Në pasqyrën e së kaluarës
11 Shkurt 2010
Janë dy punime të reja që Armando Lulaj i ka bërë enkas për ekspozitën. Njëri është "Work sets you free, scene 17": Ajo që sheh vizitori është një fotografi me pesë imigrantë përballë dy dobermënëve (qenë gjermanë të trajnuar për mbrojtje), ndërsa poshtë fotografisë vezullon një frazë e neontë: "Arbeit macht frei"(Puna të çliron). I dyti, i cili në hollin kryesor të galerisë Lothringer 13 ndodhet përbri të parit, përbëhet nga një frazë neoni e varur në mur: „WHEN YOU COME HERE WHAT YOU SSEE HERE WHAT YOU HEAR HERE WHEN YOU LEAVE HERE LEAVE IT HERE." (Kur ju të vini këtu, atë çka do ta shihni këtu, atë çka do ta dëgjoni këtu, kur të largoheni prej këtu, lëreni këtu.) Shprehjet janë historike dhe rrjedhin nga e njëjta periudhë.
E para ishte parulla cinike mbi portat e kampeve të përqendrimit në kohën e nazizmit, e dyta gjendej nëpër afishet e punishteve të laboratorit të ministrisë së energjetikës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku prodhohej bomba atomike. Punimet janë të dyja rezultate aksionesh. Aksioni i parë ka të bëjë me vetë mënyrën se si janë prodhuar frazat: në Shqipëri, nga kinezë ilegalë. Për aksionin e dytë Lulaj, i cili për dy muaj ishte mysafir i qytetit të Mynihut në Villa Walberta, pat nxjerrë dy shpallje në një të përditshme gjermane: Tek e para shkruhej: : "Kerkoj individe nga Iraku, Afganistani; Irani, Palestina per nje eksperiment" dhe tek e dyta " Kerkoj 2 qenë dobermenë per nje eksperiment". Shpalljet ishin pranë njëra-tjetrës, por të parët që reaguan ishin organizatat për mbrojtjen e kafshëve dhe jo ata të zyrës së migracionit”, vëren Uli Aigner, drejtoresha e galerisë. Për një orë fotografim imigrantët morën nga 50 Euro, ndërsa dobermenët 200.
Secilit të vetën
"Fraza makabre", siç e quan Lulaj vetë "Arbeit macht frei" është kthyer enkas mbrapsht: "Kisha dëshirë që vizitorët ta imagjinonin veten brenda një kampi përqendrimi", shpjegon Lulaj në një intervistë me Deutsche Wellen dhe shton: "Ne sot ndodhemi brenda një kampi përqendrimi, i cili subvencionohet nga shtetet e fuqishme kapitaliste".
Një qasje e guximshme, sepse ai prek një tabu në Gjermaninë e pasluftës, e cila nga frika e minimizimit të vuajtjeve të miliona viktimave të makinerisë asgjësuese naziste i shmanget çdo krahasimi të asaj kohe me atë të sotme. Reagimet e vizitorëve të ekspozitës ishin dëshmia më e mirë për këtë. "Ata i kuptonin të gjitha, imigrantët, qentë, aksionin, por nuk kishin aspak mirëkuptim për frazën", thotë artisti.
Për të mos e keqkuptuar këtë frazë "Arbeit macht frei" ndoshta do të duhej të hidhej një sy në një pasazh të një drame të shkrimtarit gjermano-lindor Hainer Müller, ku i biri i gjetur i një funksionari komunizmi në RDGJ i thotë të atit, ish-i burgosur në kamp përqendrimi: "Leksionin e ke marrë në kamp, SECILIT TË VETËN dhe PUNA TË ÇLIRON". Është shformimi që i bën ideologjia kujtesës dhe për rrjedhojë edhe zvogëlimi i kufirit ndarës ndërmjet rolit të viktimës dhe atij të kriminelit.
Për të tërhequr vëmendjen për rrezikun e një shformimi të tillë Lulaj duket se i bën një aktualizim të kaluarës. Megjithëse duhet nënvizuar se tek ai kampi i përqendrimit është simbol i modernizmit dhe zhvillimit të teknologjisë, e cila ndër të tjera krijon edhe mundësitë e asgjësimit në masë. Me sensin seleksionues të dobermenëve, të cilët reagojnë me egërsi ndaj racave të panjohura për ta, Lulaj tregon nga ana tjetër, se sa animalesk ka mbetur instinkti njerëzor. Dje hebrejtë, nesër irakianët, palestinezët, kurdët? Skena 17 përsëritet.
Art investigues
"Art investigues" e quan Lulaj qasjen artistike të temave të tij. Çdo të thotë? "Të shkosh në bërthamën e problemit", shpjegon ai. "Bërthama e problemit shpeshherë nuk lejon që ti të mirëkuptohesh me njerëzit. Në qoftë se ti e thua mesazhin ashtu siç është në të vërtetë, nuk parapëlqehet, por në qoftë se ti e thua mesazhin siç u pëlqen të tjerëve, edhe pëlqehet. Unë bëj pjesë në kategorinë e parë të njerëzve radikalë dhe më pëlqen të investigoj në mënyrë radikale, siç është problemi vetë".
Një pozicion i parehatshëm, si për artistin ashtu edhe për vizitorin, të cilit Lulaj vazhdimisht i tregon pasqyrën që i kujton çmimin e qënies së tij. Ky parim është përdorur edhe në punimet e tij më të hershme, të ekspozuara tani në Mynih. Në punimin me titull "Reflection on Black" (2006) artisti tregon në një video pasqyrimin e fasadave të Romës në sipërfaqen e një fuçie me naftë. Fotografitë bardhë e zi janë vendosur në hollin kryesor të galerisë, së bashku me atë të ndërtesës së OKB-së në Nju Jork, një përgjigje ndaj aferës korruptive me programin ndërkombëtar për Irakun në vitet 1999-2002 "Naftë për ushqim" (Oil for food), ku mbi 2200 sipërmarrje ndërkombëtare kishin korruptuar Saddam Husseinin. Skandali më i madh i OKB-së u fshi nga kujtesa kolektive pa çuar askënd në bankën e të akuzuarve.
Gjurmë nga e kaluara
Në videoprojeksionin e dyfishtë "Passion" (2007) kasapët e një thertoreje shqiptare lexojnë dhe komentojnë pasazhet e "Kapitalit" të Marksit, faqet e të cilit zhyten gjithmonë e më thellë në gjakun e bagëtive. Ndërsa në anën tjetër të ekranit gishti i madh i një dore fshin fjalën "Kapital". Skena e parë zgjat vetëm disa minuta, për të dytën nevojitet një orë e plotë ose e shprehur me gjuhën vizive të së parës: lumenj gjaku.
Përballë dhomës ku është instaluar videoprojeksioni gjendet " Schizophrenic Nostalgia" (2008), një fotografi e dyfishtë simetrike e një ylli pesëcepësh në djegie e sipër, brenda një light-boxi (kuti e ndriçuar). Pasojat shkatërruese për psikikën individuale të komunizmit përbëjnë edhe subjektin e një skenari për një film alternativ që artisti e ka shkruar së bashku me të motrën, Anola Lulajn, e cila ka përfunduar regjinë në Tiranë. "Tristidia Rhapsody" trajton halucinacionet e një individi pasi ka përjetuar një vrasje gjatë periudhës komuniste. Skenari është publikuar në katalogun shoqërues të ekspozitës së bashku me shkrimet e kuratorit të pavarur shqiptar me banim në Suedi, Edi Muka, kolumnistit dhe kuratorit italian me banim në Kinë, Pier Luigi Tazzi si dhe kuratorit dhe kritikut italian, Marco Scotini.
Platformë debati
Armando Lulaj është lindur në Tiranë dhe u largua nga Shqipëria në vitin 1997. Mbas një qëndrimi provizor në Nju-Jork u vendos në Itali ku studioi artin. Këto stacione i gjen sërish në punimet e tij, por mënyra e trajtimit i ka kapërcyer prej kohësh kufijtë biografikë. Prej vendeve ku jeton ai merr elementet historike (holokausti nga Gjermania, komunizmi nga Shqipëria, bomba atomike nga Shtetet e Bashkuara etj.) i ofron ato si perspektiva ose skena brenda një filmi të caktuar dhe e fton edhe vizitorin në këtë debat. Në "Silent Sozial Corruption" kjo ftesë është pjesë e ekspozitës: Një dhomë të galerisë ai e ka lënë të lirë për t'u dhënë mundësi studentëve të artit nga Mynihu që të prezantojnë punimet e tyre.
"Silent Sozial Corruption", kuratuar nga Adela Demetja, është ekspozita e parë personale e Lulajt në Gjermani. 30-vjeçari e filloi karrierën ndërkombëtare në vitin 2003 me pjesëmarrje në Bienalen e Pragës. Punimet e tij ndërkohë janë ekspozuar edhe në bienalen e Venecies, Gëteborgut dhe Tiranës. Në vitin 2006 ai u nderua me çmimin më të lartë të Shqipërisë për artin pamor "Onufri". Stacioni i ardhshëm i tij është Bienalja e 6-të e Berlinit (11 qershor - 08 gusht). Të shohim se kujt i është dedikuar këtë radhë pasqyra e reflektimit.
Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani