenit mysafir në Tokë përshkon të gjithë biblën. "Mirëserdhët mysafirë në Tokë!", si mund të jetësohet kjo filozofi në forcimin e vetëdijes për mjedisin në Evropën Juglindore? Herbert Schedler, si aktivist në Ballkan, është i mendimit: "Unë besoj, se ky argumentim është pikërisht për njerëzit në Evropën Juglindore mjaft i përshtatshëm, sepse natyra atje është mahnistëse dhe madhështore po të kemi parasysh Shqipërinë, bregdetin e Dalmacisë në Kroaci apo Bosnjen, këto janë vende me male, lugina, brigje dhe liqene e lumenj të mrekullueshëm. Unë mendoj, se njerëzit janë mjaft të vetëdijshmëm, që këto thesarë nuk duhet t' i rrënojnë."

(Renovabis është aksioni i solidaritetit të katolikëve gjermanë me njerezëit në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kjo nismë e themeluar në vitet 90-të me mbështetjen e Konferencës së Peshkopëve gjermanë organizon çdo vit kongresin mbi zhvillime të rëndësishme në kishë dhe në shoqëri si dhe mbi tema me interes mbarëevropian.)

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW